Nëse nuk i rregullojmë situatat në jurisprudencën dhe nëse përfundimisht nuk mbisundon e drejta, biznesi do të nxjerrë kapitalin jashtë, do të regjistrojë kompani në Preshevë, Sandanski, Selanik… Administrata duhet doemos të marrë një figurë të re. Kjo është kancer që do të shkatërrojë organizmin tonë dhe vetë neve. NATO-ja dhe BE-ja po, por na duhen tregje të reja, na duhen institucione të forta, e jo individë. Drejt kujt të orientohemi? Drejt ndërtimit të infrastrukturës moderne, drejtë zhvillimit të xehetarisë dhe lëndëve të para minerale (por, jo dhënie të koncesioneve për kompani të huaja), drejt transformimit të lon-prodhimtarisë dhe, gjithsesi, drejt krijimit të vlerës së shtuar në bujqësi.

Këto janë vetëm disa nga mendimet dhe porositë e njeriut të parë të shoqërisë më të vjetër të odave në vend. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, në intervistën për MEDIAL-n bën të ditur se tri dekada jetojmë dhe punojmë në ngërç, por edhe se çdo krizë duhet shikuar pozitivisht, të mësohet diçka prej saj, veçanërisht si të mos përsëriten gabimet.

Në 30 vitet e kaluara nuk arritëm të krijojmë shtet bashkëkohor, e me siguri as shtet të rëndomtë, vlerëson Azeski dhe shton se njëri prej dështimeve më të rënda dhe më të mëdha është arsimi.

Konsideron edhe se mjetet buxhetore nuk përdoren në mënyrë racionale, ekonomike. Në këtë kontekst pyet, “pse është investuar shuma serioze prej 70 milionë eurove në një stadium në të cilin janë zhvilluar vetëm dy ndeshje”.

Azeski në intervistë përqendrohet edhe në zgjedhjet, fushatën greke „Macedonia the GReat“, masat qeveritare për mbështetjen e biznesit dhe pagën minimale, marrëdhëniet e tregjeve me Rusinë… Veçanërisht e thekson nevojën e përgjegjësisë dhe sundimit të së drejtës. Nënvizon se nëse dikush ka kryer vepër penale, duhet të përgjigjet, e jo të shfrytëzoj mantelin e politikës ose institucionit.

Kryetar, po e përmbyllim edhe një vit ekonomik. Si do ta kishit vlerësuar shkurtimisht dhe si do ta kishit kualifikuar nëse bëjmë një paralele me situatat në periudhën paraprake? A shënojmë lëvizje faktike para dhe nëse po, në cilat segmente?

Viti 2019, që po e lëmë pas, do të shënohet si vit në të cilin Qeveria tentonte të bëjë një hap më të madh përpara jashtë, sesa në vend. Ishte e fokusuar në zgjidhjen e çështjeve të mëdha politike mbyllja e të cilave duhet të krijojë hapësirë për zhvillimin e ekonomisë. Ky ishte edhe vit në të cilin duhej pak më shumë të kthehemi drejt ekonomisë, por dinamikat e ndryshme, veçanërisht ajo që ndodhi me datën për fillimin e bisedimeve me BE-në, më pas ratifikimi i Marrëveshjes për NATO-n, më pas kishte problem me Marrëveshjen me Bullgarinë… nuk lanë hapësirë që tërësisht t’i përkushtohemi ekonomisë ashtu siç duam. Nëse në një fjali duhet të sublimojmë vitin, do të them se është një vit normal në të cilin zgjidheshin çështje të mëdha dhe të rëna të politikës së jashtme të cilat, nëse zgjidhen ashtu siç kemi parashikuar, do të mundësojnë zhvillim të ekonomisë në periudhën e ardhshme.

Në raport me sektorët, nuk ka ndonjë që është prekur veçanërisht ose, nga ana tjetër, që është afirmuar. Mund të flasim vetëm për gjithë ekonominë. Vlerësimi ynë është se në këtë moment nuk ka sektor të rrezikuar, së paku jo në ato ndërmarrje që janë anëtare tona që janë në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në vend sipas fitimit dhe numrit të të punësuarve.

Mund të flas për shifra të mira statistikore, por në realitet situata është më e ndërlikuar. Megjithatë, kemi shpresë se zgjidhja e çështjeve të mëdha do të krijojë hapësirë për ekonominë.

