Është e trishtuar se ku është katandisur niveli i njërës prej partive që shqiptarët i besuan aq shumë e prej të cilës pësuan kaq shumë… Disa zëra thonë se kandidati i BDI-së është imponuar aq shumë sa kjo parti nuk ka pasur zgjidhje…edhe mund të jetë e besueshme, por prapë është e dhimbshme që disa individë me shenja të pastra klinike, të kontrollojnë një parti të tërë!

Nga Dr. Arben TARAVARI

Që BDI-ja nuk e ka dashur ndonjëherë Gostivarin nuk është as ndonjë gjë që nuk dihet dhe as ndonjë gjë e re. Qytetin që ka ekzistuar shekuj e shekuj më parë se sa BDI-ja të dilte në skenën politike, duket që kjo parti nuk e duron dot dhe i ka një inat të madh! Nuk dihet se çfarë e bën BDI-në t’i urrejë kaq shumë gostivarasit dhe Gostivarin e tyre…ndoshta sepse asnjëri prej këtij qyteti nuk lejon dhe lejoi që të tallen me ta, ndoshta sepse gostivarasit i dalin zot shtëpive të tyre dhe nuk lënë matrapazë të vijnë e të bëjnë përshesh, a ndoshta sepse gostivarasit janë kthyer në shembull të qytetarisë e këtij BDI-ja nuk e kapërcen dot!

Një nga dëshmitë më të mëdha që vërtetojnë urrejtjen e BDI-së ndaj Gostivarit, është kur kryetari i Komunës të qytetit vinte nga radhët e kësaj partie.

Nën regjimin e të deleguarit të saj, u shkruan faqet më të zeza të Gostivarit. Arriti puna derisa qytetarët jetonin në terror e tmerr duke u përballur përditë me natyrën manjako-depresive të ish kryetarit që valëviste flamurin e BDI-së. Nëse gjithë Maqedonia vuante nën regjimin e disa personave të korruptuar që kishin zaptuar pushtetin, Gostivari ishte në terrorin e njërit prej rasteve më klinike të një diktatori. Natyrisht që historia e tij nuk mund të ishte e njëjtë me kolegët e tjerë diktatorë sepse Gostivari banohet historikisht nga një popull i zgjuar dhe trim. Nga ana tjetër BDI-ja e kishte siguruar në mendjen e saj nënshtrimin e Gostivarit, ajo mendonte se me manovrat kriminale që përfaqësuesi i saj po ekzekutonte në qytet, tokat e të mirat e popullit do të ishin përjetësisht në duart e funksionarëve të BDI-së. Dhe parimisht, teorikisht BDI-ja kishte të drejtë të mendonte kështu. Fatkeqësisht të gjitha historitë e diktatorëve në botë janë të gjata dhe tragjike. Duke ngjallur tmerr e panik, duke shkaktuar varfëri ekstreme ndër populli, regjimet i blejnë njerëzve lirinë dhe dinjitetin ndaj është e vështirë tu kundërvihesh…mirëpo teorinë e diktatorit jetëgjatë e përmbysi populli i Gostivarit! Ndoshta këtu nis edhe zanafilla e urrejtjes patologjike që ka BDI-ja për qytetin trim. Kjo parti bashkë me të dërguarin e saj priste që gostivarasit të ulnin kokën, të zbatonin urdhra, të falnin tokat e tyre për fabrikat e funksionarëve, të lindnin fëmijët për t’i nisur mërgimtarë, të punonin për një kafshatë bukë duke parë se si diktatori dhe shpura e tij shëtisnin çdo javë me makina të ndryshme…e thjeshtë…NUK NDODHI KËSHTU!

Gostivarasit u çuan në këmbë si shumë herë gjatë historisë dhe e rrëzuan diktatorin që ndërkohë kishte nisur të delironte e të maste veten me njësinë e karatit…BDI-ja e humbi shumë shpejt nga ç’e priste betejën e saj me qytetin e urtë që shtrihet në Pollog!

Mundja e BDI-së u festua si ngadhënjim i popullit ndaj të regjimit dhe me të drejtë. Ikja e një diktatori është ngjarje që duhet kujtuar gjithnjë, duhet futur në librat e historisë e duhet mësuar nga çdo brez, në mënyrë që vetëdija e të ardhmes të kujtojë me mirënjohje trimërinë e etërve të tyre.

Me përzënien e diktatorit nga qyteti u mendua se mund të rehabilitohej dhe vet BDI-ja. Me mua të parin që po shkruaj këto radhë. Mendova se pavarësisht gjithçkaje që kishte ndodhur, BDI-ja mund të rifillonte një ristrukturim të sajin. Kjo sepse njoh disa njerëz të ndershëm e miq që janë pjesë e kësaj partie e nuk meritojnë këto njolla turpi, dhe e dyta sepse unë nuk i shoh partitë e tjera si kundërshtare por si kolege me të cilat parimisht duhet të na lidh ideali që qytetarët të jetojnë më të mirë…por si duket është e pamundur të kesh vizion evropian për disa parti që ende e shohin botën të vogël e të ndarë…

Tash që na ndan pak kohë nga zgjedhjet lokale, BDI-ja ka bërë gjestin më ofendues, më përçmues, më armiqësor ndaj Gostivarit!

