Shkruan: Qamil Xheladini

Pas një heshtje të gjatë, vendosa të shkruaj përsëri sepse nuk mund të tregohesh i shurdhër dhe indiferent kur rreth teje, flitet, uluritet, debatohet, lirohet mburje e patriotizëm për edukatë, arsim, mësim, institucion, sistem, vlerë, vlerësim, tekst shkollor, projekt, reformë me një fjalë kur trazohet populizëm për shkencë, mendjemadhësi për dituri, fjalë boshe për mençuri, institucion për sistem, mjet mësimor (libër shkollor) për sistem, kokëfortësi për trimëri, vizion për “ hajt se ky popull e hanë” e kështu me radhë. Pa dashur të kuptojnë se  arsimi është shkencë dhe nuk lejon lojëra herë Slloveni, herë Kembrixh, herë Norvegji, apo të tipit hajt ta provojmë. Duke haruar se arsimi hakmeret keq dhe gjatë, fundja niveli i përparimit dhe zhvillimit të një populli matet me masën e arsimit cilësor  dhe jo  me injorancë.

Ne në Maqedoni i kemi “ hyrë një beteje të përpjetë” që rrezikojmë për të vendosur risitë dhe politikat arsimore në vendin e duhur. Filluam në mënyrë naive dhe derdhëm para me thasë për: individualizimin e mësimit; mësimin aktiv dhe interaktiv; mësimin hap pas hapi; një nxënës një kompjuter; ndryshimin e planeve dhe programeve mësimore; përsosjen profesionale me copëza të arsimtarëve ( nga joprofesionist), kontrollin e tepruar dhe pamasë  të arsimtarëve nga qendra (qeveria) dhe brendia (vetëqeverisja lokale dhe shkolla,duke nëpërkëmbur edhe autonominë më të vogël të arsimtarëve); forcimin e administratës (në vend të punës dhe cilësisë); dënime për arsimtarët (vetëm për t’i  hesht dhe frikësuar) në vend të motivimit; coptimin e universiteteve ( disperzimi një qytet një fakultet) në vend të rritjes së cilësisë etj. Ne faktikisht ende nuk e kemi marrë veten nga zhgënjimet e vjetra për të filluar me zhgënjime të reja. Gjithë këto zhgënjime, ishin rezultat se mungonte një plan shtetëror për atë se çfarë duhej të ndryshohet e çka duhet të arrijmë me të quajturat “ndryshime”. Pas të gjitha tentativave boshe për ndryshime, te arsimtarët, prindërit, nxënësit, studentët, qytetarët,  lindi mosbesimi dhe frika se institucionet që merren me politikën dhe profesionalen arsimore nuk janë të hapur me ta, apo nuk janë të aftë për ndryshime. Në vend që politika arsimore të ndryshonte mendje dhe sëbashku me institucionet profesionale arsimore, reformatorët, shoqatat arsimore, arsimtarët, lidhjen e nxënësve dhe studentëve, blerësit e fuqisë intelektuale, të analizojë dhe hulumtojë burimet e zhgënjimit, vazhdoi me copëza ndryshimi  herë në sistem e herë në proces të mësimdhënies dhe nxënies pa e dalluar se ku duhet të ndodh dhe pse duhet të ndodh ndryshimi.