Sivjet kishim zgjedhje presidenciale, ndërsa në prill është mësa e sigurt se na presin zgjedhje të parakohshme parlamentare. Gjërat sikur rrotullohen në rreth. Ku e shikoni rrugëdaljen nga kjo situatë “status-kuo” që na mban peng me vite të tëra?

Kur ma parashtroni këtë pyetje, më duhet t’i referohem një mendimi të akademikut të ndjerë Nikolla Klusev i cili në debatin për privatizimin e vitit 2007 tha se privatizimi vetvetiu nuk ishte mëkat. Mëkat është nëse dikush e keqpërdorë për qëllime politike. Mund të them se kjo qëndron shkëlqyeshëm në konstatimin për zgjedhjet. Zgjedhjet janë instrument pa të cilin nuk mund të ekzistojë procesi demokratik dhe ne nuk mund t’i anulojmë ose t’i prolongojmë në tetë ose dhjetë vite që biznesi të ketë përfitim. Ata duhet të vihen në funksionin e tyre, të mos keqpërdoren dhe maksimalisht të jenë të shkurtra dhe efikase. Shpesh e theksoj shembullin me Greqinë ku pas çdo zgjedhjeve, të hënën në mëngjes te presidenti i shtetit ka një prift, kryeministri i ri jep betimin dhe nga ajo ditë është kryetar i Qeverisë me autorizime të plota. Nëse asgjë tjetër, le të shkohet atje dhe le të shikohet se si zgjidhet kjo.

Çerçili ka thënë: demokracia është forma më e keqe e sundimit ose nuk kam dijeni për më të mirë. Kështu që, nuk e di se çfarë duhet të bëjmë por me siguri nuk mund t’i anulojmë zgjedhjet në mënyrë që dikush të jetë mirë. Mendoj se është banalitet përsëritja se zgjedhjet sjellin probleme. Angazhimi ynë është periudhë sa më e shkurtër, sa më pak zgjedhje të jashtëzakonshme jo meqë na pengon neve, por meqë jep sinjal të keq jashtë vendit se diçka e pazakonshme është duke ndodhur te ne, ndërsa kjo ndikon në pozicionet tona si biznes.

Kryetar, nuk mund të anashkalohet pyetja për fushatën „Macedonia the GReat“ të Greqisë …

Greqia është shtet serioz, veçanërisht në atë plan. Kam përvoja të mëdha nga puna me ta dhe nëse më pyetni për implementimin e Marrëveshjes së Prespës, mendoj se probleme më të mëdha do të kemi këtu.

Grekët janë të organizuar në mënyrë logjistike, të vendosur shumë seriozisht dhe kanë shumë dituri lidhur me të drejtën evropiane. Mendoj se ne këtë qëndrojmë shumë dobët. Kjo nuk do të thotë se do të humbim betejën, por se duhet të tërheqim ekspertë të huaj të cilët do të na ndihmojnë. Nuk është vonë meqë afati është deri në vitin 2021. As Oda, as shteti nuk kanë kapacitet që këtë çështje të zgjidhin në korrelacion të drejtpërdrejt ose nëse e zgjidhim do të jetë betejë e vështirë nga e cila do të dalin të plagosur, të dëmtuar, të lënduar.

Para do kohë u mbajt Forumi maqedonaso-rus i biznesit. Në të ishin të pranishëm kryeministri, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, ministra qeveritarë, ndërsa ndodhi një muaj e gjysmë – dy muaj pasi nuk e morëm datën për fillimin e bisedimeve. Në opinion u paraqitën spekulime se vendi po fillon të kthehet drejt tregut rus si reagim ndaj mosmarrjes së datës. A vëreni edhe ju diçka të tillë ose hyrja në Bashkimi Euroaziatik për ne është opsion plus?

Unë në këtë moment pohoj se në vend nuk ka asgjë serioze që është e ndërlidhur me ndonjë lobim ekonomik ndaj Rusisë dhe Bashkimit Euroaziatik. Këto janë vetëm arsyetime për mosbërjen e detyrave dhe të transformimeve që duhet t’i bëjmë. Integrimet euroatlantike janë shënjestër dhe fokus i numrit më të madh të qytetarëve dhe të numrit më të madh të ndërmarrjeve. Gjithnjë e më shumë flitet se afrimin tonë drejt BE-së pa marrë parasysh se kemi problem rreth procesit, duhet ta bëjmë për shkak të neve. Këto kritere dhe standarde na nevojiten neve.

