Sot Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë ju bëri apel qytetarëve të Tetovës dhe Gostivari që nëse vërejnë persona të cilët me automjete shkarkojnë qen në Gostivar, Tetovë apo vende tjera të paraqiten në numrin 192 apo të denoncojnë rastet e këtilla.

“Personat që lënë qentë në rrugë apo vende tjera publike do të dënohen, përkatësisht do të ketë aktpadi kundër tyre. SPB Tetovë në koordinim me vetëqeverisjen lokale të Tetovës ndërmerr masa për tejkalimin e këtij fenomeni, me qëllim që qytetarët pa pengesë dhe në mënyrë të sigurt të lëvizin”, thuhet në njoftimin e SPB Tetovë, njofton Telegrafi Maqedoni.

Gjatë ditës së djeshme, qytetarë të Tetovës përmes fotografive në rrjetet sociale alarmuan se ka grupe prej 20 qensh që lëvizin nëpër qytet.