Letër e hapur nga; Safet HYSENI

U vërtetua se MO është një shtrat i ngushtë ku njëri përherë duhet të jetë përfund. Po flisni se shqiptarët janë shtetformues dhe zot në tokën e tyre, dhe këtë e bëni me monolog, por na e thoni ku ta lexojmë këtë nen kaq të mirë. Unë mendoj se shqiptarët ende nuk e kanë arrit statusin e tyre juridik të vitit 1974.

Këtë letër të hapur ua drejtoj ish shokëve të mi tani (14 vjet) funksionarë të lartë partiak, qeveritar e deputet: z. Ali Ahmeti, z. Musa Xhaferri, z. Tahir Hani dhe z. Xhevat Ademi. Opinioni duhet ta dijë se përse u përcaktova për emrat e lartpërmendur?! Me z. Ali Ahmeti kemi dy betime të përbashkëta një në vitin 1982 dhe tjetrin në vitin 1984, ndërsa pas Luftës së Kosovës sërish bashkëvepruam deri në përfundim të Luftës në Maqedoni (sipas tyre konfliktit) Me Musa Xhaferin jemi betuar në vitin 1982. Me Tahir Hanin kemi pas veprimtari të përbashkët dhe i kemi takuar një grupi. Me Xhevat Ademin një kohë kemi vepruar në Shoqatën e ish të BDPSH. Botimi i kësaj letre mendoj se do i kthjellë të lartpërmendurit për të ndryshuar rrugën ose për të pushuar aktivitetin e dëmshëm politik.

Për këtë arsye dua të hap publikisht një debat duke sjellë shqetësimet e mia si shqiptar për gjendjen e popullatës autoktone në IRJM. Rasti i Kumanovës e vërtetoj bindjen time se parimi i tyre është që me çdo kusht të jenë në pushtet; andaj arsyet që do radhis janë njerëzore, humane dhe kombëtare. Kur them njerëzore kam parasysh përgjegjësin, ndërgjegjen, moralin, sinqeritetin… dhe të gjithë punën që individin (politikanin) e bëjnë njerëzor. Humane është kursimi i jetës e cila është dhuratë e Zotit, sigurinë e saj, solidaritetin, ndihmën, prania në të keqe e të mirë, bashkëveprimin, distancimin nga e keqja, krimi, komploti, kurthi etj.

Me kombëtaren mendoj avancimin e të drejtave nacionale, kulturore, sociale, arsimore, kulturore… duke i bashkërenditur në bazë të kërkesave dhe zhvillimeve kohore. Unë si shumë qytetar që flasin e mendojnë shqip jam tejet i shqetësuar për pozitën e popullatës autoktone shqiptare në IRJM, dhe dua të hap një debat të cilin subjektet politike shqiptare e kanë mbyllur me teoritë e tyre konspirative duke mbajt gjallë njëra-tjetrën me propagandën e armiqësimit të shqiptarëve. Mënyrë tjetër për të debatuar me ju ish shokët e mi nuk munda të gjejë pasi që ju tash 14 vite po rrihni gjoks për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe statusin e tyre juridik, por kjo ndodh me monologun që bëni nëpër fushata zgjedhore, në mjete të paguara informative, nëpër oda të mbyllura e zyra partiake dhe si duket e keni bind veten tuaj me atë që thoni. Nëpër fushata flisni si çlirimtar, e pas përfundimit të tyre i shërbeni regjimit kriminel (pasi bëni marrëveshje me shefin e sigurimit).