Ajo që unë konsideroj se duhet ta them në raportet me Rusinë është politika e gabuar dhe turpi i kryesive i të gjitha ish-republikave jugosllave, përveç Sllovenisë, të cilat për shkak të nuk e di cilave arsye e braktisën tregun rus në fillim të viteve të nëntëdhjeta dhe ua lëshuar sllovenëve gjithë shkëmbimin. Sllovenët nuk kishin kompleksin që të bashkëpunojnë me Rusinë, ndërsa të gjithë ne e kishim në mënyrë që t’i dëshmojmë palës tjetër se jemi me të dhe ja, nuk do të punojmë me Rusinë. Dhe gabuam. Tregu rus është treg milionash dhe ishte kompatibil me tregun tonë të atëhershëm jugosllav. Mund të plotësonim një boshllëk serioz, por tani nuk mund të kthehemi në atë treg meqë nuk kemi as para, as mjete, as marketing, as mundësi. Edhe atje ku bëjmë përpjekje, shkon me halle dhe probleme të mëdha, me shumë investime, meqë ka ekzistuar ndërprerje. E këtë ndërprerje në biznesin dikush e paguan.

Unë jam “po” për BE-në dhe “po” për NATO-n, por na duhen edhe tregje të tjera, pavarësisht nëse janë ato tregu rus ose tregjet e Lindjes së Afërt dhe Afrikës së Veriut. Ato janë tregje me fuqi të madhe absorbuese për strukturën tonë eksportuese të produkteve.

Në këtë kontekst, do ta kisha përmendur MAGREB-in. Oda Ekonomike që moti angazhohej për bashkëpunimin me këto vende, por sikur nuk kemi dëgjuar gjatë kohë diçka për këtë, për ndonjë iniciativë për paraqitje në ato tregje…

Kjo ishte periudhë në të cilën ne zhvillonim politikë që duhej të rezultonte me krijimin e bazës juridike për rritjen e aktivitetit ekonomik me ato vende meqë nuk kemi marrëveshje për evitimin e tatimimit të dyfishtë ose mbrojtje të investimeve, pranimin e vizave… Shkëmbimi ishte shumë i dobët, por nëse e gjithë kjo mund të zgjidhet, kjo do të thotë nxitje të madhe për më tutje.

Megjithatë, tregjet në Lindjen e Afërt, në Afrikën e Veriut dhe në ish-republikat sovjetike janë shënjestra drejt të cilës duhet të lëvizim me strukturën e tanishme të produkteve që i eksportojmë. Shifra prej afër 80 për qind eksport në BE është sinjal serioz që të merremi me çështjen e kërkimit të tregjeve të reja. Duhet të kërkojmë partnerë me të cilët mund ta bëjmë këtë.

T’i kthehemi sërish politikës. Nga ky muaj hyri në fuqi paga minimale prej 14.500 denarëve. Si e vlerësoni këtë masë, mund të nxisë diçka ose e nënçmon dinjitetin e qytetarëve?

Gjithmonë kam mbajtur qëndrimin, e edhe sot qëndroj në atë, se rregullimi i marrëdhënieve nga ana e shtetit drejt sektorit privat është gjë e keqe. Sektori privat duhet t’i ketë kornizat në të cilat do të lëvizë, të ketë lirinë e plotë në intencën e saj.

Kjo paksa më ngjan në atë, prandaj u urdhërova shërbimeve të kontrollojnë nëse kontrata të këtilla, përcaktime të pagave minimale ndodhin edhe në vende të tjera. Në befasinë time të madhe, përgjigjja ishte “po”. Në gjithë BE-në ka përcaktime të pagës minimale, vende që i konsiderojmë të zhvilluara, të avancuara.

Nëse do të pyetesha unë, si individ, lartësia prej 14.500 denarëve jo vetëm që është nënçmuese, por edhe vetë çelja e kësaj çështjeje është nënçmuese. Duhet të largohemi nga kjo dhe t’ia lëmë sektorit privat dhe tregut të fuqisë punëtore për ta zgjidhur këtë çështje. Shkojmë drejt ekonomisë së tregut dhe këtë duhet ta bëjmë, e nëse paga minimale do të jetë 14.200 ose 14.800 denarë të gjithë jemi të vetëdijshëm se nuk ndryshon asgjë. Kjo e çelë çështjen e formimit të këshillit shumë më serioz socio-ekonomik nga ai të cilin e kemi në dispozicion sot, që duhet doemos të jetë në majën e Qeverisë me përfaqësuesit më reprezentativ të odave dhe sindikatave. Nuk mund të jetë në nivel të Ministrisë. Duhet doemos të ketë aparat personal dhe mjete personale me të cilat do të ushtrojë funksionin. Këto janë elemente që do të mundësojnë dialog të mirëfilltë me sektorin privat që të mund të miratohen zgjidhje të mirëfillta. Në këtë mënyrë do të përcaktohen parimet, lartësinë do ta përcaktojnë punëdhënësit në marrëveshje me punëtorët dhe nga kjo do të varet pozicioni i ndërmarrjes, bilanci i pagave.

