ALTERNATIVA PËR SHPËTIMIN E SHQIPTARËVE TË MAQEDONISË NGA SUNDIMI DHE TIRANIA

Abdulla Mehmeti

(Shënim hyrës: Ky shkrim është shkruar para gati tre muajve, më 2 maj të këtij viti, por nuk është publikuar për shkak të përmbajtjes së ndjeshme, me qëllim të ndryshimit dhe plotësimit eventual të tij, duke mos dashur të ndikojë në thellimin e mëtejmë të ndasive mes shqiptarëve në bazë të përkatësisë së tyre partiake dhe dallimeve të tjera. Mirëpo, zhvillimet e fundit në skenën politike në Maqedoni dhe në fqinjësinë e afërt, sidomos arritja e marrëveshjes politike mes katër subjekteve politike në vend, e këtyre ditëve, si dhe reflektimi i ngjarjeve të fundit nga tentimi për grusht shtet në Republikën e Turqisë, me tendenca të përçarjes së hapur edhe mes shqiptarëve në Maqedoni, janë edhe një arsye më tepër për kërkim zgjidhje të reja në organizimin politik të shqiptarëve në Maqedoni. Ky shkrim synon pikërisht këtë: të jep një alternativë të mundshme për zgjidhjen afatgjatë të krizës politike aktuale, si dhe të kontribuojë në ngritjen e faktorit politik shqiptar në nivel të përgjegjësisë së tij historike, për shtetin dhe kombin shqiptar në Maqedoni.)

Me thellimin e krizës politike në Maqedoni, faktorit politik shqiptar, partive, lëvizjeve, koalicioneve, subjekteve jopolitike, institucioneve relevante dhe intelektualëve të përgjegjshëm u imponohet detyra ta marrin përgjegjësinë, jo vetëm për dalje nga kriza politike momentale, por edhe për eliminimin e shkaqeve që sollën deri në këtë krizë. Detyrë parësore e këtyre subjekteve duhet të jetë sigurimi i barazisë së plotë të shqiptarëve në këtë shtet, përmes mekanizmave institucionalë, kushtetues-ligjorë, sipas nevojës edhe me garanci ndërkombëtare.
Para së gjithash, partitë politike shqiptare që kanë qenë në pushtet, duhet t’u shmangen gabimeve të derisotme të veprimit politik të tyre, edhe atë:
E para, partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni, së pari duhet të heqin dorë përfundimisht prej kontrollimit të tyre nga jashtë. Të gjitha veprimet e tyre të rëndësishme duhet të jenë autonome, të përgjegjshme dhe vizionare për realizimin e qëllimeve të tyre afatshkurtra dhe afatgjata. Çdo imponim nga jashtë, pa debat të gjerë publik dhe miratim nga populli vendës nuk mund të jetë i dobishëm. Qarqet politike të vendeve fqinje përherë kanë qenë të interesuara për realizimin e qëllimeve të veta në Maqedoni dhe asnjëherë në dobi të vendit dhe popujve që jetojnë në këtë shtet, sidomos të shqiptarëve. Edhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësitë diplomatike nuk janë të gjitha dhe gjithherë racionalë, sidomos në favor të realizimit të kërkesave të shqiptarëve në Maqedoni.
E dyta, subjektet politike duhet të funksionojnë në frymën demokratike dhe pluraliste, të jenë konkurrente mes vete, me ide, projekte dhe aktivitete politike, ndërsa për realizimin e interesave të përgjithshme kombëtare duhet të jenë në një front të përbashkët, duke siguruar mekanizma bashkëveprimi, sidomos kur rrezikohen të drejtat kolektive të popullit që e përfaqësojnë.
