Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e vendimit për shpërbërjen e Kuvendit disa nga partitë opozitare e kanë cilësuar si vendim politik. Për LR-PDSH-në vendimi në një far forme është i drejtë pasi ka pezulluar një vendim antikushtetues siç ishte ai i shpërbërjes së Kuvendit, por këmbëngulin që iniciativa vjen nga VMRO-ja dhe jo nga BDI-ja.

“Më ngjan si vendim i drejtë sepse shpërbërja e parlamentit ishte anti-kushtetues por në esencë është përsëri vendim politik,fatkeqësisht. Mos të harrojmë se një iniciativë të tillë ka pas nga një subjekt politik, Pavle Trajanov dhe pse atëherë duhet të përgjigjet, nuk mund të diskutonte Gjykata Kushtetuese dhe tani Gjykata Kushtetuese mund të sjell një vendim të tillë. Tani lind pyetja, iniciativa ishte e BDI-së apo ishte e VMRO-DPMNE-së duke pas parasysh që ato kanë kontrollin me tepër të gjykatësve. D.m.th është më se e qartë që kanë iniciativë e VMRO-DPMNE-së dhe jo iniciativë e BDI-së”, deklaroi Zijadin Sela, LR-PDSH.

Ndërkohë në reagimin me shkrim të Lëvizjes “Besa” thuhet se Ahmeti edhe një herë shpëtoi Gruevskin. Madje nga kjo Lëvizje shtojnë se partia shqiptare në pushtet është vetëm në rolin e përkthyesit të qëndrimeve të VMRO-së.

“Duke e parë qartë se VMRO-ja mbeti partia e vetme që do të shkonte në zgjedhje dhe ky do të ishte fundi i saj politik, ajo si gjithnjë thirri në ndihmë argatin e saj për këto çështje, që ta shpëtojë. Dhe, BDI-ja, duke e kryer me devotshmëri detyrën e ngriti këtë procedurë, ndërsa gjykatësit e VMRO-së në Kushtetuese, po ata që ia dhanë Ivanovit të drejtën për falje të kriminelëve, kësaj radhe votuan se nuk ka kushte për zgjedhje dhe kështu vendosi ta vazhdojë serialin patetik “Ahmeti shpëton Gruevskin”, thuhet në kumtesën me shkrim nga Lëvizja “Besa”.

Ndërkaq,Lidhja Demokratike (LD) konsiderоn se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ta shqyrtojë kushtetutshmërinë e vetë-shpërndarjes së Parlamentit me zbatim anulues, si dhe masa e përkohshme për ngrirje të aktiviteteve zgjedhore është fitore e të drejtës dhe logjikës juridike ndaj politikës të cilën e zhvillon udhëheqësia e partisë qeveritare./Alsat-m