Është e pashmangshme edhe çështja e tatimit progresiv, pushimin e tij për 36 muaj ….

Lidhur me këtë çështje, Qeveria e pa shumë shpejtë se është gabim procedura e moskonsultimit me sektorin e biznesit. Por, nuk është problemi në kontraktimin. Problemi qëndron në implementimin. Mund të merremi vesh, të flemë me Qeverinë, të jemi të respektuar, por është problem nëse kjo nuk zbatohet.

Vuajmë nga (mos) zbatimi meqë kur të vijmë në hapin e parë ku jepet rezistencë, varësisht nga ajo se sa do të jetë rezistenca, ndryshojnë qëndrimet. Prandaj, zgjidhja e problemeve tona është implementimi, e jo krijimi i zgjidhjeve ligjore.

Si e komentoni mbështetjen qeveritare të sektorit privat për rritjen e pagave?

Kjo është simbolike. Mendoj se Qeveria dëshironte të nxisë sektorin privat që të bëjë diçka më tepër, gjë që për mua është hap i mirë. Në mënyrë simbolike tregoi se do të bëjë diçka. Hapin kryesor duhet ta bëjë sektori privat, t’i rrisë pagat, por pa e rrezikuar ndërmarrjen, në këtë mënyrë ta arrijmë nivelin e dinjitetit, e edhe të zgjidhim disa çështje të mëdha që janë politike.

Hajde të lëvizim dhe të largohemi nga ajo shifër prej 300 euro. Të shkojmë përpara. Atëherë do të zgjidhim një varg çështjes, edhe për paga minimale edhe për standard edhe për zhvillim të demokracisë,…

Të ndryshme janë vlerësimet për Propozim-buxhetin për vitin 2020 …

Normat e lartë të sjelljes që ekzistojnë në një familje serioze dhe në një ndërmarrje serioze, duhet të ekzistojnë edhe në një shtet serioz. Nuk mundet të ketë buxhet prej 3,5 miliardëve, e të mos mbahet llogari për shpenzimin.

Gjithmonë kam evituar të flas për buxhetin në mënyrën në të cilën njerëzit dhe kompanitë e presin nga unë për shkak se ky është instrument joserioz i sundimit të së drejtës dhe realizimit të premtimeve programore të një partie politike. Buxheti me siguri nuk përdoret në mënyrë racionale, meqë asgjë nuk përdoret në mënyrë racionale te ne. Problemi qëndron te ne, drejtpërdrejt. E komentojmë vetëm pozicionin e konsumit investues, investimet kapitale meqë kjo është instrument përmes të cilit mund të kemi aktivitet ekonomik. Analizat tregojnë se të gjitha vendet lindore zhvillohen me ndihmën e mjeteve të FMN-së, Bankës Botërore dhe nga investimet kapitale në buxhetet që ishin fryrë seriozisht. Te ne kishte një periudhë të madhe në këto 30 vjet kur investimet kapitale përdoreshin me 30, me 50 për qind. Po edhe sot mund të dëgjojmë gjëra të tilla.

Në këtë kontekst do të doja të pyes, pse askush nuk u brengos që investuam 70 milionë euro në një stadium në të cilin janë luajtur vetëm dy ndeshje? Shtatëdhjetë milionë euro janë para serioze. Pse askush nuk tha që të vihet disi në funksion kjo bishë meqë me siguri edhe mirëmbahet… Flas për sensin e njerëzve. Nuk shikoj se dikush ka shkruar për atë. Askund, asnjë fjali: pse është ndërtuar, pse mirëmbahet dhe pse nuk përdoret?

Kryetar Azeski, sa mund të shkojmë realisht përpara, a kemi vizion se ku jemi duke lëvizur dhe çfarë ndoshta duhet të bëjmë në afat më të shkurtër?

