Hipokrizia politike

Shkruan Alpin Ollogu

Për ta qartësuar që në fillim definicionin e hipokrizisë politike, le të rikujtojmë nga fjalori i gjuhës shqipe, informacionin bazik se si përshkruhet hipokriti në aspektin terminologjik: “Që shtiret sikur është i mirë, i virtytshëm e i dashur, me qëllim që të gënjejë të tjerët; që mban qëndrim me dy faqe, që nuk, është i çiltër, që nuk e zbulon fytyrën e vërtetë; shtiracak, shtinjak; që nuk i shpreh haptas ndjenjat, bindjet ose qëllimet e vërteta, që bëhet për të mbuluar qëndrimin e qëllimin e vërtetë dhe për të mashtruar të tjerë”. Kështu e përshkruan terminologjia, strukturën mentale dhe shpirtërore të hipokritit. Karakteristika këto e pjesës dërrmuese të politikanit të sotëm shqiptar në R.Maqedonisë, i cili për arsye vetjake, ndryshe flet e ndryshe mendon, dhe vepron krejt ndryshe me atë çka flet dhe mendon, gjithmonë kur është në pyetje pushteti dhe pasuria.

Në këndveshtrimin religjioz – Islam, fenomeni i hipokrizisë ka një trajtim serioz në të gjitha burimet e tij, sepse pasojat i ka tepër serioze. Në këtë kuptim le të shërbehemi me një thënie të profetit Muhamed a.s, ku hipokritin e ka definuar në këtë mënyrë: “Kur flet gënjen, kur i besohet diçka nuk e mban amanetin, kur është në konflikt është i padrejtë, dhe kur premton nuk realizon”. Me shfaqjen e këtyre veseve hipokrite të përmendura nga profeti, na vjen parasysh një tablo e gjërë e hipokritëve politik, i shtrirë gati në të gjitha nivelet e burokracisë shtetërore, organizimeve dhe përplasjeve politike, qeverisëse apo jo, në të kaluarën dhe të tashmen e skenës politike. Sëmundje e shpirtërave për tu jetësuar dhe mbijetuar politikisht, që nga militantët e rëndomtë, e deri tek lidershipi, është padyshim tipari i përhapur i hipokrizisë politike.
Kjo lloj hipokrizie është reflektuese edhe në fusha tjera shoqërore, deri në bërthamën e ngushtë familjare, në formësimin e instiktit të gënjeshtrës dhe manipulimit, e cila në vetvete domosdoshmërisht prodhon gjenerata hipokritësh të së nesërmes. Kjo më pastaj gjeneron shoqërinë e sëmurë morale, që e ka të vështirë të nxjerë në masë të duhur politikanë të sinqertë, apo edhe profesionistë të fushave të ndryshme, zyrtarë publik, biznesmenë, artistë – sportistë, madje e ka shumë të vështirë të nxjerrë edhe hoxhallarë të sinqertë (pasi janë përgjegjës të tërthortë për heshtjen ndaj hipokrizive politike), të paktën të nxjerrë aq sa të mbisundojnë numerikisht mbi hipokrizinë e kolegëve të tyre. Ai grupi i pakët i jo -hipokritëve, në masën e gjerë, nënvlerësohet – anashkalohet, sepse hipokrizia e negativëve është bërë arrogante, e budallallosur, trimëruar deri në skajet më të errëta. Kurse sinqeriteti është strukur, dobësuar, ndoshta në vijën e heqjes dorë nga rruga pozitive, për të mos thënë se ka filluar ta shikojë me admirim, alternativën e tjetërsimit negativ, ashtu për të marrë stafetën e “derrave të kënaqur” politik. Ruana Zot!

