Ashtu si shumica e adoleshentëve, edhe pesëmbëdhjetëvjeçari Muhammad Najem nga Siria kalon kohë të konsiderueshme në rrjetet sociale, duke postuar video dhe fotografi.
Por çfarë i bën publikimet e tij të ndryshme nga të kolegëve të tjerë në botë, përcjell Telegrafi, është fakti se këto pamje bëhen në disa raste, kur rreth tij shpërthejnë bomba, të cilat i mbysin shokët e tij.
“Fëmijët në Gouta vdesin çdo ditë nga bombardimet e regjimit të Asadit dhe Rusisë”, citohet të ketë thënë Najem në një nga regjistrimet e tij.
Najem jeton në Goutan Lindore, një enklavë rebele pranë Damaskut, ku ushtria siriane vazhdon të sulmojë.
Tema e postimeve të tij kryesisht në Twitter është për tu drejtuar botës, për të parë se çfarë po ndodh me të vërtetë në Siri.
Siç thotë ai, përcjell Telegrafi, njerëzit duhet të dinë se çfarë po ndodh dhe shton se një ditë dëshiron të bëhet reporter.
“Gjaku ynë lutet çdo ditë. Ju shikoni çdo ditë dhe nuk reagoni”, thotë një nga reporterët më të rinj të luftës në botë, siç e kanë quajtur, në një nga postimet e tij.
Siç ka bërë të ditur ai për mediat e huaja, një nga miqtë e tij u vra gjatë bombardimeve, më parë këtë muaj.
Ai thotë se po luanin në rrugë, si dhe shumicën e ditëve kur filloi një sulm ajror – të gjithë shkuan në bodrum, por ai nuk pati sukses.
Në një video të lëshuar në dhjetor të vitit të kaluar, ai tha se spitali ishte lënë pa ilaçe.
“E dimë që fotot tona me gjak ju kanë lodhur. Ne e dimë që keni parë pamjet në të cilat ata po na vrasin. Por ne do të vazhdojmë t’ju drejtohemi”, ka thënë ai në një nga postimet e tij të fundit.