Ndërkombëtarët nuk do të njohin Qeverinë e re, nëse zgjedhjet mbahen plotësimin e të gjitha kushteve që burojnë nga Marrëveshja e Përzhinës. Mesazhin e dërgoi komisionari për zgjerim dhe fqinjësi Johanes Han duke shtuar se në Bruksel janë të zhgënjyer nga zhvillimet e fundit në Maqedoni.

“Nëse nuk punojnë bashkërisht dhe nëse, të themi, nuk përqendrohen në atë që të ketë zgjedhje të drejta, shteti, qeveria e re nuk do të, ta themi troç, pranohet ndërkombtarisht dhe as nuk do të njihet. Kjo mbetet vendimmarrëse dhe të gjithë ata duhet ta dinë se çka po rrezikohet”, deklaroi Johanes Han, Komisioner për Zgjerim.

Han tha se liderët duhet të përqendrohen tek arritja e një marrëveshje duke bërë kompromise e jo të rrahin gjoks për atë se kush është fitues e kush humbës.

“Populli i rajonit meriton ardhmëri më të mirë dhe ajo mundësohet vetëm përmes një perspektive të qartë euro-atlantike. Kjo përfshin botëkuptimin evropian dhe demokratik të sundimit të së drejtës. Mendoj që kjo është një përgjigje për faljen gjithëpërfshirëse të individëve nga ana e presidentit të shtetit”, tha Han.

Han paralajmëroi se me euro-deputetët Ivo Vajgël, Eduard Kukan dhe Riçard Houit si garantues të marrëveshjes së Përzhinës, do të bëjnë sërish tentim për ti ulur partitë politike që të arrihet marrëveshje për tejkalim të krizës.