Pas 108 vite që nga themelimi i alfabetit të gjuhës shqipe, në Maqedoni ende vazhdon të bastardizohet gjuha shqipe në tekstet mësimore në shkollat fillore dhe të mesme.

Gjithashtu në qytetin e alfabetit, pra në Manastir sot mezi mësohet në gjuhën amtare. Mësimdhënësit dhe nxënësit në këtë qytet, ndër vite përballen me çështjen e mungesës së kuadrove, si rezultat, nxënësit një pjesë të lëndëve i ndjekin në gjuhën maqedonase.

Prindërit së bashku më nxënësit dhe arsimtarët disa herë ngritën çështjen e gabimeve të përkthimit, të shtrembërimit të fakteve në tekstet shkollore të cilat tani më shumë vite janë në përdorim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), ende nuk e sheh të arsyeshme që librat e njëjtë të hiqen nga përdorimi.

Por vazhdojnë të promovohen proejkte skandaloze, siç është ai i librave të Kembrixhit. i cili edhe pse u cilësua dhe u vlerësua negativisht, sërish vazhdon implementimi i tij.

Ish Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi disa herë tha se përmbajtja e teksteve shkollore në Maqedoni, përfshirë edhe librin e historisë për vitin e parë është problematike si rezultat i specifikave të popujve që jetojnë këtu dhe kjo gjë duhet të përmirësohet.

Ministrat e arsimit nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria do të takohen gjatë ditës së diel në Manastir për të shënuar ditën e Alfabetit, ku qytetarët shpresojnë që do të bisedohet edhe për çështjen e librave, pasi që tani më një kohë u nënshkrua  Marrëveshja në fushën e arsimit mes MASH-it të Maqedonisë dhe Shqipërisë, dhe ende nuk ka asgjë konkrete se si mund të ndihmojë Shqipëria, Maqedoninë për përmirësimin e teksteve skandaloze.

Ndërkohë nxënësit vazhdojnë të mësojnë me librat skandaloz të stërmbushur me gabime gjuhësore dhe trillime faktesh historike.