Në një intervistë ekskluzive për Teleskopi.net, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka thënë se shqiptarët nuk mund t’i besojnë Entit Statistikor shtetërorë (institucion që merret me regjistrimin e popullsisë), pasi aty përfaqësohen vetëm me një për qind.

Po ashtu Ahmeti thekson se duhet të zbatohet Kushtetuta e Maqedonisë dhe Marrëveshja e Ohrit, të cilat e garantojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, për të cilën çështje premton se shumë shpejtë do të miratohet edhe ligji që garanton funksionimin e shqipes si gjuhë zyrtare.

Po ashtu Ali Ahmeti njofton për arsyen se pse BDI nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit dhe nëse ato mbahen, vendi do të shkojë sërish në zgjedhje pas 2-3 muajve.

Ahmeti thotë se kriza në Maqedoni ka filluar në 2014, me braktisjen e Parlamentit nga opozita, por kjo situatë mori dimension shumë më të theksuar me rastin e të ashtuquajturave bomba (skandali i përgjimeve) dhe për tejkalimin e kësaj gjendje u dashtë ndërmjetësim nga komuniteti ndërkombëtar.

“Pas negociatave, opozita u rikthye në Parlament, ku u themelua Prokuroria Speciale për të verifikuar situatën e paraqitur në vend, gjithashtu kryeministri dha dorëheqje. Para se të jep dorëheqje kryeministri, opozita zuri vend në Qeverinë e Maqedonisë, me dy ministra dhe dy zëvendësministra, por me të drejtë vetoje dhe kjo qeveri e përbërë edhe nga partia opozitare, doli në saje të marrëveshjes vetëm për organizmin e zgjedhjeve, me ç’rast votuam edhe kodin zgjedhor”, tha Ahmeti dhe shtoi se në kodin zgjedhor u parashikua edhe data e mbajtjes së zgjedhjeve, më 24 prill 2016, mirëpo opozita e vuri në pikëpyetje si proces që ka të meta dhe u dakorduan që zgjedhjet të mbahen më 5 qershor, të këtij viti, por sërish kjo situatë është problematizuar pas vendimit të Presidentit për falje, njofton Teleskopi.net.

“Shumë pikëpyetje u shtuan me rastin e amnistisë dhe faljeve që beri kryetari shtetit Zoti Ivanov, për 56 njerëz, funksionar të lartë të shtetit, për të cilët Prokuroria Speciale kishte ngrit padi dhe kjo na e vështirësoi situatën jashtëzakonisht shumë neve partive politike, por edhe komunitetit ndërkombëtar”, tha Ahmeti, i cili vlerëson se me falje Ivanon i bëri fajtor 56 zyrtarët shtetëror pa e thënë fjalën e vetë drejtësia.

Lideri i BDI-së njoftoi se iu dashtë të rishqyrtonin pozicionin e tyre politikat, për të parë se a do të merrnin pjesë në një proces zgjedhor të kontestueshëm ndërkombëtarisht dhe kombëtarisht.

“Mendoj qe vepruam drejt, ne nuk caktuam njerëz në komisionet zgjedhore, ne nuk kemi bërë lista për kandidat të mundshëm për deputet për legjislativin e ardhshëm. Deri më tani e ka bërë vetëm njëra nga partitë më të mëdha, VMRO-DPMNE dhe dy parti minore, të pa njohura për vendin. Akoma kemi pak hapësirë që ta menaxhojmë këtë situatë, që më 5 qershor mos të ketë zgjedhje, por të kemi një afat tjetër”, tha Ahmeti për Teleskopi.net dhe shtoi se janë duke biseduar edhe me forcat politike në vend dhe me përfaqësuesit ndërkombëtar, që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë.

“Nëse shkon një parti në zgjedhje më 5 qershor, tani unë prej këtu do t’ju garantoj se në një periudhë brenda 2-3 muajve në Republikën e Maqedonisë do të ketë zgjedhje të përgjithshme. Është e pakuptimtë, që një parti e vetme të qeverisë në vend për një mandat 4 vjeçar”, tha ai.

Lideri i BDI-së, si një mundësi të daljes nga kriza e she thirrjen e një seancë të Parlamentit, sepse deputetët e kanë mandat deri në 2018.

Çështje tjetër më rëndësi që obligon për ta zbatuar është Marrëveshja e Ohrit, ku pjesa dërmuese e saj ka gjetur zbatim, por siç thekson Ahmeti, në pjesën legjislative akoma ka punë për t’u bërë, si dhe mungon përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në shumë institucione të shtetit.

“Në Entin Statistikor shtetërorë, shqiptarët janë shumë simbolikisht të përfaqësuar me gati një për qind, dhe si mund të kemi një proces të besueshëm të regjistrimit të popullsisë me një përfaqësim të shqiptarëve me një për qind në Entin Statistikor”, ka thënë Ahmeti dhe shtoi se ka edhe institucione tjera, ku duhet të shihen dhe të rregullohet përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve, që njerëzit të kenë besueshmëri më të madhe në institucionet vendore.

“Gjithashtu ka mbetur akoma pa u rregulluar ligjërisht, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe deri tash janë bërë disa hapa në drejtim të avancimit të gjuhës, por akoma nuk kemi një ligj që përfundimisht e rregullon sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe sipas Marrëveshjes së Ohrit”, tha Ahmeti dhe sqaroi se në Marrëveshjen e Ohrit dhe në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë është e sanksionuar që gjuha, e cila flitet nga më shumë se 20 për qind e qytetarëve, është gjuhë zyrtare.

Ahmeti premtoi se pas tejkalimit të krizës politike në Maqedoni, do të sillet ligji që garanton përfaqësimin zyrtar të gjuhës shqipe.

Lidhur me protestat që janë duke u zhvilluar në territorin e Maqedoni, Ahmeti thotë se protestat janë një e drejtë legjitime, një e drejtë e pamohueshme e grupeve të qytetarëve.

“E rëndësishme është se protestat nuk kanë eskaluar në thyerje, vrasje e gjakderdhje dhe kanë qenë të qeta, në kuadër të normalitetit dhe sigurisht se e drejta e qytetarëve është që edhe më tej të protestojnë dhe të shfaqin kërkesat e tyre”, ka thënë ai.

Ahmeti theksoi se protestat e shoqërisë civile dhe të opozitës, do të ndaleshin vetëm me arritjen e një marrëveshje të pajtueshme që do të kënaqte palët dhe kjo marrëveshje nuk duhet të bëhet sa për të ndërprerë protestat, por do të duhej të siguronte stabilitet për qytetarët e Maqedonisë dhe investitorët.