Berlin, 18 janar – Të paktën katër persona kanë vdekur si pasojë e një stuhie të fuqishme, e quajtur “Friederike” që përfshiu sot mbarë Evropën, duke shkaktuar ndërprerjen e udhëtimeve në Belgjikë, Itali, Holandë dhe Gjermani, bën të ditur atsh.

Italia u godit nga erëra të forta deri në 200 kilometra në orë duke shkaktuar dëme të mëdha në të gjithë vendin, anulime të udhëtimeve me tren dhe anije, mbyllje të rrugëve dhe vdekjen e një personi në rajonin jugor të Kalabrisë.

Gjithashtu, transporti publik u ndërpre edhe në pjesë të tjera të kontinentit.

“Shërbimet e trenit në landin gjerman të Nordrhein-Westfalisë u pezulluan tërësish”, njoftoi sot në mëngjes operatori hekurudhor i “Deutsche Bahn”.

Shërbimet ekspres, në zonat e tjera të vendit janë duke funksionuar me shpejtësi të reduktuar.

Aeroporti i Mynihut ka njoftuar anulimet e fluturimeve.

Gjithashtu, në Saksoninë e Poshtme, në Gjermaninë Veriore, disa zona janë përfshirë nga shtresa akulli si rezultat i temperaturave të ulëta duke shkaktuar aksidente pothuajse çdo minutë”, raporti sot policia.

Shërbimi meteorologjik holandez shpalli alarmin e kuq pas parashikimit të erërave të forta që arrinin në 140 kilometra në orë.

Autoritetet kanë pezulluar sot të gjitha udhëtimet me tren dhe fluturimet.

“Rreth 260 fluturime u anulluan sot në mëngjes, në aeroportin e Schiphol në Amsterdam dhe udhëtarët u paralajmëruan se do të kishte vonesa”, njoftoi aeroporti.

Disa kamionë u goditën nga erërat e forta dhe bllokuan autostradat duke shkaktuar ndërprerjen e trafikut hekurudhor belg.

Sipas agjencisë së lajmeve belge, “Belga” autoritetet kanë njoftuar sot mbylljen e portit të “Ghent”.

Stuhia e fuqishme “Friederike” ka goditur sot gjithë Gjermaninë veriore duke kaluar nga perëndimi në lindje

Shërbimi Meteorologjik gjerman (DWD) paralajmëroi se vendi do të përfshihej nga erëra të fuqishme që arrinin deri në 115 kilometra në orë, që do të godisnin zonat malore si malet e Harz, me një shpejtësi prej 160 kilometra në orë.

Ekspertët kishin parashikuar më pak dëme nga stuhia “Friederike” se sa nga “Xavier”, që goditi Gjermaninë në tetor, duke shkaktuar vdekjen e shtatë personave .

Ndërkohë që , në kontinentin norvegjez , në platformat e naftës dhe gazit në Detin e Veriut u njoftua pezullimi i disa fluturimeve me helikopter si pasojë e stuhive, rrufesë dhe vetëtimave,raportoi televizioni publik NRK.

Të paktën 38 persona u evakuan në Norvegjinë qendrore si pasojë e frikës së përmbytjeve të shkaktuara nga një ortek të martën që çoi në bllokimin e lumit Driva në rrethin Oppdal.

Autoritetet kanë angazhuar një ekip për të bërë të mundur heqjen e shtresave të akullit dhe ë dëborës në këtë zone, duke shpresuar se personat e bllokuar do të mund të ktheheshin deri nesër në shtëpitë e tyre.

Shumë zona të Skocisë, Anglisë veriore dhe Irlandës së Veriut u përfshinë nga goditjet dhe dëbora e rëndë, duke shkaktuar vdekjen e dhjetëra shoferëve.