Me këtë rast po iu bëjë një pyetje: Ç’është çlirimi për ju? Si e kuptoni? Dua hapur të ma shpjegoni. Pasi u marrin ndër sqetull, ju fshihej nga populli në gë- zofin e ngrohtë të qeverisë së huaj të cilën e përfaqë- soni denjësisht në materializimin e projekteve antishqiptare. Përse them të huaj?! Se dajaku është shtuar në peshë. Për ata që dinë të lexojnë e shkruajnë, shqiptarët në IRJM janë qytetarë të rendit të tretë, pa emër dhe llogariten në mënyrë matematikore me përqindje nga ajo e famshmja MO (që ju thoni se është realizuar 98%, e të drejtat nacionale paskan përfunduar). U vërtetua se MO është një shtrat i ngushtë ku njëri përherë duhet të jetë përfund. Po flisni se shqiptarët janë shtetformues dhe zot në tokën e tyre, dhe këtë e bëni me monolog, por na e thoni ku ta lexojmë këtë nen kaq të mirë. Unë mendoj se shqiptarët ende nuk e kanë arritur statusin e tyre juridik të vitit 1974, status që ishte shumë më i avancuar në një shtet prej 22 milion banorësh, ndërsa në këtë shtetin e tashëm (atdheun tuaj), shqiptarët janë gati të barabartë me numër frymësh.

IRJM është aq e vogël sa brenda ditës mund t’i biesh rreth e përqark dhe sërish dark- ën ta hash në shtëpi, por për shqiptarët është tejet e paparashikueshme me rrezikshmëri të lartë për jetë. Dhe ja që ky shtet kaq i vogël me popullsi të dyshimtë e histori fallco me ju në bashkëqeverisje ka arrit që shqiptarët t’i shndërroj në qytetarë të rendit të tretë (pas bashkësive të tjera etnike që nuk i rrezikon me marrje jete e montime veprash). Ne, na ka objekt eksperimental, me ne mund të bëjë çka të dojë, të na shpallë armiq e terrorist, të na rrah rrugëve, maltretojë, diskriminojë, madje sa herë t’i kujtohet mund të na shpall luftë pas gjysmës së natës dhe të na terrorizojë, vrasë, plaçkisë, burgos dhe kjo ndodh me bashkëqeverisjen e ish shokëve të mi të idealit. Tash më erdhi një pyetje. Ç’është ideali?!! Mos është kolltuk, makinë, belkëputur, para… apo një diplomë, diplomë injorance…

Do largohem nga ideali dhe do flas më shtruar, merreni sikur bisedojmë në një odë, se ju me ardhjen në pushtet e mbyllët çdo debat me ish shokët dhe më të gjitha ata që nga viti 1960 deri në vitin 1990 kishin bërë 15578 vjet burg. Mirëpo, kjo u kuptua shumë shpejt se me bashkëqeverisjen e juaj u thye ky rekord dhe atë për afat më të shkurtër. Idrizova flet shqip, ju i tejkaluat 15 shekujt e vuajtjeve të shqiptarëve në sistemin komunist (ju me dënimet e shqiptarëve shënuat rekord për librin e Ginisit), madje nuk dihet ata që i dënoni me burg të përjetshëm a kanë të drejtë të varrosen jashtë (mendoj pasi të ndërrojnë jetë)?!!

Mos është Idrizova “Hotel shqiptarësh”! Eh, ku do flitet gjuha shqipe si mos flitet atje?!! Ju në agjendën tuaj e keni si pikë të shtatë, Zoti pasi krijoj botën ditën e shtatë e shpalli pushim. Dëgjoj ndonjëherë se kërkoni kryetar shteti shqiptar dhe çuditem! Çfarë demagogjie me popull. Po ne kishim kryetar të RSFJsë a e mbani mend Sinan Hasanin dhe këtu në IRMJ kryetar të Kuvendit, 38-te kryeministra në Perandorinë Osmane, disa Perandor në atë Romake, por ç’dobi kishin shqiptarët?! Në të kaluarën kur ne thoshim se “kuislingët shqiptarë” si Sinan Hasani (që bëni foto me mbi 300 burra shtetesh kur burgjet jugosllave ishin përplot shqiptarë atje në Harare), Ali Shukriu e të tjerë po na shpallnin “irredentist”, “separatist”, “nacionalist” dhe na dënonin, tani ju me qeverinë tuaj shqiptarët i shpallni terrorist dhe i dënoni (nuk kam dëgjuar të distancohet ndonjëri nga ju). Ky shekull i flet atij shekulli zi e ma zi duke ia shkelë syrin. Ju jeni dhe vazhdoni që të jeni pjesë e Qeverisë, e një qeverie që vret, vjedh, sakaton, burgos vetëm shqiptar (madje lavdërohen në bisedat e tyre). A nuk iu vije keq që të pafajshëm kalben burgjeve?! Nëse vërtetë shqiptarët janë të çliruar të paktën si ata në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe janë një popull me një histori dhe kulturë dhe kanë prirje terroriste përse atëherë në Shqipëri nuk ka të dënuar për vepra të tilla?!!

