Enti evropian për statistika (Eurostat) njoftoi sot se buka në të gjithë Bashkimin Evropian (BE) kurrë nuk ka qenë më shtrenjtë se tani.

Eurostat tha se çmimet e ushqimeve janë rritur ndjeshëm në të gjithë BE-në, për shkak të, siç theksojnë, pushtimit rus të Ukrainës, i cili ka çrregulluar ndjeshëm tregjet globale.

Në njoftimin për media thuhet se Rusia dhe Ukraina janë eksportuesit kryesorë të drithërave me fara vajore dhe plehrave.

Muajin e kaluar, shkalla vjetore e inflacionit në Eurozonë ishte 9.1 për qind, që është maksimum historik, ndërsa çmimi i bukës në BE u rrit me 18 për qind krahasuar me gushtin e vitit 2021.

Rritja më e lartë e çmimeve u regjistrua në Hungari (66 për qind), e ndjekur nga Lituania (33 për qind) dhe Estonia dhe Sllovakia (32 për qind).