Plot dy milionë e katërqind mijë denarë janë akorduar nga buxheti i Programit të Kulturës për këtë vit për të mbështetur tre projekte të një shoqate që njihet aspak për veprimtarinë në sferën e kulturës, madje as anëtarësinë e saj. Bëhet fjalë për Art Tetovë, Lidhjen e Artistëve Shqiptarë – e cila është një prej aplikuesve që në Programin Vjetor të Ministrisë ka përfituar mbështetje maksimale për tre projekte në sektorin e muzikës, pa ndonjë diferencë të madhe mes shumës së kërkuar dhe asaj të miratuar për realizimin e projektit.

Nga komuniteti artistik në këtë qytet të kontaktuar nga KOHA nuk kanë dijeni, as për aktivitetin dhe as për treguesit e suksesit të kësaj shoqate e cila ka siguruar shuma të mëdha. Informacionet e vetme për LASH – Art Tetovë mund të gjenden vetëm në Regjistrin Qendror, ku si kryetar i saj qëndron Kujtim Saliu (me adresë banimi në Kërçovë). Saliu është edhe gjithashtu edhe anëtari i vetëm i shoqatës. Mbetet indikative për këtë shoqatë sesi do të menaxhojë dhe ku do të shpenzojë paratë e akorduara. Një prej aktiviteteve të saj deklaron se do ta realizojë në ambientet e saj, Art, vendndodhja, pasi sipas adresës që figuron në Regjistrin Qendror, gjendet një apartament banimi dhe jo selia e shoqatës, në të cilin pretendohet se do të realizohet projekti “Duke njohur vlerat tona” (janë kërkuar 930 mijë denarë dhe janë miratuar 900 mijë). Një tjetër projekt është Festivali i Muzikës Shqiptare Polifest (që do të zhvillohet në ambientet e Qendrës së Kulturës Tetovë, për të cilin janë ndarë 800 mijë denarë, ndërsa 700 mijë denarë të tjerë janë ndarë për 21 nominimet për shpërblimet Art 2017 (për të njëjtin festival).

I pyetur nga KOHA, sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri, lidhur me projektet dhe shumat që i janë ndarë kësaj shoqate, dhe të tjerave, individëve…, lidhur me kredibilitetin, besueshmërinë e tyre, thotë se nuk është detyrë e Ministrisë që të verifikojë të dhënat e tyre. Thjesht miratohen projektet, të cilat janë vlerësuar nga ana e komisionit se duhet të miratohen.

“Ju garantoj se të gjitha këto shoqata kanë konkurruar edhe më parë, por kanë pasur buxhet të limituar dhe nuk kanë dalë në pah. Si guxojmë të paragjykojmë projektet që ende as nuk janë nënshkruar dhe as që kanë nisur që të realizohen… Ne mund të flasim në fillim të vitit të ardhshëm kur do të vëmë në tavolinë ndarjen e mjeteve dhe realizimin e projekteve. Deri atëherë nuk mund të marr guximin të paragjykoj asnjë projekt që i janë ndarë mjete nga Ministria e Kulturës, se si do të jetë fundi i tij”, thotë Aziri, duke mbrojtur vendimin për ndarjen e 2.4 milionë denarë kësaj shoqate.

Qëndrim i Azirit është në kontradiktë me atë të anëtarit shqiptar i këtij komisioni, Rami Mustafa, i cili ka deklaruar se përzgjedhja e shumave dhe projekteve fituese është bërë duke shpërfillur vlerësimet profesionale. Shumë shoqata e individë kanë konkurruar duke marrë fonde të mëdha, të tjerë shuma disa herë më të vogla nga sa kanë kërkuar. Ka shumë raste kur për financimin e projekteve të ngjashme, janë ndarë shuma të ndryshme. Për një koncert deri në 300 mijë, 600 mijë denarë, për një festival mbi një milion denarë, e për të tjerë 80 mijë denarë, si “Ylberi Fest”. Sipas Azirit, Ministria e Kulturës nuk është e obliguar që të sponsorizojë evente private, edhe pse të tilla janë edhe aktivitetet e ART Tetovë me 45 mijë euro. “Por mund edhe të debatohet nëse një festival mund të ngrihet në nivel nacional”, shton ai.

I pyetur se nëse është verifikuar se kujt do t’i besohen këto shuma të mëdha dhe nëse do të vihen vërtet në funksion të artit dhe kulturës, Aziri thotë se do ta tregojë koha. Sipas tij, mes shoqatave figurojnë edhe emra të njohur e më pak të njohur, pasi iu është dhënë shansi organizatave të reja, artistëve të rinj, për të mos krijuar monopol të shoqatave që fitojnë çdo vit.

“Në gjithë këtë buxhet të madh, ndoshta kemi bërë edhe hapa fals, pasi nuk mund të them që është më i miri i ndarë, por edhe më i madhi që kemi ndarë për shqiptarët. Dhe në këtë moment që e kemi arritur – debati bëhet që hajde të paragjykojmë ato që i kanë marrë, që s’është e drejtë”, thotë Aziri.

Megjithatë, reagimet negative në opinion mbeten. Nga kjo ndarje e mjeteve janë distancuar edhe vetë anëtarët shqiptarë të komisioneve që akuzuan për padrejtësi dhe joprofesionalizëm. Mbetet pa përgjigje pyetja se kush atëherë vendosi se sa mjete dhe ku do të përfundojnë mjetet e Ministrisë së Kulturës.