Rreth 600 presona nga Pusteci kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në Kërçovë në zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2013. Këtë numër e konfirmojnë për Alsat burime anonime nga sektori i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kërçovë dhe sipas të njëjtave, për po kaq persona Prokuroria Speciale ka kërkuar materiale hetimore.

“Burimet për Alsat pohuan se bëhet fjalë për rreth 600 persona nga Pusteci të cilët gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, fituan të drejtën e votës duke u regjistruar si banorë të Kërçovës. Sipas po të njëjtave burime, një pjesë e këtyre votuesve kanë të regjistruara si adresa banimi edhe shtëpitë e personave që kanë poste kyçe në institucionet shtetërore në Kërçovë”.
Pas kontrollit të listës elektronike zbuluam që bëhet fjalë për 19 persona të regjistruar si banorë në adresën ku jeton drejtori i Qendrës Klinike të Kërçovës, prej të cilëve vetëm 4 janë me mbiemrin Risteski dhe 18 persona të regjistruar në adresën ku jeton drejtori i Shkollës së Mesme Mirko Mileski në Kërçovë, prej të cilëve vetëm 4 janë me mbiemrin Stojanoski.
Që kanë votuar në Kërçovë, kujtojmë që pohuan edhe vetë banorët e Komunës së Pustecit në Shqipëri.

“Po. Më dhanë letërnjoftim dhe votuam.
Kush ju dha letërnjoftim?
Komuna, nga ta di.
Ku jeni të regjistruar si banorë, në Shkup, në Resnjë, ku?
Në Kërçovë.”

Ditë më parë, ish kryeministri Gruevski hodhi poshtë të gjitha akuzat për votues fiktiv në listën e zgjedhësve të Republikës së Maqedonisë dhe i cilësoi ato si kaos imagjinar të krijuar nga LSDM-ja opozitare.

“Edhe njëherë përsëris. Adresat nuk votojnë, votojnë njerëzit të cilët duhet patjetër të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë. Deri tani nuk kemi vërejtur raste kur dikush të ketë keqpërdorur adresën dhe të votojë në dy vende. Nëse dikush ka vepruar ashtu ai duhet të mbajë përgjegjëse por deri tani nuk kemi vërejtur ashtu rast. Kurse ka njerëz që kanë më shumë banesa, më shumë shtëpi ose kanë ndryshuar vendbanimin dhe e kanë paraqitur ose jo kjo është komplet gjë tjetër dhe kjo është krijim artificial i idesë që ka kaos, parregullsi ose akte të jashtëligjshme, vetëm me qëllim të krijohen alibi për josuksesin e tyre”, tha Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Nga ana tjetër, muaj më parë, vetë anëtari i KSHZ-së Subhi Jakupi tha për Alsat se KShZ-ja është në dijeni për votuesit nga Pusteci që kanë votuar në Kërçovë, Qendër dhe Resnjë por që ky institucion nuk ka mundur të bëjë asgjë, përderisa ata kanë pasur dokumente të vlefshme.