BDI ndryshon përsëri qëndrimet të cilat lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti, i mbronte me shumë vendosmëri në paraqitjet publike. Pas ndryshimit të datës së zgjedhjeve nga 24 prill më 5 qershor, Ahmeti pati deklaruar se data e fundit është vendimtare. Por mbrëmë, në afatin e fundit nuk dorëzoi listën e anëtarëve për këshillat zgjedhor vendor. Televizioni Shenja, rikujton disa nga deklaratat e bëra nga Ahmeti për 24 prillin dhe 5 qershorin.
“Ne vlerësojmë se çdo tendencë për të lënduar marrëveshjen e 2 Qershorit të arritur mes katër forcave politike, BE-së dhe SHBA-së është shkatërrim, minim i Marrëveshjes së 2 Qershorit. Prandaj zgjedhjet e 24 prillit assesi, jo vetëm të shtyhen, por edhe nuk duhet të mendohen që ato të shtyhen, sepse shtyerja e zgjedhjeve të 24 prillit do të thotë të vazhdosh t’i hedhin zjarrit benzin”, kishte deklaruar Ahmeti më 27 janar 2016.
“Kjo datë është vendosur në Qershor, korrik të vitit që lam pas dhe ne kemi insistuar që kjo marrëveshje të mos cenohet, kjo marrëveshje të respektohet prej gjitha palëve nënshkruese dhe akoma mendojmë që ka hapsirë, ka vend që të gjitha palët që mendojnë që nuk është datë e qëlluar të reflektojnë dhe të respektojnë marrëveshjen e arritur dhe të dakorduar mes katër partive politike dhe faktorit ndërkombëtarë”, pati deklaruar Ahmeti më 16 janar, 2016.
“Sigurisht që ne nuk mund të pranojmë një datë sepse pjesa dërmuese e elektoratit tonë dhe ne vetë, BDI i përkasim një komuniteti që respektojmë agjërimin. Kështu që argumentet tona ne i kemi paraqitur në rrugë shumë të arsyeshme se përse zgjedhjet duhet të bëhen më 24 prill dhe datë e dakorduar nga të gjitha palët dhe e arsyetuar”, pati deklaruar Ahmeti më 30 janar 2016.
“24 prilli, nëse dikush ka të drejtë ta kontestojë dhe ta ndryshojë apo të ndodhë veto, përse atëherë BDI-së ti mohohet e drejta e vetos? Dhe ne nuk pajtohemi të ndryshohet 24 prilli sepse duam që marrëveshja të funksionojë, sepse duam që të instalohet një kulturë e respektimit të atyre konventave që nënshkruhen dhe dakordohen prej palëve që negociojnë”, kishte thënë kreu integrist më 6 shkurt 2016.

Dhe në fund kreu i integristëve tha se 5 qershori nuk ka alternativë dhe se në këtë datë do të ketë zgjedhje.
“Më 5 qershor do të ketë zgjedhje sepse nuk ka alternativë tjetër në qoftë se ka ndonjë mendje të ndritur si koka e Zeusit le ta paraqes atë alternativë, ne kemi një parlament të cilit i ka përfunduar mandati. Më 5 qershor është (sanksionuar) caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve”, kishte deklaruar Ali Ahmeti më 7 prill, 2016.
Vendimi për të mos dorëzuar listën e anëtarëve të këshillave zgjedhor, në opinion është komentuar si një hap drejt vendimit të BDI-së për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 5 Qershorin, që do të sillte deri te një ndryshim i dytë i datës së zgjedhjeve. Por nga BDI zyrtarisht nuk ka asnjë sqarim për këtë temë, ndërsa pritet që këtë ta bëjnë gjatë ditëve në vazhdim. Ndryshe më 11 maj është afati i fundit kur duhet të dorrëzohen edhe listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 5 Qershorit./Shenja