Për 180 gradë ka ndryshuar qëndrimin e tij për bombat e opozitës, kreu i BDI-së Ali Ahmeti. Pas paraqitjeve publike ku ai kërkonte që opozita të publikojë çdo bisedë të përgjuar ku janë përfshirë zyrtarët e BDI-së dhe vetë Ahmetit tani ai kërkon që këtyre bisedave mos t’ju besohet. Në një komunikatë të lëshuar dje nga kabineti i Ahmetit në një anë thuhet se janë biseda të përgjuara e nga ana tjetër kualifikohen si shpifje. Në komunikatë theksohet se disa politikanë kanë shpërndarë përgjime në duar të kriminelëve të cilët propagandojnë për të dëmtuar imazhin e zyrtarëve të BDI-së dhe ish pjesëtarëve të ish-UÇK-së. Kreu i BDI-së fton që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare qytetarët të mos bien pre e atyre që ai i quan shpije.

“Këto zgjedhje janë me rëndësi të jashtëzakonshme, prandaj liderët partiak duhet të tregojnë përgjegjësinë më të lartë për të ardhmen e vendit. Ftohen qytetarët që të mos bien pre e fushatave të shpifjeve dhe të akuzave, por të vlerësojnë ofertat për zhvillim, stabilitet dhe siguri”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i Ahmetit.

Por disa javë pas publikimit të bombave nga lideri i opozitës maqedonase, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në disa raste ftoi publikisht Zaevin që të publikojë madje edhe bisedat private të vetë Ahmetit dhe zyrtarëve të tjerë të BDI-së.

“Gjithashtu kërkova që asgjë të mos mbetet enigmatike dhe të shuhet kurreshtja e opinionit. Andaj po e përsëris edhe këtu sot para jush, çdo gjë që ekziston për BDI le të del në shesh, bile çdo bisedë e imja qoftë për punë politike, qoftë për punë private le të publikohet”, pati thënë Ahmeti me datë 28 mars të vitit 2015.

“Sa i takon çdo zyrtari të lartë të BDi nëse ka bërë korrupsion, punë të pandershme, do përgjigjet. Kurse unë personalisht kërkoj gjithçka çka ka për pesë vite për mua le të publikohet, qofshin edhe biseda private, jo vetëm ato institucionale”, tha Ahmeti më 19 maj të vitit 2015.

Në komunikatën e mbrëmshme nga kabineti i kreut të BDI-së, Ali Ahmeti nuk kanë dhënë sqarim se përse kanë ndryshuar qëndrimin lidhur me publikimin e përgjimeve./shenja