Kërkimi pionier mbi redaktimin e gjeneve e ka vendosur Mbretërinë e Bashkuar në vijën e frontit të revolucionit shkencor të ardhshëm- pavarësisht nëse pjesa tjetër e botës është gati për këtë apo jo. 

*Nga Madhumita Murgia

Në qershor të vitit 2014, ditën kur lindi në një spital të Londrës, Layla Richards ishte një bebe buçko 3 kilogramë e gjysmë, me flokë të butë e të errët dhe me faqe të mbushura. Por 12 javë më pas, Layla, e sistemuar në një shtëpi në veri të Londrës, befas ndaloi së piri qumësht dhe nisi të grindet e qajë pa pushim. Për shkak se kish qenë një fëmijë i qeshur e i lumtur deri atëherë, prindërit e çuan te mjeku. Ai dyshoi për një virus në stomak, por për të qenë i sigurt i kreu analizat e gjakut. Rezultatet që dolën disa ditë më vonë ishin tronditëse; Layla kishte një formë akute, vdekjeprurëse leucemie, ndaj së cilës nuk mund të mbijetonte pa trajtim të menjëhershëm. Ishte vetëm 14-javëshe. Sapo doli diagnoza, një ambulancë e mori nxitimthi familjen prej shtëpisë dhe e çoi drejt kujdesit intensiv në Spitalin Great Ormond Street (GOS), qendra më e famshme pediatrike në botë, në Bloomsbury. Mjekët e përshkruan kancerin e saj si “një nga format më agresive të sëmundjes” që kishin parë ndonjëherë. Në javët në vijim, ajo iu nënshtrua disa raundeve të kimioterapisë, ndjekur nga një transplantim i plotë palce për të zëvendësuar qelizat e dëmtuara të gjakut. Kjo lloj terapie agresive shpesh mund të jetë e suksesshme te foshnjat, por asnjë nga trajtimet e Layla-s, as ato eksperimentalet, nuk funksionoi. Nga ana mjekësore, ajo nuk kishte mundësi. Vetëm një zgjedhje kishte mbetur – ta pranonin atë në një facilitet të kujdesit terminal për t’ia bërë javët e fundit më të rehatshme.

Vetëm disa dyer më poshtë nga pavijoni i leucemisë në Spitalin Great Ormond Street, ndodhet zyra e dr. Waseem Qasim, një imunolog gjenial me mjekër, i specializuar në çrregullimet e sistemit imunitar te fëmijët, përfshirë kanceret. Për muaj me radhë, Qasim-i ka punuar mbi një tip të ri trajtimi për leuceminë, në të cilin qeliza të bardha të dhuruesve anonimë projektohen për të njohur qelizat kanceroze, duke iu gërshetuar gjenet. Qelizat e bardha të gjakut janë ushtarët e trupit; ato luftojnë sëmundje infektive dhe mësymës të huaj. Qelizat e përpunuara formojnë një arsenal qelizash vrasëse të kancerit, që mund të injektohen te gjithsecili. Ka një problem: procedura është testuar vetëm te minjtë. Laboratori i Qasim–it është i vendosur në Institutin GOS për Shëndetin e fëmijës në Kolegjin Universitar të Londrës, që lidhet nga një korridor i vetëm me spitalin Great Ormond Street. “Ne lëvizim pa mundim mes të dyve. Nuk ka barriera të tjera fizike apo intelektuale, kështu që çon në ngjarje të rastësishme”, thotë Qasim-i, ndërsa ecim përmes një sërë dyersh dyfishe nga laboratori i tij drejt spitalit. Qasim-i ka dëgjuar rreth rastit të Layla-s prej kirurgut të transplantimit të saj. “Ai pyeti si në një lloj shakaje: ‘Mund të kem dalë mendsh por a munden (qelizat e tua) të jenë të dobishme këtu?’”, kujton Qasim-i.

Për shkak se terapia nuk është testuar më parë te njerëzit, ka një rrezik të dukshëm të gjërave që shkojnë shumë keq, por prindërit e Layla-s dhe mjekët e dinin se ajo mund të vdiste pa një mrekulli. Pasi Agjencia Rregulluese e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor siguroi një leje emergjence, Layla u bë personi i parë në botë që mori një ampulë të vetme të qelizave me gjene të redaktuara, nga një i huaj, për të sulmuar kancerin e saj.

