Shkruan Zeqirija Ibrahimi

“Pushtetet në Maqedoni ndërrohen, ndërsa regjimi, padrejtësia dhe diskriminimi mbetet.
Më 13 qershor 2015 protestuam nënë moton “Për drejtësi”. Nën moton e betejës për drejtësi, kësaj radhe “Drejtësi për Almirin”, do të protestojmë edhe sot (21 mars 2018).

Dallimi i vetëm është se atëherë protestuam kundër padrejtësisë së Zvërleskit dhe atyre që e kishin votuar atë, ndërsa sot do të protestojmë kundër Jovevskit, kundër atyre që e kanë votuar atë, por edhe kundër mbështetësve të atyre.
Historia po na përsëritet – ky paska qenë fati ynë!” ka shkruar Ibrahimi duke e vazhduar me një poezi.

Recital i Malësorit
O, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,
ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët –
n’agoni të përdihet si vigan i vramë.
Unë lugat si hij’ e trazueme,
trashigimtar i vuejtjes dhe i durimit,
endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme
dhe me klithma të pakënaqura t’instinktit.
Mali hesht. Edhe pse përditë
mbi lëkurë të tij, në lojë varrimtare,
kërkoj me gjetë një kafshatë ma të mirë…
Por më rren shaka, shpresa gënjeshtare.
Mali hesht, dhe në heshtje qesh.
E unë vuej, dhe në vuejtje vdes.
Po unë, kur? heu! kur kam për t’u qesh?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?
O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh.
MIGJENI