Po në Kosovë nga viti 1999 përse nuk dënohet asnjë terrorist?! Terrorizëm ka, nuk e mohoj këtë. Ose janë ata që vuajnë dënimin ose janë ata që ua kurdisin. Në bazë të përgjimeve janë ata që i dënojnë, madje e pranojnë dhe lavdërohen. Përse nuk kërkoni llogari për montimet, kurthet, vrasjet që iu bëhen shqiptarëve. Liria që ju aq shumë e përmendni është “Nuse”, e them me kuptim figurativ. Nuk është e virgjër, por nuk është plakë se e humb kuptimin e të qenit e dashur. Liri të virgjër nuk ka. Kur jemi te “Liria” dua të di. Ç’është “Liria” për ju? A mund të ma shpjegoni, dhe a e kanë shqiptarët Lirinë e fituar, apo nuk duan të jenë të lirë. Mendoj se Liri të virgjër kanë vetëm sllavomaqedonët, prandaj veprojnë ashtu si veprojnë se nuk ia dinë vlerën, që ju nga mosdija apo nga zë- nia ngushtë i quani popull antik e fëmijët tanë mësojnë gënjeshtra. Me qeverisjen tuaj të përbashkët falsifikohet shkenca në dëm të shqiptarëve. Populli iu ka besuar të thoni të vërtetën, nëse s’e dini shkoni. Ju thoni se kemi Flamur dhe Universitet.

Edhe Kosova kishte Flamur dhe Universitet madje edhe status më të avancuar (Pokrain), por deshën aq sa kishin të tjerët, a dini si i quanim udhëheqësit e atëhershëm që na thoshin se na e prishini qetësinë?!! Me siguri e dini. Ju me formimin e BDI-së çështjen kombëtare e paraqitët të kryer e të përkryer. Por duhet ta dini se “Idenë e Bashkimit Kombëtar” nuk mund ta vrisni, kush ka qit pushkë në idealin e të rënëve historia ia ka caktua vendin. Ju çështjen kombëtaren e shndërruat në interesa grupore e klanore, ndërsa materializoni një shtet të paqenë në territoret shqiptare, një shtet që kurrë s’ka derdh gjak për Liri, një popull që është formuar aksidentalisht, një popull flamuri i të cilit kurrë nuk është përgjakur. Përse e them këtë?! Po kujt i shërben dhe ç’është BDI?! Në BDI gjetën strehim ish udbashët e vjetër e të rinj, matrapazë, hajna, kodoshë, servilë, antikombë- tar të përbetuar… deri te injorantët që nuk kanë ditë të gjejnë derën e shtëpisë së vet, e sot i keni bërë doktorë shkence … Ju doni që të integroni një popull me kulturë të lashtë në një fallco popull që është produkt i Titos, dhe këtij produkti i shërbeni përulësisht deri në thembër të turpit.

Populli që i pari i është lutur Zotit te Orakulli i Dodonës, si mund të integrohet te ata që vrasin pengje lufte. A e dini kur ranë heroikisht dëshmorët Rexhep Mala e Nuhi Berisha. Me siguri po, se ne shpërndanim pamflete. Jugosllavia ishte fuqia e tretë në Evropë, ajo bëri luftë vetëm me dy dëshmorët që dhe ju e dini se nuk dorëzoheshin, edhe në Maqedoni asaj kohe policia plagosi veprimtarin Rafi Halili, por dhe ai nuk dorëzohej, ndërsa sot?!! Asaj kohe jemi dëshmitar se nuk ia futën flakën asnjë shtëpie, policia nuk shqetësoi asnjë familje, nuk traumatizoi asnjë fëmijë, nuk rrahu asnjë plakë apo plak, nuk hoqi rrëshqanas asnjë grua apo nuse.

