Shkup, 29 gusht – Situata kaotike e cila për momentin mbizotëron në komisionin Ad Hoc që duhet të monitorojë mediat gjatë kohës së zgjedhjeve komentohet në forma të ndryshme edhe nga partitë politike, njofton Zhurnal.

Nënkryetari i Lr-PDSH Agon Ferati në një prononcim për Agjencinë e lajmeve Zhurnal thekson se ky ngërc është i thellë dhe serioz, historia e njejtë sipas tij nuk guxon të përsëritet.

“Ngërçi me ad-hok Komisionin është i thellë dhe serioz, ndërsa ne si LR-PDSH pak mund të bëjmë në një situatë të këtillë kur mbarë opinioni gjendet përpara aktit të kryer. Problemi i Informimit të drejtë dhe financimi i mediave nuk është diçka që duhet të jetë i vlefshëm vetëm brenda 100 ditëve aq sa zgjat kampanja zgjedhore, por kjo kërkon zgjidhje afatgjate përmes ligjit që duhet të sillet në Kuvend, duke u miratuar me konsensuz të gjërë nga partitë politike, ndërsa në fazën e hartimit të saj detyrimisht duhet të ketë debat publik dhe përfshirje të OJQ-ve, ekspertëve dhe Shoqatës së Gazetarëve të RM-së përshkak se çështja e mediave të lira dhe finansimi i tyre është interes i gjërë shoqëror dhe jo vetëm partiak. “Historia e shtrembërimit të së vërtetës dhe diskriminimi i mediave shqiptare, nuk guxon të përsëritet, prandaj kjo duhet të mbrohet me Ligj”, sqaron kështu nënkryetari i Lr-PDSH, Agon Ferati.

Sa i përket problematikës së zgjedhjes së anëtarit të pestë në komisionin Ad Hoc, Ferati thekson se si parti nuk mund të ofrojnë ndonjë zgjidhje pasiqë këtë gjë nuk e kanë pranuar që në fillim dhe se përgjegjësia sipas tij bie tek palët negociuese.

”Ndërsa sa i përket ngërçit aktual të ad-hok Komisionit nuk kemi se si ofrojmë zgjidhje për diçka që nuk e kemi pranuar që në fillim, me këtë, përgjegjësia ju ngelën palëve negociuese: Ata që hudhën gurin në pus, me siguri e kanë menduar se si mund ta nxjerin në rast nevoje”, sqaron për fund z. Ferati, transmeton Zhurnal.

© ZHURNAL.mk