Ka vazhduar edhe sot protesta e banorëve të Bogovinës, kundër menaxhimit nga komuna të ujësjellësit të fshatit. Ata thonë se nuk heqin dorë nga ujësjellësi, gjegjësisht shoqata për menaxhim me ujësjellësin “Ali Munishi” për arsye se financimi dhe mirëmbajtja e rrjetit të ujësjellësit është bërë me vet financim të banorëve.

“Kërkojmë nga kreu i komunës dhe këshilli komunal që të shqyrtojë kërkesën tonë dhe të ulemi bashkërisht të gjejmë një zgjidhje e cila do tejkalonte mos marrëveshjet dhe do i jepte zgjidhje ligjore për problemin e menaxhimit me rrjetin e ujësjellësit Ali Munishi”,tha drejtuesi i këshillit për organizimin e protestave, Vedat Sadiki.

“Këshilli komunal në suaza të ingerencave të veta në asnjë moment nuk ka vendim zyrtar i cili është valid. Tentativat për frikësime nga ekzekutivi janë të pabaza“, tha Bujar Misini, këshilltar i pavarur.

Nga komuna e Bogovinës, nuk kanë komentuar protestën e banorëve, por përmes telefonit janë shprehur se ligji i pushtetit lokal i obligon me një gjë të tillë ashtu sikur edhe në të gjitha komunat.

“Këta banorë të cilët qetazi largohen nga sheshi i fshatit Bogovinë kanë apeluar dhe kërcënuar institucionet komunale se, nëse nuk ndodh që uji të iu kthehet atyre dhe të menaxhohet nga vet ata, ata do vazhdojnë të qëndrojnë këtu nëse është nevoja edhe me ditë të tëra”.

Ndryshe kjo është protesta e tretë me radhë e organizuar nga banorët e fshatit Bogovinë, të cilët kundërshtojnë komunën, të marr nën kompetenca të saj menaxhimin me sistemin e ujit për pije./Alsat-M/B.S