Kemi kujtesë të shkurtër. Po ta kishim më të gjatë, do të dinim se në këto 30 vite filluam me frikën se do të vjen deri te intervenimi i Armatës, ajo i shkuli të gjitha kabllot dhe nxori gjithçka nga shteti, më pas mbetëm me 17 milionë marka rezerva revizore. Menjëherë më pas fituam embargo, kishim bllokadë, më pas erdhi deri te situata e krizës në kufirin tonë me Kosovën, kishim 400.000 refugjatë, më pas kishim krizën tonë të luftës, brenda në vend, më pas kur u rikuperuam nga kjo erdhi kriza botërore e vitit 2008, më pas sërish erdhi e jona në vitin 2012… Ne çfarë bëjmë? Vazhdimisht punojmë në kriza. Si mund të arrijmë diçka më tepër nëse tërë kohën jemi në njëfarë ngërçi?

Kemi kompani të suksesshme, 300-500 ndërmarrje të shkëlqyeshme që punojnë sipas të gjitha kritereve të sistemit perëndimor. Këtyre njerëzve duhet t’u japim dekorata. Ne u japim dekorata artistëve dhe kjo është mirë, por nuk mund e të mos i jepet dekoratë asnjë biznesmeni, afaristi që 30 vjet ka kontribuar në mënyrë të mirëfilltë përgjatë gjithë këtyre proceseve, ka mbijetuar, bën profit dhe punëson. Ata njerëz duhet të motivohen disi meqë janë udhërrëfyes për gjeneratat e ardhshme.

Nëse shikojmë ashtu, çfarë ka ndodhur dhe prej ku filluam, atëherë duhet të jemi të kënaqur, e jo të dëshpëruar, por kjo nuk na jep të drejtën të mos ndërmarrim asgjë, ndërsa ne e dimë saktësisht se çfarë duhet të ndërmarrim.

Çfarë duhet të ndërmarrim?

Duhet t’i zgjidhim tre disparitetet kryesore. Këtë e them njëqind herë. Gjëja e parë është raporti mes kapitalit dhe punës meqë as punëtorët nuk janë të kënaqu nga punëdhënësit, e as punëdhënësit nga punëtorët. Këtë e dimë të gjithë, vetëm se nuk duam ta konstatojmë dhe të ulemi të bisedojmë pse është ashtu dhe çfarë duhet bërë që të mos jetë ashtu.

Gjëja e dytë është se duhet doemos të bëhet analizë serioze e popullatës së mirëmbajtur dhe asaj aktive meqë në proporcion të këtillë vetëm mund të shkërmoqemi. Në mënyrë të rrezikshme u afrohemi shifrave të pjesëmarrjes së Buxhetit në Fondin për SPIM që t’i ngarkojmë edhe ato në buxhet dhe të vijmë në situatë të paqëndrueshmërisë. Ky proporcion duhet doemos të mbahet meqë e jep balancën, e jep baraspeshën.

Gjëja e tretë është përfundimisht të arrijmë konsensus politik dhe gjatë ndryshimit të pushtetit të mbijetojë vazhdimësia juridike. Por, në të gjitha segmentet. Nëse ka elemente për vepra penale, të iniciohen. Nuk mund të mos vlejnë dispozitat meqë ka ardhur një pushtet tjetër. Nuk mund të krijohet diskontinuitet. Ata do të vazhdojnë, ndërsa organet e rregullta do të udhëheqin procedura.

Në çfarë aludoni?

Aludoj se këto tri kanë edhe gjashtë disparitete të tjera që duhet doemos t’i zgjidhim.

Së pari, regjistrimi i popullsisë, meqë është e turpshme prej vitit 2001 të mos ketë regjistrim jo për shkak të popullsisë në bazë nacionale, por për shkak të parametrave ekonomike. Mbi çfarë baze bëjmë ne projeksione? Në bazë të cilave shifra? Këtë mund ta kontestojë secili.

Së dyti, decentralizimi. Shpikim arsye nëse do të vjen një situatë e këtillë ose e atillë, dikush do të bëjë këtë ose atë. Vihemi në situatë që të kemi centralizim të plotë në të cilin autoritetet lokale nuk mund të investojnë në asgjë më tepër sesa trotuare. Prandaj komunat na duken kështu dhe prandaj ky disparitet është kaq i madh dhe do të na hajë si një dragua. Deri në vitin 1990 në komunat kishim qeveri me të ardhura burimore të financimit, ndërsa sot kemi transfero organe me punësim të tepruar dhe aktivitet të vetëm investues trotuar. Kështu që gërmoje trotuarin, e më pas mbushe atë. Aq i kemi mundësitë. Dhe këtë e promovojnë të gjithë.