Kështu në plan programet mësimor të R. Maqedeonisë për shkollën fillore nëtëvjeçare, u inkorpurua pjesë e planit dhe programeve mësimore  të Kembrixhit (shkencat natayrore dhe matematikë). Futja e programeve të Kembrixhit edhe në shkollat e Maqedonisë, nuk ka kurgjë të keqe sepse bota sot ecën në rrugën e globalizimit dhe jo izolimit të arsimit. Këtu zhgënjimi qëndron në procesin e implementimit të programeve mësimore të Kembrixhit dhe asesi në cilësinë e tyre. E para, implementimi nuk u bë hap pas hapi, por menjëherë u ndërpre realizimi i programeve të lëndëve natyrë dhe matematikë dhe filloi realizimi i programeve të Kembrixhit (që për ndryshimin në arsim është jashtë logjikës). E dyta, programet e Kembrixhit u futën në praktikën mësimore pa u përgatitur arsimtarët profesionalisht dhe metodologjikisht. E treta, pa e kuptuar se në Kembrixh ( dhe shumë vende të Europës dhe botës) këto lëndë mësohen të integruara (shkenca natyrore, shkenca shoqërore, shkeca të artit etj), ndërsa te na një lëndë një orë mësimore. E katërta në Kembrixh ora mësimore zgjat 60 minuta e te na 40 minuta. Në Kembrixh praktikohet mësimdhënie integruese, ndërsa te na mësim lëndor, në Kembrixh kushtet mësimore brenda objektit dhe jashtë shkollës përshtaten me kërkesat e programore, ndërsa te na ndodh e kundërta. Pa analizuar sa duhet se programet e Kembrixhit duhet të realizohen edhe zonat e thella rurale e të pazhvilluara, kështu me radhë. E gjithë kjo katrahurë e pa planifikuar dhe hulumtuar mirë, për metodologjinë e reformës arsimore, është vetëm presion psikologjik dhe jo meritë. Edhe me këtë trazim të planit dhe programeve mësimore, vazhdoi zhgënjimi, panika dhe mosbesimi te arsimtarët, nxënësit dhe prindërit e tyre. Kjo ndodhi meqë politika dhe institucionet profesionale arsimore vazhdojnë me paaftësinë dhe njëmendësinë e tyre të pjellin ndryshime, pa i konsultuar kushtet, mundësitë e shtetit, kërkesat e tregut, arsimtarët si bartës kryesor të procesit mësimor dhe pa ditur se çka dëshirojnë me këtë ndryshim ( edhe pse politikanët dhe disa folës në media e  quajtën arritje të madhe). Ska më keq për arsimin dhe arsimtarët, kur institucionet e ndryshimeve kërkojnë kontroll, dënime, përgjegjësi prej atyre që nuk i pyesin, prej atyre që nuk i dëshirojnë për bashkëpunëtorë dhe prej atyre që nuk u’a respektojnë mendimin! Aq është edhe mjerim për popullin, kur dikush me fëmijët e tyre eksperimenton pa e ditur se çka eksperimenton! Nuk ka ma mjerim për një shtet i cili arsimin e ka fut në labirint e manipulon me emrin  Kembrixh që është simbol i arsimit të botës.

Ciësia e librit shkollor është problem shumë i ndërlikuar, nuk lejon hapësirë për konflikte dhe thashethënie në mes ministrisë, autorit, recenzentit, përkthyesit shtëpisë botuese, nxënësit, prindërit të nxënësit e qytetarit, përkundrazi kërkon bashkëpunim, dije, njohje dhe respektim të standardeve për hartimin e librit cilësor dhe standardeve për vlerësimin e cilësisë të librit shkollor.

Është për të ardhur keq se në praktikën tonë të përditëshme, çdokush e merr të drejtën të flet dhe të shkruajë për librin shkollor dhe cilësinë e tij, pa e ditur se libri shkollor ka standarde dhe pa ofruar zgjidhje konkrete. Të gjitha shkrimet dhe fjalët që janë thanë për librin, mund të grumbullohen vetëm në disa pyetje të tipit: Pse mungojnë libra? Pse lejohen gabime gjuhësore në libra? Pse në libra lejohen përmbajtje ofenduese për shqiptarët? Kush mban përgjegjësi për gbimet? etj. Në anën tjetër, ministria e arsimit, nga presionet e përmendura u kthye në makinë që vetëm përsërite lojëra për tejkalimin e gabimeve, pa e kuptuar kurrë se libri shkollor kërkon zgjidhje totale dhe se këtë zgjidhje mund ta bëjnë vetëm ekspertët si, autorët e arsimuar dhe të ushtruar për hartimin e librit, përkthyesit e arsimuar dhe të ushtruar, hartuesit e programeve mësimore dhe ekspertët për vlerësimin e librit shkollor. Pa kuptuar se e gjithë kjo kërkon themelimin e një institucioni të veçantë që do të merret vetëm me librin shkollor dhe mjetet tjera mësimore dhe se i njejti duhet të mer përgjegjësinë profesionale në raste të mosrespektimit të standardeve për hartimin e librit cilësor dhe mosrespektimin e standardeve për vlerësimin e silësisë së librit. Mungesa e një qendre të tillë, tregon se na si shtet ende nuk kemi kuptuar,se, libri shkollor nuk është problem politik por profesional, libri shkollor nuk është problem partiak por  institucional . Poashtu, nga mendimet dhe veprimet e shumta joprofesionale, libri shkollor u deformua edhe më shumë, sepse ministria ( në këtë rast do të thoja ministri i arsimit), duke ndjekur dhe luftuar gabimet, harroi se libri nuk duhet të ndiqet por duhet t’i plotësojë  standarte si: standarde për përmbatjet; standarde psikologjike; standarde didaktike e metodike; standarde stilistike dhe gjuhësore; standarde artistike (ilustrative) dhe grafike dhe standarde teknike. Harroi se libri ka vlerë edukative, arsimore, kulturore dhe nacionale dhe se në procesin e drejtpërdrejt mësimor ndodhet arsimtari, nxënësi dhe libri e jo ministri.

