Pushteti që qeverisë gjatë me institucionet frustron bindjet vetjake dhe bëhet gjithnjë e më shumë jo efikas për t’i shërbyer qytetarit. Ndoshta në vete si shoqëri e lejuam me vetëdije apo pavetëdije që elitat politike aktuale të na gjunjëzojnë me anë të sundimit të tyre, ndersa në demokracinë e vërtetë duhet të jetë e kundërta, është shoqëria, qytetari ose populli, ai që të gjunjëzon dhe mbase të dikton politikat e mundshme! Udhë tjetër nuk ka, pos ndëshkimit, ose me vullnetin e lirë të votës, pasi në demokraci vullneti i lirë i palëve vendos se kush do t’i qeveris interesat e qytetarit, shprehet në një prononcim të tij për portalin Fol.mk shkrimtari Bujar Plloshtani.

Nga ana tjetër publicisti Ahmet Selmani, në lidhje me situatën aktuale politike në vend mendon se është mjaft e brishtë, dhe si prandaj është krijuar kjo gjendje politike; askush nuk beson në asgjë. Dyshimi dhe mosbesimi janë bërë formula kryesore e qytetarëve. Më e keqja është se edhe vetë ata që marrin pjesë në pushtet, nuk i besojnë njëri-tjetrit, por prapë rrinë bashkë. Pra e keqja i ka bashkuar deri në theqafje. Ndërsa qytetarët jetojnë me zhgënjimin dhe varfërinë. Ndërsa, Liderët tanë nuk kanë as principe e as kritere; ata shpejt bien në hurdhën e servilëve, spiunëve, matrapazëve, batakçinjve, kurvarëve, bastardëve, hajdutëve etj., ku pastaj notojnë bashkë me ta, duke e humbur orientimin dhe sensin për vlerat morale dhe kombëtare. Prandaj partitë tona viktimizohen nga kjo sjellje e liderëve. Thjesht rreshtohen me të këqinjtë dhe ikin nga të mirët. Dhe natyrisht kështu përfundojnë me turp.

©Fol.mk