Me rrugëtimin dehuman të luftës për pushtet, hipokriti instrumentalizon patriotizmin, religjionin, artin, sportin, madje edhe fuqinë financiare, shkollimin, instrumentalizon gjithçka të mundshëm në përpjekjen e kapjes së pushtetit të ëndërruar, ta konkretizojë këtë orvatje dyftyrëshe për pasurimin e paskrupullt dhe ambicjen karreriste të pangopur. Hipokriti i skenës sonë politike, ka sofistikuar tej mase veten, saqë e ka vendosur një pjesë të konsiderushme të popullatës – elektoratit, në huti, lajthitje. Qytetarët shpesh herë nuk dallojnë kush është i miri dhe kush i keqi, edhe nëse arrijnë ta dallojnë në thellësitë e ndërgjegjes, janë demotivuar për të qenë aktivë në mbështetje të pozitives, qoftë brenda llojit politik apo jashtë saj, sepse kanë humbur shpresat se mund të bëhet diçka më mirë. Kështu shpesh herë i nënshtrohen rrjedhës së lumit.
Gjithmonë të kemi parasysh faktin së një pjesë jo e vogël e militantëve partiak, nga dëshpërimi i statusit të dobët financiar; egoizmi për karrierë; pasuri të majme; dëshirën e sundimin mbi tjetrin, e luajnë rolin e budallait kinse ju besojnë çdo herë e sinqerisht edhe mashtruesve më të mëdhenj, duke e demonstruar këtë besim të rrejshëm gati me një nënshtrim prej skllavi të sistemit skllavopronar. Shpeshherë, loja e budallait luhet aq mirë dhe gjatë, saqë militantit – zyrtarit, kjo lajkë i tjetërsohet në karakter prej vërteti. Mjerisht!

Ёshtë i njohur argumenti se shoqëritë e shëndosha progresive, janë pasojë e drejtësisë dhe sinqeritetit politik, e në këtë logjikë, proklamimi i këtyre karakteristikave për bartësit e hipokrizisë, bëhet kalë beteje në fushata zgjedhore, shndërrohet deklarativisht në parim fundamental për programe politike. Karrem në mashtrimin e target grupeve për arritjet e qëllimeve të ngushta personale – klanore. Trumbetimi në fushata zgjedhore për drejtësi e sinqeritet premtimesh, sapo arrihet pushteti, fillon të zbehet dhe zhbëhet. Kalohet në shpërdorim detyre, shkelje drejtësie, sikur djalli pushton shpirtin, atë shpirtin e “pastër” të para pushtetit.

Raporti me të vërtetën dhe kalimi në hipokrizinë politike, shfaqet mjerisht në përmasa tragji – komike. Tragjike për arsyen se shumë prej propaganduesve të drejtësive socialo – politike, ose “kalit të fushatave zgjedhore ”, janë pikërisht shkaktarët e të kundërtës. Komike për syrin e vrojtuesve të vëmendshëm, sepse si “zhonglerë” që janë, e bëjnë atë aq paturpshëm, drejtëpërdrejt, thuajse nuk ekziston ndërgjegje qytetare e votuesve, para së cilëve vjen koha të japin llogari. Megjithatë qëndrojnë gati të pashqetësuar, me bindje se ndoshta çdo herë do ta kalojnë lumin zgjedhor nëpërmjet urës së perfeksionuar të shantazhit me instrumentalizimin e idealeve popullore të lartpermendura, punësime administrative; joshjen e shpirtrave karrieristë; joshjen e bizneseve për ti futur në dorë me marrjen në mbrojte nga krimet e punëve të radhës, tenderike apo jo. Janë të qetë, duken të tillë, se edhe kur humbin zgjedhjet, gjithmonë gjejnë arsyetime hipokrite të dështimit, pa marrë përgjegjësi dhe bërë autokritikë të punëve që kanë shkaktuar ndëkshkimin elektoral. Kur dihet që përgjegjësia – autokritika është ndëshkim strukture – funskioni, shkarkime dhe spostime, nuk është demagogji për të vazhduar më tej me shkakun e humbjes.

Në fushata elektorale valojnë flamujt e manipulimit mbi kokat e varfanjakëve, e të diskriminuarve dhe shtypurve të të gjitha aspekteve sociale. Janë flamujt e shkaktarëve të mjerimit, në pushtet dhe atyre që kërkojnë pushtetin, sepse brumi i politikanit tonë, në shumicë është zënë me farë të prishur. Ska si të ndodhë ndryshe, i tillë është zënë që në gjirin familjar – shoqëror, në kundërshtim me vlerat etike morale që fisnikërojnë shpirtin për të zbatuar minimalisht ligjin. Ngase nuk arsyetohet gjendja mjerane e varfërisë së skajshme e mbi 22.0% (përqind) e popullsisë në R.Maqedonisë; qeverive të korruptuara, pushteteve lokale kaotike – urbanistike, të varfëra dhe me shumë punë antiligjore, sistemit të shkatërruar të drejtësisë; administratës shtetërore; bizneseve; bashkësive fetare, etj., kjo gjatë gjithë tranzicionit politik. Çdo ditë braktiset vendi nga të rinj të pashpresë, me një hov të frikshëm për një jetë sadopak të dinjitetshme dhe të mirëqenë. Ndryshe nuk arsyetohet as korrupsioni i sistemit të drejtësisë; administratës shtetërore; bizneseve; bashkësive fetare apo sektorit privat profesional.

