Zgjedhjet Presidenciale që priten të zhvillohen gjatë muajit Prill, kanë ngjallur debate të shumta në opinion. Partitë po bëjnë kalkulimet e tyre, po provojnë emra në opinion dhe po debatojnë brenda strukturave të tyre. Bashkimi Demokratik për Integrim edhe kësaj radhe filloi me idenë për president konsensual, por për dallim prej vitit 2014 kur nënkuptohej se ky koncept ka të bëjë më shumë me “president shqiptar”, nga kjo parti kanë ndryshuat qëndrim. Sipas tyre, konsensual do të thotë kandidat i përbashkët mes partnerëve të koaliciomit qeveritar. Mirëpo, ideja e tyre sikur nuk u përkap nga partneri i tyre maqedonas dhe kështu partia shqiptare në pushtet, BDI-ja e Ali Ahmetit, mori vendim për garim me kandidat të tyrin. Ahmeti theksoi se nuk e përjashton mundësinë e koalicionimit me partitë shqiptare, por opozita shqiptare e përfaqësuar nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, ia mbyllën dyert e bashkëpunimit. Opozita shqiptare kërkon që në këto zgjedhje ta demaskojë BDI-në dhe politikat e saj dhe ta fitojnë atë në zgjedhje.
Ndërkaq në BDI, janë krijuar dy rryma. Njëra që përkrahet nga disa ish funksionarë të lartë të kësaj partie, që thonë se BDI duhet me çdo kusht të garojë me kandidat të përbashkët me LSDM-në, me qëllim që të mos rrezikojnë humbjen nga partitë shqiptare dhe të ruajnë raportet me LSDM-në e Zaevit duke menduar edhe për bashkëpunime të ardhshme dhe ruajtjen e pushtetit për më shumë kohë.
Ndërsa grupi i dytë, që ka përkrahjen e anëtarëve më të rinj dhe disa prej funksionarëve të tanishëm, mendojnë se BDI duhet të garojë me kandidat të vetin dhe në rrethin e dytë të bëjë pazar me partitë maqedonase, të cilat do të garojnë në raundin e dytë. Ky grup siç duket po merr përkrahje më të madhe në strukturat partiake, prandaj edhe priten turbullira në organet e BDI-së.
Burime tona, flasin se në qoftë se BDI do të vendosë për dalje me kandidat të vetin, përkrahësit e grupit të parë, që duan koalicion me LSDM-në, mund të bëjnë lëvizje të papritura politike.
Si prijës i këtij grupi thuhet të jetë, Nevzat Bejta, ish kryetar komune dhe ish ministër. Bejta ka përkrahjen e një numri të madh të veteranëve të partisë, madje edhe të Teuta Arifit, Kryetare e Komunës së Tetovës.


Të njëjtat burime theksojnë se Bejta me grupin e tij, e mendojnë seriozisht kalimin në LSDM-në e Zaevit në qoftë se nuk përkrahet ideja e tyre. Dhe kjo lëvizje e tyre pritet të bëhet së shpejti, para se LSDM të nxjerrë publikisht emrin e kamdidatit të President.