Edhe pse është radhitur si parti e tretë, me 30 deputetë më pak se partia e parë, BDI ende pretendon se do të kërkojë mandatin për kryeministrin, respektivisht për formimin e qeverisë.
Sipas Kushtetutës së Maqedonisë, mandati për formim të qeverisë i jepet partisë ose koalicionit fitues, i cili më pas siguron shumicën prej së paku 61 deputetëve.

Gazeta Lajm ka kërkuar përgjigje nga kabineti i presidentit Stevo Pendarovski lidhur me mundësinë që mandati t’i jepet BDI-së. Prej aty paralajmërojnë konsultime paraprake.

“Presidenti Pendarovski do të zhvillojë konsulta me partitë politike para dhënies së mandatit. Në pajtim me dispozitat kushtetuese, mandatin për formim të Qeverisë do t’ia besojë kandidatit të partisë, ose partive që do të sigurojnë shumicë në Kuvend”, deklaruan për Lajm nga kabineti presidencial.