Nga radhët e saj ka shpallur për kandidat për kryetar Komune të njëjtin diktator që e çoi popullin në gjendje mjerimi!!!
Ky është një ofendim skandaloz që BDI-ja i bën gostivarasve dhe qytetit të tyre.

BDI-ja është kthyer në peng të dy-tre emrave që kanë 20 vjet e rrotullohen në skenën politike a thua se kaq veta ka e gjithë partia.

Është e frikshme sa e tmerrshme të mendosh se kjo është hera e PESTË që kjo parti kandidon të njëjtin person. Mendoni! Për 20 vite me radhë partia e BDI-së i jep Gostivarit të njëjtin njeri, të njëjtin person që e shkatërroi qytetin e tyre!!! Si është e mundur një absurditet i tillë?! Si është e mundur që një parti të ofrojë të njëjtin emër prej nga themelimi i saj?! Çfarë është kjo kokëfortësi malinje ndaj popullit të Gostivarit, ky karshillëk i hapur, ky inat i shfaqur kaq qartë?! Si mundet që për 20 vjet BDI-ja të mos gjejë askënd nga radhët e saj për të zëvendësuar njeriun që populli e votoi si të padëshiruar në krye të Komunës?! Duket sikur slogani i BDI-së për Gostivarin është: nuk meritoni asgjë më shumë se një diktator…

Oferta e kësaj partie është një sfidë e hapur me popullin! Pa respekt për vuajtjet epike që i zgjedhuri i saj ka shkaktuar në Gostivar, BDI-ja duket se ka shpallur Luftë të Hapur me qytetin se sa një kandidaturë!!!

Në vend që të kërkonte falje e të distancohej nga terrori i pashembullt i një diktatori sui generis, kjo parti merr pozitën e tij duke e ulur veten në nivelin e një personi non-grata si është kandidati i saj në Gostivar.

Kjo ofertë ka dhe një dimension tjetër që ia rrit peshën e fajit. Si e përmenda më lart, në degën e BDI-së në Gostivar unë njoh njerëz të ndershëm, që i kam miq e gëzoj respekt. Këta anëtarë të BDI-së kanë 20 vjet që janë peng i një personi të vetëm!

Dikush do të thoshte- po mirë o Arben, ty mirë të bëhet, se kështu do e kesh më të lehtë për të fituar zgjedhjet…- teknikisht ka të drejtë çdokush që mendon kështu, por puna është se unë gjithnjë kam dashur të fitojë Gostivari dhe në këtë kuptim do të isha shumë i lumtur nëse do të kisha një koleg të denjë nga partitë e tjera. E di që atmosfera politike këtu në Maqedoni është veçse një treg i egër ku oponentët urojnë vdekjen politike për njëri-tjetrin, por unë nuk do heq dorë kurrë nga perceptimi im që i sheh partitë e tjera jo si rivale por si kolege. Ndoshta ky vizion që kam është ende i pakuptueshëm për disa parti, sepse janë ende në fazën që e mendojnë pushtetin si “arën e babës” mbi të cilën kanë të drejtën e pronës, por jam i bindur që brezat që do të vijnë do ta kuptojnë punën e partive si disa organizata që duan t’i shërbejnë popullit. Suma sumarum…BDI-ja ka sharë gjithë gostivarasit me kandidatin e saj! Të gjithë ata që janë përndjekur prej tij, varfëruar, turpëruar, deri edhe përzënë nga shtëpitë e tyre, BDI-ja i thotë- mirë ju a ka bërë! Edhe më keq meritoni!

Është e trishtuar se ku është katandisur niveli i njërës prej partive që shqiptarët i besuan aq shumë e prej të cilës pësuan kaq shumë… Disa zëra thonë se kandidati i BDI-së është imponuar aq shumë sa kjo parti nuk ka pasur zgjidhje…edhe mund të jetë e besueshme, por prapë është e dhimbshme që disa individë me shenja të pastra klinike, të kontrollojnë një parti të tërë!

Gjithsesi, Gostivari do të vazhdojë rrugën e tij, ne jemi gostivarasit e urtë e të paqtë por sigurisht të mençur e trima qē nuk bëhemi kurrë dhe asnjëherë qengj i askujt që do të na bëjë kurban! Ne i përkasim veç Zotit dhe njëri-tjetrit! Arritjet tona këto vite na kanë rreshtuar krenarisht si qytetin më të mirë ndër qytetet shqiptare dhe në tërësi! Jemi të qartë në rrugën tonë! Do të respektojmë çdo kandidat që do të futet në garë por pa asnjë dyshim do të Respektojmë e Mbrojmë të Parën Vendlindjen Tonë, Qytetin Tonë, Gostivarin!