E martë, 30 Prill, 2024
Ballina Gastronomi JAHNI ME BIZELE, RECETA E PËRSOSUR PLOT SHIJE DHE SHËNDET

JAHNI ME BIZELE, RECETA E PËRSOSUR PLOT SHIJE DHE SHËNDET

Një gjellë tipike e përgatitur me perime të ndryshme por që ka një shije të mrekullueshme në secilën prej recetave të saj, siç është edhe jahnia me bizele.

Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës, turshi, djathra të ndryshëm, salcë kosi e bukë të thekur.

Ndiqni më poshtë recetën e vjetër  dhe përgatiteni këtë pjatë fantastike për të mbushur plot shije tryezën në familje.

Përgatitja e Bizeleve Jahni Në Shtëpi

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

1 kg bizele

4-5 thela mish viçi (lloji i mishit sipas preferencës)

2 filxhanë kafeje vaj ulliri

Qepë të njoma

1-2 lugë gjelle miell gruri

2-3 domate

1 lugë gjelle salcë domate

1 karrotë

1 patate

Kripë

Kopër

Përgatitja

Kaurdiset mishi me vaj ulliri, shtohen qepët e grira hollë.

Vijojmë t’i kaurdisim ndërkohë shtojmë karrotat e prera në kubikë, më pas patatet e prera gjithashtu në kubikë.

Shtojmë bizelet, i kaurdisim pak dhe më pas domatet, salcën e domateve, i kaurdisim dhe më pas shtojmë miellin.

Vijojmë t’i përziejmë për pak, në fund shtojmë kripën dhe gjysmën e koprës së grirë.

I lëmë të ziejnë derisa gjella të jetë gati.

Në fund i hedhim pjesën tjetër të koprës së grirë hollë dhe e shërbejmë të ngrohtë.

Vlerat ushqyese

Bizelet janë një burim i pasur i vitaminës K, manganit, fibrës, vitaminës B1, bakrit, vitaminës C, fosforit dhe folatit.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org bizelet janë gjithashtu një burim i mirë i vitaminës B6, niacinës, vitaminës B2, zinkut, proteinës, magnezit, hekurit dhe potasiumit.

Bizelet ndihmojnë duke mbajtur nivelin e sheqerit në gjak nën kontroll. Nëse i shton bizelet në dietën tënde të pasur me fibra, atëherë ke arritur të shtosh përfitimet që merr prej saj.

Bizelet e Ngrira

Ndërkohë, bizelet e ngrira që shiten në treg, kanë një afat përdorimi nga 24 në 30 muajsh.

Por, rekomandimi i ekspertëve është që bizelet e ngrira të përdoren nga 6 në 12 muaj nga data e paketimit për të përfituar maksimalisht nga freskia e tyre.

Sidoqoftë, nuk duhet kurrë të humbësh mundësinë që të provosh ato bizelet e njoma, të sapovjela, që janë më të freskëtat se çfarëdo tjetër./agroweb