Marrëveshja e Përzhinës mbetet mënyra më e mirë për daljen e vendit nga kriza e tanishme, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin përkohësisht ndërpriten të gjitha veprimtaritë zgjedhore hap rrugën për mbledhjen e Kuvendit për t’i anuluar zgjedhjet e 5 qershorit, kumtoi Ambasada e SHBA-së në vend.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese hap rrugën për konvokim të Parlamentit dhe anulim të zgjedhjeve të 5 qershorit. Kjo paraqet dhe një mundësi të re për Parlamentin dhe liderët politikë që të demonstrojnë me vepra përkushtim ndaj Marrëveshjes së Përzhinës dhe parimeve të saj – sundimi i ligjit, përgjegjësia, gjithëpërfshirja dhe zgjedhjet kredibile. Kjo kornizë mbetet mënyra më e mirë për të nxjerrë vendin nga kriza aktuale”, citohet në deklaratën e sotme me shkrim nga Ambasada e SHBA-së, e cila është në koincidencë me vizitën e zëvendësndihmës sekretarit shtetëror të Departamentit të Shtetit Hojt Ji në Maqedoni.

Në deklaratë janë theksuar edhe pritjet lidhur me abolimin e presidentit të vendit Gjorgje Ivanov.

“Anulimi i faljeve të 12 prillit duhet të ndodhë urgjentisht dhe në mënyrë e cila do të ruajë parimin e përgjegjësisë, do t’i shmanget drejtësisë selektive dhe do të neutralizojë shqetësimet rreth mosndëshkimit. Të qenurit të barabartë para ligjit është parim themelor demokratik. Partitë duhet të mbështesin Prokurorinë Speciale në mënyrë të prerë. Puna e papenguar e Prokurorisë Speciale është jetike për të siguruar përgjegjësi për keqpërdorimet e mundëshme në lidhje me përgjimet, si dhe për të tejkaluar krizën aktuale”, citohet në deklaratë.

Njëherit shtohet edhe se vendin e presin reforma të vështira.

“Vijojnë reforma të vështira. Procesi i reformave patjetër duhet të jetë gjithpërfshirës dhe të inkorporojë pikëpamjet e partive opozitare dhe shoqërisë civile. Gjithëpërfshirja e tillë është kritike për vendosjen e sistemit të kontrollit dhe balancit, që është jetik për demokracinë. Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesin qasjet që nuk respektojnë këto parime. Premtimet për reforma apo deklarimi i synimeve të tilla, nuk do të kthejnë vendin në rrugën Euro-Atlantike. Veprat, po”, theksohet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së.