Ajo që erdhi pas trajtimit eksperimental të gjeneve të shpikura nga Qasim-i –një teknikë e re që përdor gërshërë molekularë të skicuara enkas për të prerë, redaktuar dhe fshirë ADN –u përshkrua nga mjekët e Layla-s si “mrekullibërëse” dhe “tronditëse”. Ajo u shërua brenda katër javëve dhe i mbijetoi suksesshëm një transplantimi të dytë palce.

Tashmë, afro dy vite më pas, ajo qëndron e shëndetshme dhe pa shenja të kancerit.

Kush dëshiron të luajë Zotin?

E vogla Layla ishte një pioniere, i pari person i shpëtuar nga redaktimi i gjeneve dhe pa mjedisin e favorshëm krijuar nga shkencëtarët dhe rregullatorët britanikë në dekadën e fundit, trajtimi eksperimental i Qasim-it, që iu jep veti të veçanta qelizave, nuk do të qe lejuar kurrë.

Me përparimet e kohëve të fundit në redaktimin e gjeneve dhe miratimin qeveritar, Mbretëria e Bashkuar është bërë pionieri i pagjasë në një prej sferave më të debatueshme dhe mbresëlënëse të njohurisë njerëzore: manipulimi i kodit tonë gjenetik. Ndërsa laboratorët kërkimorë rreth botës po punojnë mbi kura gjenetike mbi sëmundjet e fëmijërisë, por edhe te të rriturit, shumë kanë qenë të kujdesshëm në ndërhyrjen me ADN-në e embrionit njerëzor, me frikë ndaj pasojave të paparashikuara, për brezat e ardhshëm. E megjithatë Mbretëria e Bashkuara pati një arritje të dyfishtë në 2016–ën; u bë shteti i parë që legjitimoi zëvendësimin e pjesëve të një embrioni me gjenet e një personi të tretë dhe i pari që lejoi modifikimin gjenetik nga faza embrionale.

Kundërshtarë të teknikës, përfshirë Institutet Kombëtare të Shëndetit në SHBA, si edhe biologët etikë dhe liderët fetarë, besojnë se ata paralajmërojnë një të ardhme dystopike të “bebeve të stiluara” –një botë ku prindërit do të “luajnë Zotin” duke vendosur të redaktojnë gjenet e fëmijës së palindur për ta bërë më të fortë, më të gjatë dhe më të shëndetshëm. Biologu molekular dhe etik David King, themeluesi i grupit pararojë “Human Genetics Alert” në Britani, beson se manipulimi i embrioneve hap “për të parën herë në historinë njerëzore, mundësinë për të stiluar vetëdijshëm qenie njerëzore, në një mori mënyrash”. Një raport i kohëve të fundit nga Këshilli Nuffield për Bio-etikën në Londër ka zbuluar se redaktimi i gjeneve – veçanërisht tek embrionet – kërkonte shqyrtim të mëtejshëm. Opozita etike ngre zërin, veçanërisht aty ku, thuhet se qëllimi për pasojat e paparashikuara konsiderohet i shkëlqyer, ose redaktimi cilësohet si i pakthyeshëm. Premtimi i redaktimit të gjeneve shkon përtej kurimit të sëmundjeve të të rriturve – mund madje të përdoret për të modifikuar embrionet njerëzore dhe fshirjen e defekteve flagrante gjenetikë përpara lindjes. Kjo mund të parandalojë transmetimin e sëmundjeve dobësuese nga prindi te fëmija dhe mund të sinjalizojë fundin e paaftësive të trashëgueshme. Miratimi i fundit i qeverisë së Britanisë mbi kërkimin e redaktimit të gjeneve e ka hedhur vendin në vijën e frontit të revolucionit të ardhshëm në shkencë dhe shëndet, pavarësisht nëse bota është gati apo jo për të.

