Babai i Ryan Giggs ka thënë se ndihet i turpëruar nga i biri i tij dhe se nuk mund t’ia përmendë as emrin.
Giggs është konfirmuar ditën e hënë si trajneri i ri i Uellsit, një ditë që duhet të mbushte me krenari të gjithë familjen e tij.
Por, duke folur për The Sun, babai i Giggs, Danny Wilson thotë se familja e tij nuk do t’ia falë asnjëherë aferën që pati me gruan e vëllait të tij.
“Duhet të isha babai më krenar në botë, për atë që ka arritur biri im – por ndihem i turpëruar. As emrin nuk ia përmend dot – i referohem si ish-futbollisti,” shprehet Wilson për The Sun.
“Ai nuk vë njeri përpara vetes së tij dhe e vetmja gjë që i intereson është të bëjë analistin në TV dhe të hapë hotele. Tani kur del në TV ndërroj kanalin, e gjithë familja e bën.
“Ai është fëmija im dhe më vjen për të qarë të pranoj se familja ime nuk e respekton atë. Ai është vëllai më i madh dhe duhet ta kishte ndihmuar vëllain e tij dhe jo t’ia punonte ashtu pas shpine. Ai e tradhtoi në mënyrën më të keqe dhe nuk u tregua aq burrë të kërkonte falje.”
44-vjeçari Giggs, ish-mesfushori i Manchester United, është emëruar të hënën si pasardhësi i Chris Coleman në përfaqësuesen uellsiane.