Pas pauzës për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve lokale, deputetët sot në Kuvend kanë vazhduar debatin për propozim- ligjin për gjuhën shqipe.

Partitë e pushtetit dhe opozitës edhe sot kanë dalë me qëndrime diametralisht të kundërta.

Shumica parlamentare thekson se ligji do të kontribuojë në rritjen e bashkëjetesës në shtet, ndërsa opozita se kjo është kundër-kushtetuese.

Deputeti, Pançe Minov ka thënë se është për vënien e gjuhës shqipe si zyrtare vetëm në kuadër të Kushtetutës dhe kundër dygjuhësisë edhe atje ku nuk jetojnë shqiptarë. Ai ka kundërshtuar edhe udhëheqjen e seancave në Kuvend në gjuhën shqipe.

Por, në këtë ka replikuar Xhevat Ademi i BDI-së duke porositur deputetin Minov se ai duhet ta mësojë gjuhën shqipe.

“Duhet të mësohet gjuha shqipe që të mund të komunikosh me mua si që mund unë me ju”, ka thënë Ademi.

Sipas tij, me këtë ligj vetëm bëhet rrumbullakimi i një teme pa u dëmtuar e drejta e bashkësive tjera.