Gjenitë e gjeneve

Thuajse katër dekada përpara se të lindte Layla Richards-i, një tjetër vogëlushe bëri histori në Britani. Në korrik të vitit 1978, Louise Brown lindi nga një procedurë cezariane te dy prindër vërtet të paduruar. Nuk kishte asgjë veçanërisht të pazakontë rreth lindjes së kësaj foshnjeje të shëndetshme që peshonte 2 kile e 600 gramë – e megjithatë ardhja e saj në botë i ndihu dy shkencëtarëve britanikë të fitonin Çmimin Nobel. Arsyeja: Lousie-a u ngjiz në një pjatë petri, e para bebe në botë që u krijua përmes procesit të fertilizimit in vitro. Atëherë, Louise-a u quajt “bebja epruvetë”, një indikacion mbi çudinë që shkaktoi procedura -që tashmë është bërë standard –në atë kohë. Më 1981 –shin, “The New York Times” shkroi se procedura konsiderohej “ekuivalente me abortin në sytë e disa kundërshtarëve” .

Ngjizja laboratorike e Louise-s është pjesë e historisë së gjatë britanike në zhvillimin e bio-teknologjisë novatore. Kjo trashëgimi nisi në Universitetin e Kembrixhit më 1953-shin, kur studentët doktoralë Francis Crick dhe James Watson thyen strukturën e helikës dyfishe të ADN-së, duke riformuar përgjithnjë kuptimin tonë të biologjisë njerëzore. Konfigurimi i thjeshtë i dy fijeve- vizatur me dorë nga bashkëshortja e Crick-ut, Odile, në punimin e tyre origjinal “Nature” bëri të lindë një fushë e tërë e biologjisë molekulare dhe krijoi teknika avangarde nga klonimi deri te redaktimi i gjeneve. Kërkuesit britanikë iu kanë hapur rrugën teknikave klinike në biologjinë riprodhuese, përfshirë farëzimin artificial, zbulimin e qelizave staminale embrionale te minjtë ( 1981) dhe klonimin e parë të një gjitari si delja Dolly ( 1996). Me secilin prej këtyre arritjeve, shkencëtarët rreth botës janë përballuar me një dilemë moralë sa i përket përkufizimin e jetës njerëzore. Kur bëhet fetus një top qelizash? A ka të drejta një formë jete e krijuar në mënyrë artificiale? A duhen shkartuar dëme fizike si shurdhëria nga popullsia jonë? Pas lindjes së Louise Brown-it, qeveria britanike mblodhi një komitet etik që drejtohej nga filozofi Mary Warnock për të hetuar implikimet e krijimit dhe modifikimit të jetës njerëzore në laborator. Raporti rezultues, i botuar më 1987–ën, çoi drejt një konsensusi kombëtar në përfitimet e dukshme sociale të farëzimit artificial. Raporti gjithashtu çoi në caktimin e një Autoriteti mbi Farëzimin Njerëzor dhe Embriologjinë (HFEA), trupi i parë i pavarur legjislativ në botë që rregullon kërkimin e embrioneve njerëzore dhe trajtimin in vitro. HFEA së fundi ka dhënë dy licenca të debatuara: Në shkurt të 2015–ës, qeveria britanike miratoi një teknologji pioniere gjenesh për të parandaluar që sëmundjet mitokondrike, potencialisht vdekjeprurëse, të kalojnë nga mamaja te fëmija. Duke vendosur gjenet e shëndetshme të një dhuruesi në një embrion in vitro, kërkuesit thonë se bebja në fjalë mund të shmangë simptoma të rrepta si shurdhëria, atrofizimi i muskujve, mëlçia apo mosfunksionimi i veshkave dhe dëmtimet në tru. Por kritikët shqetësohen kur këto bebe të kalojnë kodin e ri gjenetik te fëmijët e tyre, nipërit dhe brezat pasardhës do të ketë pasoja ende të panjohura. Me gjithë kundërshtimin e zëshëm nga anëtarët e Parlamentit, si edhe nga Kisha e Anglisë dhe kleri katolik, Shtëpia e Komunëve në Britani e kaloi me një shumicë dërrmuese dhurimin mitokondrik. Megjithatë ende nuk është miratuar si i sigurt nga autoritetet në SHBA dhe Kinë. Në shkurt të vitit 2016, gjenetistja Kathy Niakan nga Instituti Francis Crick në Britani u bë e para shkencëtare në botë që mori një licencë për të redaktuar embrione të shëndetshme njerëzore me qëllim kërkimor (embrionet nuk mund të implantohen te njerëzit). Synimi i saj ishte të kuptonte më mirë procesin e një zhvillimi të hershëm të njeriut, jo për të stiluar bebe.

