Mijëra të mitur shqiptarë të moshave 7-17 vjeç kanë ndërmarrë udhëtime të rrezikshme si azilkërkues të pashoqëruar në Europë-një fenomen që nxitet nga papunësia kronike, mungesa e perspektivës dhe humbja e shpresës për një të ardhme më të mirë mes familjeve shqiptare.

Përgjatë 4 viteve të fundit, Shqipëria u identifikua si vendi kryesor i orgjinës në Europë për numrin e lartë të azilkërkuesve. Por vendi i vogël me 2.7 milionë banorë shënon gjithashtu rekord edhe për numrin e të miturve të pashoqëruar që ka eksportuar drejt Europës.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se mijëra të mitur të moshave nga 7 deri në 17 vjeç kanë ndërmarrë udhëtime të rrezikshme, me shpresën se do të gjejnë një të ardhme më të mirë si azilkërkues të pashoqëruar në Europë.

Fenomeni ka prekur zonat e varfra veriore dhe verilindore të Shqipërisë, por edhe periferitë e qyteteve të mëdha si Fieri, Elbasani apo Korça si dhe familjet e zbritura në Tiranë në mesin e viteve ’90.

Destinacionet kryesore mbeten qendrat e shërbimit social në Itali, Francë dhe Britani të Madhe, ku minorenët shqiptarë renditen ndër tre kombësitë kryesore. Të dhënat e siguruara nga Eurostat dhe autoritetet e tjera tregojnë se tre vendet kanë strehuar së bashku rreth 3 mijë të mitur nga Shqipëria.