VMRO-DPMNE më 2 qershor në Shkup para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë do të organizojë protestë popullore, paralajmëroi mbrëmë pas mbledhjes së Komitetit qendror të partisë, kryetari Hristian Mickovski.

“Në mbledhje të Komitetit ekzekutiv dhe në mbledhjen e Komitetit qendror e shqyrtuam gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në Republikën e Maqedonisë, i shqyrtuam temat aktuale që do të thonë jetë për qytetarët në Republikën e Maqedonisë. Kjo gjenerata e tretë e politikanëve të VMRO-DPMNE-së mësoi nga gjenerata e parë, u rrit me gjeneratën e dytë dhe si qëllim dhe detyrë themelore i vendosi vetes t’i mposhtë mbetjet nga tranzicioni, ndërsa ajo disfatë do të fillojë më 2 qershor, në orën 20:00, para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë”, deklaroi mbrëmë Mickovski.

U bëri thirrje të gjithë atyre, siç tha, qëllimmirëve, të gjithë ata të pafavorizuar, të gjithë ata të zhgënjyer, të gjithë ata të gënjyer nga ana e Zoran Zaevit dhe politikanëve rreth tij.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve lidhur me organizimin e takimit të liderëve për emrin, Mickovski tha se ishin mjaft të qartë në qëndrimin e tyre se për çështje të këtilla serioze, politikanë përgjegjës, burrështetas të cilët ia mendojnë të mirën atdheut, është logjike të hapin front të konsultimit me çka është e mundur një numër më i madh i grupeve targetore.

Siç shtoi, Mickovski e shfrytëzon mundësinë t’i përgjigjet kryeministrit për ftesën për takim tet-a-tet dhe theksoi se mund ta pranojë, por në vend të kabinetit të kryeministrit, e thirri të përballen në televizion, para qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.

Lidhur me mbajtjen e takimit të liderëve tha se deri në këtë moment nuk është ftuar dhe nuk ka kurrfarë informata për takimin e mundshëm të liderëve.