Zëvendësministri i punëve të brendshme Agim Nuhiu, sot qëndroi në Gostivar me ç’rast u takua me komandantin e Stacionit Policor të Gostivarit, Gazi Abdurahimi. Me këtë rast, Nuhiu në një deklaratë për media hodhi poshtë akuzat e kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari për lëshime të mëdha të punës së SP – Gostivar në drejtim të mbajtjes së rendit publik dhe luftës kundër krimit në territorin e Gostivarit.

“Policia e Gostivarit i ka kryer të gjitha detyrimet dhe obligimet ligjore konform përcaktimeve dhe akteve nënligjore të cilat ekzistojnë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Vlerësimi ynë por edhe i qytetarëve është maksimal për punën e Policisë së Gostivarit”, u shpreh Nuhiu.

Por, fotografitë deri te të cilat erdhi portali ynë, dhe të njëjtat i ka postuar edhe Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari në llogarinë e tij në fb, dëshmojnë pikërisht të kundërtën. Për derisa qytetarët e Gostivarit përballen me vjedhje të armatosura nëpër shtëpitë e tyre, bastore ilegale lulëzojnë në në çdo anë në qytet dhe nëpër fshtara, për derisa në trafikun rrugor mbizotëron një kaos i vërtetë, rinia helmohet me narkotikë, ndërsa tash e sa muaj i pranishëm është edhe prostitucioni rrugor, kryepolici Gazi Abdurahimi darkon me funksionarët lokal të BDI-së.

Në fotografi, të shënuar me të kuqe janë komandanti i policisë Gazi Abdurahimi dhe ish shefi i kabinetit të Nevzat Bejtës, Bashkim Hasani – pretendent kryesor për kryetar dege të BDI-së dega Gostivar pas tërheqjes së Nevzat Bejtës nga poltika, si dhe disa funksionarë të tjerë partiakë dhe funksionarë shtetërorë nga rradhët e kësaj partie.