E treta, partitë të cilat deri më sot kanë qenë pjesë e pushtetit, në të gjitha nivelet, duhet të jenë të përgjegjshme se veprimet e tyre të derisotme nuk kanë qenë të suksesshme, as që u kanë sjellë ndonjë dobi të madhe shqiptarëve në Maqedoni. Prandaj, këto parti, dhe sidomos drejtuesit e tyre, duhet të mbajnë përgjegjësi për krijimin dhe thellimin e krizës politike aktuale, me pasoja afatgjata për shtetin dhe sidomos për shqiptarët. Veprimi më i mençur që do të duhej të ndërmerrnin është abstenimi nga zgjedhjet parlamentare të radhës, për arsyet e paraqitura në vazhdim, ose më së paku të veprojnë sipas pikave të mëposhtme, si partitë tjera që nuk kanë qenë deri më sot në pushtet. Gjatë kësaj periudhe, ato do ta rishqyrtonin strategjinë e tyre të veprimit në të ardhmen dhe do ta bënin freskimin e domosdoshëm të radhëve të tyre për betejat politike të ardhshme. Në të kundërtën, nëse nuk e ndërmarrin një veprim të këtillë, atëherë e dëshmojnë se nuk janë parti serioze dhe nuk janë të afta ta mbrojnë interesin e popullit shqiptar në Maqedoni. Me faktin se këto parti nuk do të jenë pjesë e pushtetit, nuk u suprimohet e drejta të jenë edhe më tej faktorë të rëndësishëm në jetën politike të vendit.
E katërta, partitë politike që kanë qenë deri më sot pjesë e pushtetit, gjatë kësaj kohe duhet t’i heqin ose neutralizojnë hipotekat, të ngritura nga brenda dhe jashtë vendit se, ndonjëra prej tyre është formuar nga organet e sigurimit të shtetit, se janë të kontrolluara nga sigurimet e jashtme, sidomos të Serbisë dhe Rusisë, si dhe zbardhjen e plotë të akuzave që dalin nga përgjimet e publikuara nga opozita maqedonase dhe dyshimet e ngritura nga Prokuroria Speciale Publike, për afera të ndryshme korrupsioni dhe krimi të organizuar dhe akuza të tjera të ngritura nga opinioni publik i brendshëm dhe i jashtëm.
Përfaqësuesit e këtyre partive doemos duhet të ngrenë procedura në institucionet gjyqësore të vendit, ose ato ndërkombëtare, nëse eventualisht bëhet fjalë për akuza të pabaza. Në të kundërtën, garnitura udhëheqëse aktuale e këtyre partive duhet të largohet pa zhurmë nga skena politike, bile pa kërkuar falje nga popullata që e kanë përfaqësuar deri më sot, sepse nga kjo kërkimfalje askush nuk përfiton, vetëm sa mund ta shtojë urrejtjen dhe mllefin për hakmarrje ndaj udhëheqësve kryesorë të tyre.
Puna më e vogël që duhet ta bëjnë partitë politike, të cilat kanë qenë deri më sot pjesë e pushtetit në Maqedoni, do të ishte respektimi i sugjerimeve të mëposhtme, si për partitë e reja politike, të cilat pretendojnë të jenë pjesë e pushtetit në të ardhmen.
1. Partitë e reja politike shqiptare, jashtëparlamentare, të cilat e quajnë veten parti opozitare, duhet të kujdesen në radhë të parë të mos i përsëritin gabimet e partive të mëparshme, në kohën sa kanë qenë pjesë e pushtetit ose në opozitë, dhe sidomos të mbledhin forca për krijimin e frontit të përbashkët, duke pasur parasysh rrethanat e pafavorshme për veprim politik dhe eventualisht për pjesëmarrje në pushtetin e ardhshëm, duke i përcaktuar saktë kushtet themelore, pa të cilat nuk guxojnë të hynë në marrëveshje, sidomos pa garanci të forta për plotësimin e këtyre kushteve edhe nga faktori ndërkombëtar.
2. Blloku i partive të reja politike duhet të angazhohen që, përveç kushteve të tjera për fitimin e besimit nga elektorati, të mendojë seriozisht për disa çështje lidhur me veprimin e suksesshëm politik në të ardhmen, edhe atë:
a) Në listat e kandidatëve nga radhët e këtyre partive, ose koalicioni i bllokut të partive të reja politike, do të ishte mirë të mos kandidojnë asnjë person i cili ka qenë bartës i ndonjë funksioni të rëndësishëm në organet e pushtetit të derisotëm, pavarësisht nga cila parti të ketë qenë i emëruar. Në radhë të parë, assesi nuk duhet të kandidohen dhe zgjidhen: ish deputetë, ministra, zëvendësministra, sekretarë shtetërorë, drejtorë të institucioneve publike dhe zyrtarë të tjerë të lartë në institucionet e pushtetit dhe udhëheqës të derisotëm të organeve partiake. Në mungesë të institucioneve për vërtetimin e pastërtisë së figurës së politikanëve, këtë çështje duhet ta marrin, si obligim moral, vetë organet drejtuese të partive politike, nën mbikëqyrje të rreptë të mediumeve, sektorit civil dhe opinionit publik.