Nëse ju kujtohet rasti i vrasjes në burg (CZ) të Beogradit i dëshmorit Zija Shemsiu (me siguri po se shpërndanim pamflete). Ai ndërroj jetë nga torturat. Thoshim se më mirë kalohet në burgjet e Kosovës se aty torturuesit janë shqiptar. Ju miqtë e mi “çlirimtar” ku i keni torturuesit shqiptar? Apo në një popull me prirje terroriste nuk gjeni të tillë e t’i dërgoni në Shutkë, që pengjet të torturoheshin nga shqiptarë, besoj se jeta do iu kursehej. Çfarë qeverie është ajo që në këtë shekull vendos të vras pengje duarlidhur?!! Kush e ka këtë të drejtë dhe me cilin nen i merret jeta njeriut?!! Ju që i thoni popullit se është i çliruar a i numëroni rastet e shumta të shpalljes së luftës lagjeve shqiptare. Në cilin shtet të botës bëhen arrestime me luftë? Unë dua ta di (mbase kam të drejtë ta dëgjoj nga ju). Në ish RSFJ kur arrestohej dikush i dërgohej ftesë, ose kur paraqitej si rast me rrezik vinin pa ftesë, por me tre dëshmitarë civilë kur bënin kontroll ideologjik. Ju si i bëni arrestimet?

E rrethoni një lagje apo një fshat me “luana”, “tigra”, “ujq”, “alfa” dhe me gjithë arsenalin e mundshëm ushtarak për të zënë një “terrorist”. Më vije keq se ju as që dini se çka ndodh, dhe atë padronin e juaj asnjëherë se keni pyet se çka na duhen gjithë këto formacione me komandë e komandantë të dyshimtë?!! Mu për këtë unë do u kisha lut që fjalën “çlirim” dhe “liri” mos i përdorni në të ardhmen, ose dilni në popull dhe përjetoni lirinë e vërtetë. Më mirë është të shkoni nga politika, se dhe ashtu nuk dini ta bëni, madje lirinë dhe mirëqenien tuaj ia varni popullit për hallkës së burgut. Asaj dite kur të shkoni nga politika do e shihni se çfarë lirie i keni sjell, mbase e dini dhe tash por unë mendoj se ju jeni të lidhur lurek. Besoj se jeni shumë keq, për atë iu lus të shkoni se e tepruat. Në një vjetorin e themelimit të BDI-së u vra në derë të shtëpisë një femër shqiptare, pastaj studenti nga Kosova, u vranë shumë komandantë që nga Struga, Tetova, Shkupi… Ndodhi Sopoti, Brodeci, Kumanova… (ju asnjë fjalë asnjë distancim).

Ka shumë për t’iu thënë por unë e pata qëllimin të hap një debat me ju. Unë dua që ju të shkoni nga politika edhe pse kokëvarur se këtij populli të “çliruar” vetëm dhimbje e lot i keni sjell. Mos pritni që të shkoni ashtu si erdhët. Pas gjithë këtyre që kanë ndodhur me shqiptarët nuk e di arsyen se përse lëvdohej këtej, aty, atje… Me punë të palodhur keni materializuar një shtet që kishte dy referendume popullore të barabarta që në histori maten si kapitale kombëtare. Unë mendoj se shqiptarët mund t’i kontribuojnë vetes dhe të tjerëve vetëm si të bashkuar dhe të barabartë, ndryshe ata çdo herë do akuzohen si destabilizues. Shqiptarët u mashtruan nga PPD nga PDSH dhe tani nga BDI. Ka me dhjetëra rrugë që ata të jenë të barabartë, pa shkrep asnjë fishek por ju duhet të ikni sa më shpejt, se ju i mbyllët të gjitha shtigjet me patriotizmin e juaj. Me ju shkon dhe PDSH-ja se ju e ushqeni, jeni të lidhur nga një shërbim, ndërsa ushqehej nga populli. /Gazeta Epoka Shqiptare/