Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë për emisionin “Fair Play” në “News 24”. ka analizuar arritjet e vitit 2016 si dhe ka folur për largimin e zv. trajnerit dhe drejtorit teknik të kombëtares shqiptare, Paolo Tramexani. Në fokusin e intervistës ka qënë dhe e ardhmja e trajnerit të kombëtares, Xhani De Biazi, si dhe edicioni kualifikues i Kupës së Botës “Rusi 2018”.

“Ndoshta edhe për vetë Tramexanin ishte disi e papritur. Kur e mori ofertën, na njoftoi duke na thënë ‘kam dëshirë që të nis një karrierë të re dhe do ta provoj nëse ju më jepni këtë mundësi’. Me keqardhje, por nuk e penguam. Kjo, pasi ai ka qenë një person simpatik, i cili gëzonte respektin e të gjithëve dhe ka kontribuuar shumë. Ka qenë një asistent i rëndësishëm dhe një urë lidhëse e trajnerit me futbollistët. Me gjithë cenimin e interesave tona, nuk e gjykuam të drejtë që t’i pengojmë karrierën”,- u shpreh Duka.

I pyetur nëse italianit iu vu si kusht jetesa e përhershme në Shqipëri, Duka përgjigjet: “I kemi kërkuar që të qëndrojë në Shqipëri për të bërë detyrën e drejtorit teknik dhe, nëse nuk do të pranonte që ta bënte këtë, do të qëndronte asistent pa asnjë lloj cenimi. Detyra e drejtorit teknik nuk mund të bëhet me korrespondencë”.

Kreu i FSHF-së foli edhe për pagën e fundit të Tramexanit, ndërsa hodhi poshtë fjalët që nuk e ka marrë. “Ndarja është bërë sipas kërkesës së Tramexanit. Çdo gjë është normale, ndërsa të tjerat janë hamendësime njerëzish që kanë qejf të thonë barsoleta”.

Por a është e ardhmja e trajnerit të Kombëtares, Xhani De Biazi në pikëpyetje? Kreu i FSHF-së thotë se edhe me të do t’i përmbahet kontratës, ndërsa shton se nuk do ta pengojë nëse ka oferta të tjera.

“De Biazi është në një kontratë me ne dhe nuk besoj se do ta shkelë. Ne do të kemi të njëjtën qëndrim edhe me të nëse do të ketë një kërkesë për të provuar një aventurë të re, sepse kështu ka qenë marrëveshja me të që nga fillimi. Nëse ne do të vendosim për të vazhduar apo jo kontratën, nuk mund ta them sot, sepse jemi në gjysmën e rrugës së eliminatoreve të Botërorit. Dhe duhet të shohim deri në fund. Unë uroj shumë që të vazhdojë, pasi kjo do të thotë që do të ketë rezultate të mira, do të thotë që ne do të kënaqemi me punën e tij dhe me atë që do të dhurojë ekipi kombëtar”.

Marrëdhëniet me De Biazin, Duka i cilësoi korrekte, por nuk mohoi ta ketë edhe mik. “Po të mos ishin, nuk kishim pse të vazhdonim. Jam në raporte pune, por duke punuar prej pesë vitesh me një njeri, lindin edhe raportet miqësore. Edhe pse nuk duhet të ndodhë, pasi raportet duhet të jenë zyrtare, lind edhe miqësia, sepse natyra e një italiani është që afrohet shumë. Është pjesë e historisë së jetës sime. Europiani është një nga ngjarjet më të rëndësishme për jetën time dhe, duke qenë që është një nga aktorët kryesorë, nuk mund të mos jetë”. Kemi dhënë më të mirën. Ne kemi performuar nën mundësitë tona”.

Në lidhje me kualifikueset për Botërorin 2018-të, De Biazi thotë se ekipi nuk e menaxhoi mirë suksesin e arritur gjatë europianit. “Kam parashikuar që mund ta fillonim keq këtë edicion kualifikuesesh. Sepse pas suksesit dhe, pasi u bë një ekip i dashur për shqiptarët, duhet të dish ta përballosh presionin që mbart diçka e tillë. Nuk e menaxhuam mirë suksesin. Gjashtë pikë në katër ndeshje, nuk mund të thuash as që janë shumë dhe as që janë pak”.