Buxheti i universitetit “Nënë Tereza” për vitin akademik 2016-2017 do të jetë vetëm 10 milion denarë. Këto janë shifrat që janë paraparë në rishikimin e buxhetit qendror. Duke qenë një institucion i sapo formuar, në planifikimin e buxhetit të vitit 2016, “Nënë Tereza” paraqitet për herë të parë dhe nuk ka të ardhura tjera as nga aktivitete vetë-financuese, as nga huat apo donacionet.

Ish ministri i arsimit Abdilaqim Ademi në dhjetor të vitit të kaluar, pati deklaruar se ministria i ka paraparë mjetet për përgatitjen e dokumentacionit dhe fillimin e punimeve dhe me këtë, ai kishte thënë se shpreson që deri në maj ose qershor të jetë i gatshëm projekti kryesor dhe më pas të hapet tenderi për ndërtimin e objektit.

Ademi tha se për tërë projektin do të ndahen rreth 20 milion euro dhe pjesërisht do të jetë gati deri në shtator

“Përafërsisht do të kushtojë 15 deri në 20 milion euro, varësisht nga parametrat që do të parashihen”, ka deklaruar ish ministri i arsimit, Abdilaqim Ademi, më 22 dhjetor 2015.

Përveç faktit që plan-projekti për ndërtimin e objektit të universitetit “Nënë Tereza” akoma nuk është gati dhe asnjë gur nuk është lëvizur në vendin ku duhet të nisin ndërtimet, buxheti i ulët është një tjetër tregues që ngre dyshime se ndërtimi mund të mos fillojë edhe këtë vit.

Ndërkohë, ditë më parë, Qeveria mori vendim që mësimi në universitetin e ri, në shtator të fillojë në objektin e ish bankës Komerciale në qendër të Shkupit.