Incizimet e publikuara nga kamerat e sigurisë në Kuvend dëshmojnë se dyert e Kuvendit janë hapur nga deputetët e VMRO-DPMNE-së. Në video, deputeti i VMRO-së Sashe Vasilevski dhe Kërste Mukoski vërehen duke vrapuar dhe tentojnë që nga porta e mesme të heqin shulat. Atyre u bashkohet edhe një i punësuar si sigurim i Kuvendit i cili me gjësend të fortë afrohet tek porta. Më tek dera ofrohet edhe Goran Gjosheski, shef i sigurimit të ish krye-parlamentarit Trajko Veljanovski. Gjosheski kërkon nga nëpunësit e Kuvendit të tërhiqen. Mukovski dhe Vasilevski arrijnë t’i heqin shulat e njërës portë por e njëjta nuk hapet. Ndërkohë Ljuben Arnaudov dhe Johan Tarçullovski komunikojnë me celularë, ndërsa nga korridori largohet Ilija Dimovski.

Mukoski dhe Vasilevski i afrohen portës së djathtë, ku edhe vërehen teksa largojnë shulat dhe hapin dyert e Kuvendit. Protestuesit futen brenda. Deputetët e VMRO-DPMNE-së përshëndeten me protestuesit ndërsa në mesin e tyre ka edhe protestues me maska në fytyrë dhe të tjerë të cilët me gjësende të forta në duar, marrin udhëzimet për të shkuar drejtë sallës së konferencave për shtyp ku edhe ndodheshin deputetë e shumicës.

Pak ditë pas dhunës në Kuvend, Mukoski u kap nga gazetarët. Ai në atë kohë përgënjeshtroi të ketë hapur dyert e Kuvendit.

Gazetari: Në kamera dhe incizime vëreheni duke i hapur dyert e Kuvendit?
KM: Nuk e di çfarë keni shikuar, por unë e di se nuk jam vërejtur askund! Nuk është e vërtetë!
Gazetari: A i demantoni këto?
KM: Ju thashë se nuk është e vërtetë dhe nuk ka pamje të publikuara ku dukem?
Gazetar: Incizimet i demantoni?
KM: Nuk është vërtetë!

Alsat M drejtoi pyetje edhe në Prokurori Publike për të pyetur nëse pas publikimit të pamjeve protagonistët që hapën dyert janë ftuar në prokurori, por deri në këto momente nuk morëm asnjë përgjigje. Duke pasur parasysh se në rastin konkret personat që kanë hapur dyert janë persona me imunitet, ekspertët juridik vlerësojnë se të njëjtëve duhet t’u hiqet imuniteti dhe të përgjigjen për veprën e kryer.

Kjo është një nga format më të dukshme të ndihmës. Pra, heqja e pengesave apo mundësia e dhënë në kryerjen e veprës, ndihma, inkurajimi, këshillim… kjo është formë e ndihmës së një vepre penale, një formë e bashkë-pjesëmarrjes e cila dënohet sikur edhe vetë vepra, por mundet dhe pak më e butë. Pavarësisht se janë deputet, ata nuk kanë imunitet nga veprat penale të rëndomta, por vetëm nga opinioni që do ta japin- deklaroi profesori Gordan Kallajxhiev.

Sipas Kushtetutës, deputeti gëzon imunitet dhe nuk mund të arrestohet pa miratimin e Kuvendit, vetëm në rast se është kryer vepër penale për të cilën parashihet dënim me burg prej më së paku 5 vjet./ALSAT