Anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor nuk kanë marrë kompensime shtesë për punën e tyre vetëm për zgjedhjet e fundit lokale dhe ato parlamentare, por vetveten e kanë gostisur edhe në prill të vitit të kaluar për kur ishin planifikuar dhe më vonë anuluar zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kreu i KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski në një sqarim për gazetarët para se të fillonte debati në KSHZ tha se nuk ndjen faj për paratë e marra, pasi ata janë e drejtë ligjore e tyre por se megjithatë po shqyrtohen mundësitë se si këto para të kthehen në buxhetin e shtetit. Gjatë debatit në KSHZ, Violeta Duma tha se nuk ka asnjë parregullsi në këtë rast. Sipas saj, është ligjore që, të gjithë që janë angazhuar gjatë procesit zgjedhor, të kompensohen varësisht angazhimit që kanë pasur. Duma shtoi se kompensimin shtesë që ka marrë, do ta donojë ose do ta kthejë në buxhet. Të njëjtin qëndrim sa i përket këtyre bonuseve ndanin edhe anëtarët tjerë.

Por sa ka kushtuar puna një vjeçare e KSHZ-së pas reformave në këtë institucion dhe emërimin e kryetarit Aleksandar Çiçakovski kah fundi i vitit 2015? Alsat M përmes veglës për qasje të lirë në informacione me karakter publik kërkoi të dhëna për pagat e anëtarëve të këtij Komisioni, për kompensime të paguara, mëditje për udhëtime, për ushqim dhe pije në bife, në periudhën nga mesi i dhjetorit të 2015-tës e deri para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vitin e kaluar. Pikërisht në këtë periudhë kohore prej rreth një viti, në baza të ndryshme, anëtarëve të KSHZ-së u janë paguar rreth 10 milion denarë, ose 160 mijë euro. Pagat sipas të dhënave që i morëm, sillen prej një mijë deri në 1150 euro në muaj për çdo anëtarë veçmas. Në qershor të vitit 2016, të gjithë anëtarët e komisionit kanë ndarë prej 3 mijë deri në 3 mijë e 600 euro si kompensim për punën e tyre. Në listën e shpenzimeve rrugore dominon Silvana Boneva me 708.000 denarë ose 11.500 euro për dhjet muaj punë në KSHZ, më saktë 1150 euro në nivel mujor vetëm për shpenzime rrugore. Bedredin Ibraimi ka marrë 3220 euro ndërsa Subhi Jakupi gjysmën e kësaj shume, gjegjësisht 1560 euro. Çiçakovskit i janë paguar 61 euro modeste. Krahas këtyre parave, anëtarët e KSHZ-së në kurriz të Komisionit kanë mundur të hanë dhe të pinë në bife. Në këtë mënyrë, për kryetarin Çiçakovski në bife për ushqim dhe pije janë paguar prej 45 deri 150 euro në muaj, ose për 10 muaj, një mijë euro. Më modest ka qenë Atanas Urumov i cili ka pirë dhe ka ngrënë vetëm 260 euro.

Alsat-M