Së treti është çështja e pozicionit të organeve korrigjuese të pushtetit. Çfarë ndodhë me odat, sindikatat, AMSHA-n, universitetet, mediat, sektorin joqeveritar… Gjithsej 196 fakultete dhe 130 shkolla të mesme dhe çka? Demek, konstatuam? E çfarë ndërmorëm rreth kësaj? A mund të ndikojmë të gjithë ne në këtë që e flasim? A ndikojmë? Me siguri jo, meqë situata do të ishte më ndryshe. Kemi lënë hapësirë dhe tani të gjithë flasim për tjetrin, ndërsa askush nuk flet për oborrin personal.

Na duhet ambient në të cilin këto çështje të rëndësishme nuk do t’i vendosim nën tepih. Deri kur do të veprojmë kështu? Ato do të dalin në sipërfaqe.

Do të marrë lirinë që me këtë rast ta përmendi modelin zgjedhor. Kemi model zgjedhor në të cilin mund të ndodhin bllokada të tilla në Parlament që do të pamundësojnë miratimin e çfarëdo aktesh dhe do të frenojnë punën e subjekteve ekonomike dhe ekzistimit të shtetit.

Kemi edhe tabu për të cilat nuk guxojmë të bisedojmë dhe kjo është keq. Kjo është diçka e imponuar. Nëse flet për kursin e denarit, konsiderohesh për rrënues të sistemit ekonomik, ndërsa kudo në botë kjo mund të jetë instrument i rëndësishëm për mbështetje të eksportit.

Mendoj se duhet të kthehemi në zgjidhjet burimore, efikase.

Pse nuk i tregojmë gjërat, pse i vendosim nën tepih?

Sepse nuk duam të përballemi me realitetin, sepse duhet paguar çmimin për këtë. Me siguri çmimi është tepër i lartë. Nëse përkufizojmë se çfarë nevojitet, na nevojitet diskutim, diskutim i mirëfilltë në të cilin do të respektohemi dhe në të cilin do të vlejë mendimi i shumicës i mbështetur me më së shumti argumente.

Kemi situatë kur njeriu që në mbrëmje është i akuzuar, ndonëse ende është i pafajshëm sipas prezumimit të pafajësisë, por, del menjëherë në televizion, që në orën katër dhe thotë se kundër tij është parashtruar kallëzim për shkak të përkatësisë politike. Me këtë tashmë është i amnistuar. Gati. Madje nuk ka nevojë as për gjykim. Atëherë të dal edhe unë dhe të them se mua kjo dhe kjo më bëhen meqë jam nga Oda ekonomike. Jo, nëse kam kryer vepër penale, do të përgjigjem, nuk mund të përdoret manteli i politikës ose institucionit.

Kryetar, përkundër gjithë kësaj që e konstatuat jeni optimist. Konsideroni se kemi kapacitet për të ndryshuar diçka. Pse?

Meqë kemi shifra serioze të vlerave që mund të vihen në funksion, e nuk janë shfrytëzuar. Për shembull, 5.2 miliardë depozite të qytetarëve në bankat tona që qëndrojnë aty për interes prej 0.5 për qind, nuk shfrytëzohen. Kjo jep një sinjal të qartë se diçka nuk është në rregull pasi që ato para nuk shfrytëzohen për ndonjë aktivitet investues. Gjëja e dytë është, dëgjojmë se minierat për të cilat morën koncesione investitorë të huaj, do të bëjnë qarkullim prej 400 milionë eurove. Këto janë gërmime sipërfaqësore. Po çfarë kemi bërë në 70 vite? Pse nuk i hapëm dhe pse nuk i kemi eksploatuar? A ka këtu potencial serioz? Ka. Pse e japim që dikush tjetër ta eksploatorë?

Çdo shtet serioz bën analizë të vlerës së shtuar të lonit. Sa lon prodhojmë ne në këtë moment pa vlerë të shtuar? Këtu janë edhe zonat dhe jo vetëm industria e tekstilit, por edhe ajo e përpunimit të lëkurës, metalurgjia, … Çfarë bëjmë për të subvencionuar veprimtari me vlerë të lartë të shtuar? Potenciali i pashfrytëzuar në bujqësi, gjithashtu. Turizmi, transiti.

Sidoqoftë, unë jam optimist se vendi në periudhën e ardhshme do të fillojë me një cikël të ri, duke mësuar nga gabimet personale që doemos do të duhet t’i paguajë.