Postimi i plotë i organizatë URA BLU:

Orientimi kryesor i Shoqatës për Autizëm në Tetovë, është puna me fëmijët dhe përpos kësaj, përgjatë këtyre muajve, ne kemi patur raste për të ndërtuar lidhje me njerëz dhe institucione të ndryshme, kemi patur fatin të takojmë dhe të njohim njerëz të shkëlqyer, nga të cilët kemi përfituar shumë dhe ndihemi mirënjohës. Por kësaj rradhe, ne si Shoqatë duam të shprehim pakënaqësinë dhe endjet tona të pafrytshme në Komunë.

Në Prill të këtij viti, Komuna hapi shpallje për projekte në të cilën edhe ne si Shoqatë aplikuam për herë të parë. U nevojitën 5 muaj që të nënshkruhet kontrata (në Gusht) dhe akoma po endemi duke shkuar për të pyetur kur vallë do të kryhet kjo procedurë.

Arsyet e stagnimit për implementimin e projektit ishin të shumta:
-“Ka Shoqata që ende prej vitit 2014 nuk i kanë marrë paratë, duhet të paguhen ato, pastaj ju!”

– “Ju nuk e dini vajza, si shkojnë disa pune, po të paguhen shoqatat siç kërkoni ju, Komuna duhet të mbyllë dyert!”
-“Ju mund t’i kryeni aktivitetet të cilat i planifikoni, ne paratë do ua lëshojmë më vonë.”

Kjo mënyrë e funksionimit gjatë këtyre muajve dëshmon mungesë të profesionalizmit, kompetencës dhe kaos në komunë, dhe veçanërisht paaftësi të personave përgjegjës në kryerjen e detyrave të tyre.

Duke qenë mirënjohëse për mbështetjen morale, duhet të theksohet se ne aplikuam për mbështetje financiare në implementimin e projektit tonë.