Shqiptarëve të Maqedonisë u mohohet e drejta e informimit në gjuhën amtare në shumicën e faqeve të internetit të ministrive. Edhe pse çështja është ngritur disa herë dhe janë kërkuar sqarime shtesë për sa i përket këtij lëshimi, shumica e ministrive vazhdojnë të mos përfillin një kërkesë të tillë. Në të shumtën e rasteve, si pretekst përdoret mirëmbajtja e ueb faqeve e cila po zgjat me muaj, në disa raste edhe me vite.

“Nuk është vetëm e maqedonasve. Duhet me qenë të barabartë si njëri si tjetri. Nuk kërkojmë ne më shumë e ata më pak. Çfarë pengese ka që të jenë edhe në gjuhën shqipe”.

“Derisa kemi numër kaq të madh të popullatës dhe nëse dikush nuk kupton, atëherë duhet të ndodh edhe kjo. Të gjithë e dimë që jemi vend shumë etnik. Mua aspak nuk më pengon kjo”.

“Edhe pse nuk jam ekspert për këtë, mendoj që patjetër ashtu duhet me qenë pasi në shtet shumë etnik qytetarët duhet që të marrin vesh që të munden të lexojnë dhe të ecin para”.

Në pyetjen se a mendojnë se faqet e internetit duhet përkthyer edhe në gjuhët tjera përfshirë shqipen, deri në këto momente nuk pati asnjë përgjigje nga ministritë por as edhe nga qeveria. I vetmi resor i cili pa të rrugës të përgjigjet ishte ai i ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale nga ku thanë se së shpejti do të fillojë procedurë për përditësim të faqes zyrtare të kësaj ministrie edhe në gjuhën shqipe dhe atë angleze.

“Së shpejti do të fillojë procedurë për përditësim të faqes zyrtare të kësaj ministrie edhe në gjuhën shqipe dhe atë angleze”, njoftojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Në disa raste jo vetëm që mungon përkthimi në gjuhën shqipe, por është anashkaluar edhe përkthim në gjuhën angleze, duke bërë që ueb faqet të mund të lexohen vetëm në gjuhën maqedonase./Alsat-M