Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me delegacionin e tij shoqërues, sot në Stamboll ka vizituar varrin e Sami Frashërit, njërit prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe dhe asaj turke, me rastin e 115-vjetorit të vdekjes së tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Në vizitën përkujtimore në varrin e Sami Frashërit, i njohur në Turqi si Shemsedin Sami, Kurti u shoqërua nga deputetët Arben Vitia, Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli, si dhe kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka dhe anëtari i Kuvendit Komunal të Prishtinës Arbër Vokrri.

Në një prononcim për AA, Kurti tha se vizita e tyre në Turqi ka dy qëllime.

“Qëllimi ynë i parë ishte të takohemi me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Ankara dhe me kryetarin e parlamentit. Ndërkaq, qëllimi i dytë dhe kryesor është të takohemi me qytetarët me origjinë shqiptare”, tha Kurti.

Kurti e përshkroi Sami Frashërin si figurë me diapazon të gjerë të dijeve dhe intelekt dhe mendje të thellë, ndërsa rikujtoi se dje kanë vizituar edhe Qendrën Kulturore Shqiptare “Sami Frashëri” në Ankara.

Ai tha se Sami Frashëri ka një vend të veçantë në historinë dhe kulturën shqiptare.

“Samiu në të njëjtën kohë la gjurmë të thella edhe në gjuhën, kulturën dhe retorikën turke. Ne fjalorin turqisht-frëngjisht që e shkruajti, ai u bë një urë e rëndësishme midis perëndimit dhe Turqisë”, deklaroi Kurti.

Kurti tha se në takimet që ka realizuar me politikanë në Ankara, ka dhënë përpjekje për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike midis Turqisë dhe Kosovës, duke theksuar se synojnë investime ekonomike për rritjen e punësimit.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se Sami Frashëri ka luajtur rol të rëndësishëm në forimimin e vizionit kombëtar të shqiptarëve, duke shtuar se ai ka dhënë kontribute të mëdha për të dy popujt.