Më herët, Sektori për Punë të Brendshme informoi se në Spitalin Klinik të Tetovës është gjetur një person i vdekur dhe se policia dhe prokuroria kanë filluar hetimet për këtë rast.

Mjeku kujdestar në repartin internistik në këtë spital, Nezir Ajruli, për Telegrafi Maqedoni ka thënë se personi në fjalë nuk ka qenë i hospitalizuar në spital dhe as që ka kërkuar ndihmë nga mjekët kujdestarë.

”Personi në fjalë nuk ka qenë as i hospitalizuar e as pacient në repartin tonë. Ne kemi qenë në ambulantë ku kontrollohen pacientët dhe një person i tillë as nuk është paraqitur për kontroll apo ndihmë. Personi që është gjetur i vdekur në spital ka qenë i pastrehë dhe në objektin e repartit internistik është futur për të gjetur vendstrehim. Roja e spitalit e ka gjetur atë në korridor. Përgjegjësisht themi se një njeri i tillë nuk ka kërkuar ndihmë por është futur në spital për t’u strehuar. Sa e kemi gjetur trupin e tij në korridor ne e kemi njoftuar policinë dhe ata e kanë kontaktuar edhe prokurorin kujdestar.” thotë internisti Ajruli./Telegrafi/