Javën e kaluar në një prononcim për media, kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi pati deklaruar se janë një hap në hyrjen në Qeveri dhe nëse kjo me të vërtetë ndodh pikërisht ata do të jenë syri i zgjuar i popullit në Qeveri, posaçërisht në pjesën e korrupsionit. Gjithashtu gjatë prononcimit të tij, kryetari Gashi kishte konfirmuar se ka pasur disa takime me kryeministrin Zaev, duke thënë se është mirë që problemet brenda partiake mos të barten në qeveri dhe se kryeministri duhet të zgjedh mes Besës së Gashit dhe krahut tjetër. Sipas asaj që thuhet nga burime anonime, në rast se hyjnë bashkë dy grupet qeveria do të mund të ketë probleme të ndryshme funksionimi ngase dy grupet kanë probleme të theksuara mes vete, ku funksionimi i një qeveri me një format të tillë mund të jetë e vështirë. Analistët të afërt me qeverinë reformatore, thonë se hyrja e Afrim Gashit në qeveri do ti jep stabilitet dhe impuls rifreskimi ekzekutivit, me çka një qeveri me Lëvizjen BESA të Afrim Gashit, do të jetë progresive dhe stabile për rrugëtimin e Maqedonisë drejt NATO dhe BE-së.

Për këtë arsye, me insistim të diplomatëve perëndimorë shumë shpejtë pritet që Lëvizja Besa të bëhet pjesë e qeverisë.

“Hyrja e Lëvizjes BESA në Qeveri, fundos ëndrrat serbo-ruse për pengim të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO . Shumica fragjile që ka për momentin qeveria, e bën atë të ndjeshme nga lobimet intensive që po bëjnë elemente proserbe dhe proruse në Maqedoni, duke u munduar të ringjallin koalicione të vjetra qeveritare”, kanë thënë burime diplomatike për disa mediume ndërkombëtare në gjuhën shqipe.

“Me Lëvizjen Besa stabilizohet shumica qeveritare, sepse edhe ata deputetë të shumicës aktuale për të cilët kemi informacione se luhaten mes Zaevit dhe VMRO-së, do ta kuptojnë se janë të kota dhe nuk mund të kenë sukses shantazhet e tyre ndaj qeverisë”, kanë theksuar të njëjtat burime diplomatike