Shkëndija e Tetovës nuk ka arritur të shkruajë historinë për tu futur në grupet e Ligës së Evropës.

Skuadra shqiptare pësoi humbje edhe në shtëpi nga kampionët e Norvegjisë, Roseborg 0-2.

Tetovarët patën dy raste të shënonin nga pika e bardhë por Ibraimi dhe Emini nuk ishin të saktë.

Kësisoj me rezultat të përgjithshëm pas dy ndeshjeve 5-1, Shkëndija u eliminua.

Pas ndeshjes trajneri Qatip Osmani ka thënë se i vije keq për këtë eliminim.

“Sigurisht se të gjithëve na vjen keq që nuk mundëm të kualifikoheshim në grupet e Europa League. Luajtëm shumë mirë, por, kur nuk shënon, nuk mund të shpresosh më shumë”.

“Përveç shumë rasteve, kishim dy penallti në kohë shumë ideale, si e para ashtu edhe e dyta, që do na jepnin hapësirën e nevojshme për të kërkuar rezultatin e dëshiruar që do të na kualifikonte”.

“Pas humbjes së penalltisë së dytë ra përqendrimi dhe nuk kishim ide si të depërtonim drejt portës kundërshtare”.

“Megjithatë, dua të përgëzoj futbollistët për angazhimin dhe paraqitjen shumë të mirë për më shumë se 65-70 minuta. Jemi të dëshpëruar, por kështu e ka futbolli, jeta vazhdon më tej dhe në tashmë kthejmë përqendrimin drejt kampionatit vendor”, tha Osmani. /Telegrafi/