b) Në programet zgjedhore dhe sidomos në programet për pjesëmarrje eventuale në qeveri, të definohen me prioritet të veçantë këto çështje:
– statusi kushtetues-juridik i shqiptarëve, duke përfshirë edhe ndryshimet e domosdoshme kushtetuese, sidomos heqjen ose riformulimin e preambulës së kushtetutës aktuale të Maqedonisë, e cila e përcakton Maqedoninë si shtet etnik vetëm të popullit maqedonas;
– sigurimin e statusit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, të garantuar me kushtetutë dhe ligj;
– zgjidhjen përfundimtare të çështjes së simboleve shtetërore, flamurit, stemës dhe himnit të shtetit, në përputhje me realitetin etnik të shtetit;
– përfaqësimin e drejtë dhe proporcional të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe të gjitha organet e pushtetit, sidomos në organet drejtuese të tyre në të gjitha nivelet;
– revidimin e ligjit për ndarje territoriale dhe mënjanimin e pengesave për zhvillim të barabartë të të gjitha rajoneve të shtetit;
– krijimin e mekanizmave për vendimmarrje të drejtë dhe të papengueshme në të gjitha nivelet e pushtetit, qendror dhe lokal;
– sigurimin e mekanizmave ligjorë për shpërndarje të drejtë të buxhetit të shtetit, sipas rajoneve dhe komunave, sipas numrit të banorëve; rishqyrtimin e procesit të privatizimit të pronës shoqërore gjatë periudhës së tranzicionit, gjatë dy dekadave të fundit;
– rishqyrtimin e të gjitha proceseve të montuara politike të derisotme, të cilat dyshohet se kanë qenë të montuara nga organet e pushtetit dhe të motivuara politikisht;
– pjesëmarrjen e domosdoshme të palës shqiptare në negociatat me ndërmjetësim ndërkombëtar për çështjen e emrit të shtetit; dhe
– sigurimin e mekanizmave për zhbllokimin e menjëhershëm të procesit të integrimeve euroatlantike të vendit.
c) Do të ishte shumë demokratike dhe qytetëruese, nëse partitë politike dhe drejtuesit e tyre që pretendojnë pushtetin në të ardhmen, ta ngrenë shkallën e besueshmërisë tek elektorati i tyre, popullata që pretendojnë ta përfaqësojnë. Kjo do të arrihej vetëm nëse para fitimit të mandatit për hyrje në parlament dhe qeveri, krahas premtimeve të tyre paraelektorale, të nënshkruajnë një testament besimi, para cilitdo organ të besueshëm gjyqësor, i cili do t’i detyrojë në rast të mos realizimit të premtimeve të veta gjatë ushtrimit të mandatit, t’u merret e drejta e pjesëmarrjes së mëtejshme në këto organe, si dhe drejta e përfaqësimit të mëtejmë të votuesve që ua kanë besuar mandatin. Me këtë edhe mundësia e largimit pa kusht nga skena politike, në të cilën mjaftë kanë eksperimentuar deri më sot partitë politike dhe politikanët e papërgjegjshëm.
ç) Dhe ajo që është më e rëndësishme, do të ishte mirë që partitë e reja politike, të cilat e pretendojnë marrjen e besimit nga elektorati shqiptar dhe synojnë ushtrimin e pushtetit në të ardhmen, të japin garanci para një organi të besueshëm gjyqësor të vendit, ose para një organizate kompetente ndërkombëtare, siç është OSBE-ja, se veprimtarinë e tyre nuk do ta financojnë organizata me prejardhje të dyshimtë të kapitalit, organizata të dyshuara për ekstremizëm, fundamentalizëm ose terrorizëm ndërkombëtar.
Pa plotësimin e këtyre kushteve nga subjektet politike, të cilat i kanë përfaqësuar deri më sot, ose ato që pretendojnë t’i përfaqësojnë shqiptarët e Maqedonisë në të ardhmen, edhe më tej do t’i kemi po këto probleme me të cilat ballafaqohemi sot. Në të ardhmen, shqiptarëve në Maqedoni ka mundësi të mos u jepet shans tjetër për zgjidhjen e këtyre çështjeve me rëndësi jetike për mirëqenien kombëtare dhe perspektivën e tyre në të ardhmen.

Tetovë, 2 maj – 26 korrik 2016