Kryetari i ri i Kuvendit Talat Xhaferi pret që vendimi për zgjedhjen e tij të publikohet së shpejti në gazetën zyrtare. Ish kreu i Kuvendit Veljanovski nuk pranoi t’i dorëzojë zyrën Xhaferit. Në këtë zyrë Nikolla Gruevski me deputetët e VMRO-së u mblodhën për të publikuar masat. Nga ana tjetër Kuvendi sot është rrethuar nga forca policore pas paralajmërimit për rikthimin e protestave.
 

Deputeti i BDI-së Artan Grubi deklaroi për gazetarët se shumica parlamentare ka arritur në Kuvend prej orës në mëngjes. Shumica parlamentare i ka dërguar letër sekretarit të Kuvendit për t’i mundësuar Xhaferit zyrë dhe të gjitha kushtet administrative për fillimin e punës.

“Letra deri te sekretari është vulosur dhe arkivuar. Sekretari ka kthyer përgjigje të vulosur dhe të arkivuar se kushtet do të mundësohen kur vendimi për zgjedhjen e Xhaferit të publikohet në gazetën zyrtare. Tani presim publikimin në gazetën zyrtare sipas të gjitha procedurave ligjore”, tha Artan Grubi.

Grubi tha se ato nuk kanë asnjë lloje kontakti me deputetët e VMRO-së dhe kërkoi që sa më shpejtë deputetët ta lirojnë kabinetit e kreut të parlamentit në Kuvend.

Ndërkohë deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshoski përmes një fotoje të publikuar në rrjetin social Facebook së bashku me deputetët e tjerë, liderin e partisë së tij Nikolla Gruevski dhe ish kryeparlamentarin Trajko Veljanovski të gjithë të ulur në kabinetin që i takon kreut të Kuvendit ka numëruar masat që do të ndërmerren dhe pozicionet e partisë.

Deputetët e koalicionit “Për Maqedoni më të mirë” sot në Kuvend i riafirmojnë pozicionet si vijon:

Çdo deputet ka mandate dhe detyrë të respektojë dhe të mbrojë Rregulloren e Kuvendit, Ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë

Asnjë ambicie politike të cilido politikan apo parti politike, asnjë Platformë e vulosur në shtet të huaj, nuk e jep të drejtën e shkeljes së procedurës që parasheh Rregullorja si pjesë e demokracisë në Kuvend.

Tentimi për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit përmes shkeljes së Rregullores dhe Ligjeve është joligjor dhe asnjë presion politik nuk mund ta mbulojë këtë

Kundër deputetëve Muhiq dhe Misovski, të cilët ndërmorën veprime që janë në kundërshtim me Rregulloren dhe shkaktuan dhunë politike, do të ngremë padi penale deri të organet kompetente

Maqedonisë në këto moment të vështira dhe shumë të ndjeshme nuk i duhet kryetar jolegal i Kuvendit, Qeveri jolegale dhe shkaktimi i precedencave të rënda politike me formimin e institucioneve paralele, në kundërshtim me Kushtetutën, të cilat mund të shkaktojnë pasoja të rënda dhe të papërmirësueshme.

Platforma e Tiranës nuk është më e rëndësishme se Rregullorja e Kuvendit, Ligjet dhe Kushtetuta e Maqedonisë

Deputetët në Kuvend kanë mandate nga qytetarët, qytetarët janë bartësit e sovranitetit të Republikës së Maqedonisë dhe qëndrimi i tyre është më i rëndësishmi, pavarësisht nëse është dhënë në zgjedhje ose në protesta demokratike

As dhuna politike, e as dhuna fizike në Kuvend nuk janë për t’u arsyetuar, e as për shkak të individëve të caktuar dikush nuk ka të drejtë që të gjithë popullin paqedashës ta quajë terrorist.

Milloshovski: Zgjedhja e Xhaferit, precedencë

Deputeti i VMRO_DPMNE-së Antonio Milloshoski iu shmang pyetjes se pse deputetët e partisë së tij qëndrojnë në zyrat e Kryetarit të Kuvendit, duke i pamundësuar kështu kryetarit të ri Talat Xhaferi që të marrë funksionin. /AlsatM/