Deklarata e kryeministrit Nikolla Gruevski se ka marrë besën e Ali Ahmetit që BDI do të marrë pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit me ose pa LSDM-në, ka shtuar revoltën brenda kësaj partie ndaj Ahmetit.

“Si ka mundur Ahmeti t’i japë besë Gruevskit pa u konsultuar me organet partiake. Pse interesi i VMRO-së është më i rëndësishëm për Ahmetin se sa interesi i BDI-së. Pse Ahmeti nuk po i jep besë Zaevit që po përkrahet nga ndërkombëtarët për rrëzimin e regjimit të Gruevskit, por i jep besë vetëm Gruevskit? A mos i ka premtuar Gruevski ndonjë lehtësim Ahmetit për aferën ‘Magjar Telekom’, pyet një zyrtar i BDI-së, duke dashur të mbetet anonim. Ai paralajmëron se së shpejti edhe publikisht do ta shprehë revoltën ndaj kësaj gafe të Ahmetit.

Ndryshe një ditë para se Gruevski të njoftojë se ka marr besën nga Ali Ahmeti për zgjedhjet e 5 qershorit, gazetari serbo-maqedonas i afërt me qeverinë VMRO-BDI, Dragan Pavvlloviq-Llatas ka shkruar se VMRO-DPMNE është subjekti që i ofron mbrojtje Ahmetit, nga kërcënimet e kosovarëve pas konfliktit të 9 dhe 10 majit në Kumanove.

Paraqitjen e mbrëmshme të Gruevskit ku flet edhe për besën e marrë nga Ahmeti, mund ta përcillni kah fundi i videos më poshtë, respektivisht nga 1 orë e 33 deri në 1 orë e 40 minuta./Lajmpress