Në R.Maqedonisë së fundmi kemi shembullin e zbardhjes së një ndër hipokrizive më të mëdha në Ballkan, atë të ish kryeministrit Nikolla Gruevski me shokë, nacional – romantizmat dhe trumbetimin e shtetit stabil ekonomik, në anën tjetër skandali i përgjimeve faktoi se gjithçka ishte vetëm një farsë e madhe. Kush do ta besonte se hipokrizia mund të shkonte aq larg sa të luhej thellë me ndjenjat e popullit, si për çështjen e kontestit të emrit me Greqinë, identitetin fantazmë antik, pastaj korrupsioni galopant dhe tensioneve të montuara ndëretnike. Më e keqja se edhe në këtë gjendje të katandisur – demaskuar, veprave të ngritura penale dhe dënimeve me burg, Gruevski me shokë, akoma zvarriten si gjarpëri të plagosur ti shpëtojnë shkopit të drejtësisë popullore, me patriotizma boshe të frymës së fundit.

Nga klasa politike shqiptare, kemi pasur politikanë që manifestonin fuqishëm aktivitete partiake me simbole të flamurit kombëtar, thërrisnin fuqishëm në patriotizëm të zjarrtë.

Promovoheshin si personalitete të mëdha shqiptare nga media prestigjoze anekënd shqiptarisë, ndërkohë vepronin në rolin e mashës sllavofile, stoponin dhe sulmonin edhe gjërat më jetike të identitetit dhe shtetformësisë së shqiptarëve në Maqedoni, siç ishte Universiteti shtetëror i tetovës, dhe lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Krijonin përçarje dhe tradhëti në trungun politik shqiptar; shkaktonin vëllavrasje në procese zgjedhore; bënin pazar për tu futur në qeveri pa vullnetin popullor dhe në kurriz të të drejtave shqiptare, hajdutëri e të gjitha niveleve etj.

Nëse do të kthenim kokën pas dhe të shikojmë se sa i rënduar në hipokrizi ka qenë shpirti i këtyre njerëzve politik, sdo ta besonim se si ka munduar të japin urdhëra për të vrarë vëllezërit e tyre etnik, vetëm e vetëm për karrierë politike, ndërsa në anën tjetër trumbetonin shqiptari.

Si mund ta kuptojmë më saktë hipokrizinë, kur udhëheqës partie, në nivel qëndror dhe lokal, jepnin urdhëra, manipulonin militantët- anëtarët, të thyejnë dhe mbushin kutitë zgjedhore, dhe me pas, askush nuk u shqetësua për ato qindra militantë – anëtarë që u zvarritën me vite në procese gjyqësore penale, ku shumë prej tyre vuajtën dënimet me burg, humbën nga pasuria dhe jeta , duke i lënë familjet në mëshirë të fatit. Çfarë hipokrizie politike e atyre që shkaktuan gjithë këtë katrahurë (manipuluan, porositën dhe nxitën). Fshehën dorën e gjuajtjes së “gurit”, për të shpëtuar veten dhe shkatërruar të tjerë, kaluan pa lagur nga ndëshkimi ligjor. Disa, për ironi të fatit, aktualisht mund të gëzojnë edhe qeverisje!

Edhe sot në qeverinë e re, pavarësisht klimës pozitive reformatore, në krahasim me atë paraardhëse, në administratën shtetërore apo pushtetin lokal, kemi dyfëtyrësha që ndryshe thonë para dite e ndryshe mbas dite. Mundohen me hipokrizi të bëjnë lajka popullatës me metodologjinë e lartëpëmendur mashtruese. Hipokrizi e shpërndarë fatkeqësissht edhe tek një pjesë e konsiderueshme e anëtarsisë partiake. Sikur këta anëtarë janë bindur tu shërbejnë edhe djajve, nga frika e pushtetit apo joshja për pushtet, se duhet me çdo çmim të fshehësh dhe mbrosh atë të brenda llojit, kur në të vërtetë duhet të jetë e kundërta, elementi i dëmshëm duhet asgjesuar, për të shpëtuar gjithë moralin e organizatës partiake, veçanërisht kur kjo është e lidhur me suksesin dhe historinë e lavdishme të kthimit të dinjitetit shqiptar në këtë shtet, me luftën e UÇK-së që derivoi Marrëveshjen e Ohrit, e më tej hap pas hapi si organizatë politike në arritjen e përfaqësimin etnik dhe krijimin e faktorit shtetformues shqiptar.

Ёshte hipokrizi politike të mendosh dhe deklarosh se faktori shqiptar bashkëqeverisës me Gruevskin dhe “fallangën” e tij, nuk ka pasur përgjegjësi për gjithë ato krime të dala nga përgjimet, të paktën në aspektin moral, për të cilën faktikisht u pagua edhe kosto zgjedhore. Që tragjedia e politikanëve hipokrit të jetë më e madhe, është kur ky ves i shëmtuar gjendet edhe në opozitë, ne kemi pasur së fundmi organizatë politike që është njohur dhe proklamuar në vlera morale religjioze, vëllazëri, sinqeritet, në anën tjetër në përplasjen me të parë brendapartiake u dëshmua krejt e kundërta, përcarje, egoizëm karrierist, përbaltje nga më të ndryshmet. Edhe kur behët opozitari, në shumicë bëhet për interesa pushteti, duke sulmuar gjithcka të mire që vjen nga qeverisja, vetëm e vetëm përfitimi politik. Eshte hipokrizi politike të mendosh se në rrethanat ballkanike të shtetit tonë, shqiptarët, sado qofshin, mund të vazhdojnë seriozisht – konsekuent të funskionojnë në organizime politike me histori dhe shumicë dërmuese maqedonase.

Për shtetin e së drejtës dhe mirëqënies shoqërore, hipokrizia e politikanit është më e rrezikshme prej të gjitha hipokrizive, ngase siç dihet, politika ka tagrin e levës shtetërore. Njëri prej dijetarëve të mëdhej musliman Imam Esh Sharaviu, thotë: “Sinqeriteti është lëvizja e trupit tënd, në përputhje me veprimet e zemrës… Prandaj kur trupi merr një kahje dhe zemra një tjetër (kahje). Kjo e definon hipokrizinë”. Në këtë kuptim, drejtimet e ndryshme të zemrës dhe trupit – veprës, është e patjetërsueshme që të drejtohen me farën e sinqeritetit, në këtë brumin e politikës sonë që mjerisht në shumicë është nxënë me farën e mashtrimit, manipulimit, e humbjes së vlerave dhe dinjitetit të qenies njeri në radhë të parë. Intepretimi i Imam Sharaviut për vesin e hipokrizisë, korrespondon përputhshëm me një pjesë të konsiderueshme të klasës politike, nga e cila hipokrizi duhet të mbrohemi dhe ta luftojmë. Largimi dhe demaskimi i këtyre gënjeshtarëve, duhet të jetë obligim primar i gjithësecilit.

Reformimi i partive nga politikani lajkatar, nga zhvatësit e vazhdueshëm të pasurisë publike, të atyre që fjalën e dhënë popullatës, e kanë fjalë të shitur interesit, përbën nevojë immediate ndryshimi. Që historia e padrejtësive – hipokrizive mos na përsëritet, domosdoja kërkon pamundësimin e rrugëtimit të mëtejshëm politik, të funskionarëve manipulues, hajdutë, qoftë brenda llojit apo të kundërshtari. Në të gjitha vendet ku ka pasur një reformim brenda partiak, kanë lindur qeveri reformatore shembullore, sepse është inercioni i ardhur nga ndryshimi pozitiv i izolimit dhe shmangjes së politikave hipokrite, që në strukturat partiake, lokale apo qëndrore.

SHPËRNDAJE