Në Prishtinë ka përfunduar protesta e thirrur nga tri subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Liderët dhe përfaqësuesit e partive opozitare i kanë mbajtur fjalimet e tyre para protestuesve, duke bërë thirrje për dorëheqje të qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se Qeveria e Kosovës ka afat të japë dorëheqje deri më 27 shkurt, përndryshe, sipas tij, protestat nuk do të ndalen.

Organizatorët e kanë paralajmëruar protestën e radhës për këtë të premte, në rast se Kuvendi i Kosovës atë ditë provon ta zgjedhë presidentin e ri.

Të mërkurën, disa dhjetëra mijëra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes për, siç është thënë, protestë masive, të organizuar nga tri partitë opozitare.

Marshi i protestuesve ishte nisur nga hapësira në afërsi të Bibliotekës Kombëtare, në orën 14, për të vazhduar përgjatë sheshit ‘Nëna Terezë’, e deri te sheshi ‘Skënderbe’, në afërsi të objekteve të institucioneve të larta, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, ku është mbajtur manifestimi qendror i opozitës.

Shumë qytetarë që morën pjesë në protestë janë transportuar nga qytete e mjedise të ndryshme të Kosovës.

Liderët opozitarë kanë theksuar se numri i madh i qytetarëve të tubuar në protestë tregon se “Kosova më nuk do të durojë të udhëhiqet nga njerëz që e kanë shkelur Kushtetutën”, duke aluduar në kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën dhe zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi.

Ata kanë theksuar se “protesta është e qytetarëve, ashtu siç është edhe shteti i Kosovës dhe ky është kuorumi i vërtetë”.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, e cila që më parë pati paralajmëruar se ka bërë planin për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, si dhe për të siguruar rendin publik, u shfaq e mobilizuar për zbatimin e këtij plani.

Forca të mëdha të Policisë së Kosovës ende janë të vendosura para objekteve të institucioneve të larta, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, si dhe në disa rrugë që ndërlidhen me sheshin Nëna Terezë.

Në ditën kur po shënohet përvjetori i tetë i pavarësisë së Kosovës, opozita po proteston me kërkesën për largimin e qeverisë së vendit, dhe që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, për të kundërshtuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht 2015, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe marrëveshjen me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare.