Ra fjala për paqe dhe u nxinë shumë faqe!

Me krijimin e Këshillit Shqiptar të Paqes në Maqedoni:
– askujt nuk i është penguar dhe mohuar e drejta për shpalosjen, promovimin dhe afirmimin e ideve personale dhe grupore;
– askujt nuk i është ndaluar formimi i çfarëdo asociacioni politik, qytetar dhe profesional për promovimin e ideve, pikëpamjeve edhe koncepteve të veta, për ta ndihmuar shoqërinë dhe popullin të cilit i takon, nëse vërtet kanë qëllime të tilla;
– askujt nuk i është kërkuar as ndihmë financiare, as vota për mandate, as mbështetje për ngritje në pushtet;
– askujt nuk i është prekur e cënuar e drejta, bindjet, besimi, liria individuale dhe kolektive.

POR,
me këtë shqiptarët në Maqedoni kanë hapur një derë të madhe nga bota e qytetëruar, përveç tjerash edhe për t’i adresuar kërkesat e veta dhe vizionin për të ardhmen, si popull i lirë dhe barabartë mes popujve të përparuar të botës; me këtë e kanë rritur prestigjin dhe i kanë shtuar miqtë anekënd botës, mes tyre personalitete të shquara të politikës, diplomacisë dhe botës akademike në shumë shtete dhe kombe të ndryshme nga e gjithë bota.

PRANDAJ,
ndonjë person mendjehumbur, i painformuar, djallëzor, intrigant, shpifës, fatkeqësia e vetevetes dhe shoqërisë, ka mundësi edhe të shpreh mendime kundër, të ofendojë pa vend e arsye institucione dhe personalitete kombëtare e ndërkombëtare, duke menduar se kjo është çështje personale e një ose disa individëve, për vetafirmim dhe vetëkënaqësi, karrierë personale, dëshirë për famë dhe ambicie për pushtet, ndërsa fatkeqësisht, disa media në gjuhën shqipe pa e mendur mirë dhe mjaftueshëm kanë rënë në kurthin e këtyre intrigantëve dhe matrapazëve, pretendimet e të cilëve do t’i demaskojë puna, e vërteta dhe koha, derisa këta shpirtëra të trazuar djallëzorë të gjejnë ngushëllim dhe prehje në ndonjë temë të re sensacionale sa për t’u dukur, kinse ata janë burimi i ideve, i shpresës dhe të ardhmes, të cilëve u paska penguar dikush tjetër me idetë për paqe, se përndryshe ata do ta kishin përfunduar ,,projektin” e tyre madhor të imagjinuar, të unitetit, çlirimit dhe bashkimit kombëtar e fetar të shqiptarëve.

DERI ATËHERË,
le të përpiqen t’i mbledhin së paku dhjetë fëmijë nga lagjet e tyre, qoftë duke i mashtruar me karamela, e le të bëjnë fotografi të përbashkët për kënaqësitë e veta dhe për ngushëllimin e atyre që ende u besojnë. Kjo është vepra e vetme konkrete që mund ta bëjnë këta tipa për të tjerët deri në ditë dhe kohë më të mira, meqë sakrifica për të tjerët e ka djersën e madhe në ballë, që nuk e përballojnë zemrat e tyre të vogla sa një lajthi!

Eh kjo forca magjike e paqes sa punë u paska prishur këtyre djajve që shohin vetëm zi përpara, mbjellin pesimizëm dhe ndjellin kobe për shqiptarët dhe njerëzimin!

Ruaji Zot këta tipa nga vetja e tyre, meqë të tjerët vetëm mund t’i mëshirojnë!

(2 shkurt 2018)