Në një shtet të varfur si Maqedonia libri falas për të gjithë nxënësit,  është problem në vete dhe shumë trazues. Sepse për të çdo vjet shteti duhet të ndajë mjete financiare që nuk i ka. Në anën tjetër përvoja na mësoi edhe një praktikë të paqenë, se, nëse ministria e arsimit nuk siguron mjete të mjaftuara financiare për botim dhe ribotim të librave, atëherë e zgjatë kohën për botim dhe ribotim prej 3 në 5 vjet, apo bën selekcionim të padrejtë të librave për ribotim. Për librat të cilat nuk ka mundësi finaciare t’i  ribotojë, kërkon fajtorin, herë te drejtori i shkollës, herë te shtëpia botuese, herë te mungesa e kohës, herë i shtrembëron mendimet, duke e fshehur kështu realitetin. Përkundër manevrimeve të këtilla pa kuptim, populli herët apo vonë e kupton realitetin. Kështu, veprimet dhe sjelljet e pakuptim të ministrisë, nxitën kritika të ekspertëve, arsimtarëve, nxënësve dhe prindërve të tyre, se libri shkollor e ka humbur cilësinë dhe se Maqedonia ka gabuar në programin për librin falas, sepse ka treguar më tepër populizëm se mundësi reale.

Libri i cili përdoret gjatë kohë pa ndryshuar, pa plotësime dhe përsosje, pa të drejtën që nxënësi në të të përdor nënvizime dhe simbole të caktuara për koncentrim të mbajtur mend dhe orientim, libri e humb karakterin psikologjik që është motivimi i nxënësit për përdorimin e tij dhe karakterin didaktik që nxënësi të komunikojë në mënyrë të pavarur me librin ( të bisedojë me të). Me një fjalë, në vend që të rritet motivi për përdorimin e librit, rritet konflikti në mes nxënësit dhe librit, kështu nxënësi librin e përdor vetëm kur është i obliguar edhe atë në shtëpi

Shtetet të cilat kanë përvojë të gjatë në zbatimin e programeve për librin shkollor falas, kanë ardhë në përfundim se “shteti nuk duhet të harxhojë para në ato fëmijë prindërit e të cilëve kanë mundësi ekonomike t’i paguajnë librat shkollor”. E nëse libri është falas për të gjithë nxënësit dhe nëse ai ribotohet njëherë në 5 vjet ( sikurse te na), atëherë: libri komplikon procesin mësimor (nxënësit refuzojnë t’i përdorin librat), zhvillohet vetëm ana reproduktive (vetëm të mbajturit mend të fakteve, emrave, numrave), por  jo edhe të menduarit logjik, imagjinata dhe aftësia për të krijuar, humb konkurenca për cilësi (sepse botohet vetëm një libër nga vetëm një shtëpi botuese), nuk është në harmoni me ndryshimet që ndodhin brenda 5 viteve në programe mësimore dhe mjedise ku përdoret libri, libri i grisur nuk përdoret ( ka shkëputje në përmbajtje) etj, shkaraviten, vjetërsohen e humbin anën estetike që për edukatën dhe estetikën e librit janë mjaft shqetësuese.

Qamil Xheladini

Qamil Xheladini