Edhe pse kështu, ligjbërësit ishin të vendosur ta ndalonin këtë lloj kërkimi në Britani. Në një debat parlamentar mbi licencën, parlamentari i Partisë Konservatore Jacob Rees-Mogg tha: “Në nervozizmin rreth të mbjellave gjenetikisht të modifikuara, ne po bëjmë lëvizjen kokëkrisur drejt bebeve gjenetikisht të modifikuara”. Shqetësime të ngjashme kanë edhe figura kyçe në Institutet Kombëtare të Shëndetit në SHBA, të cilat janë refuzuese për financimin e kërkimeve në modifikimin e embrioneve njerëzore për shkak të shqetësimeve etike.

Drejtori i këtij organizmi, Francis Collins, ka bërë me dije se bindjet e tij fetare e ndalojnë atë për të mbështetur modifikimin e gjeneve në embrionet njerëzore, “besoj se njerëzit janë në një mënyrë të veçantë individë dhe një specie me një marrëdhënie të veçantë me Zotin dhe kjo kërkon një dozë të mirë përulësie, nëse jemi të poseduar nga mjaftueshëm dashuri, inteligjencë dhe urtësi për të nisur manipulimin e species sonë”. Qëllimi i shkencëtares britanike Keth Niakan është të kuptojë fazat e hershme të jetës njerëzore, kur nuk jemi tjetër gjë veçse një top prej 200 qelizash. Ajo e di se puna e saj do të ndihmojë gratë të ngjizin dhe të mposhten sëmundjet gjenetike. Por nuk është kjo ajo që e çon atë përpara. Motivimi i saj i vërtetë është thyerja e misterit shkencor rreth riprodhimit njerëzor, “Ka potencialin për të revolucionuar vërtet kuptimin tonë në biologjinë njerëzore mbi një pjatë petri”, thotë ajo. “Duke përdorur një mjet që redakton gjenet, të quajtur CRISPR-Cas9, që mund të presë dhe redaktojë ADN-në shumë saktë, ajo dëshiron të izolojë gjene që mendohen se janë të rëndësishme për zhvillimin e fetusit; vetëm atëherë mund të zbulojnë saktë se ç‘rol luan secili. “Kjo pyetje thelbësore – Cilat gjene kërkohen? Është e rëndësishme sepse mund të na ndihmojë të kuptojmë se cila vezë do të zhvillohet, implantohet dhe çelë”. Sot, kur një grua shkon në një klinikë për trajtim in vitro, ekspertët e rendisin cilësinë e embrionit mbi formën fizike, përmasën dhe tipare të tjera të dukshme në vend të karakteristikave gjenetike. Megjithëse embrionet mund të skanohen për deformime kromozomike, pak njihet rreth gjenetikës së zhvillimit njerëzor në këtë fazë të hershme. Autoriteti i Fertilizimit Njerëzor dhe Embriologjisë hetoi tre vjet kërkesën e Niakan-it për të përdorur gërshërët CRISPR-Cas9, duke kryer vizita të imta në laboratorin e saj, nëse embrionet menaxhoheshin me respekt dhe kujdesshëm në laborator dhe nëse dhurueset këshilloheshin dhe përditësoheshin si duhet. Niakan-i u njoftua mbi vendimin e tyre në janarin e shkuar. Ajo kish pasur frikë se mos irracionalja dhe frika ndaj së panjohurës do të fitonin mbi shkencën. Vendimi u festua nga shkencëtarë, grupe pacientësh me sëmundje gjenetike dhe nëna që kishin vështirësi në ngjizje. Emma Benjamin, një grua 34-vjeçare që kishte abortuar spontanisht katër herë foli gjerë në shtyp mbi mbështetjen e saj, “është ndrydhës fakti që kurrë nuk kam pasur përgjigje se pse vazhdoj të abortoj”, ka thënë ajo, “nëse ky kërkim do kish ardhur më herët dhe mund të më kishte ndihmuar të siguroja disa përgjigje atëherë mendoj, mbase do të më kish kursyer edhe shumë dhimbje”.

Hapa bebesh

Pavarësisht fitores momentale të Niakan-it, në Britani implantimi i embrioneve të modifikuara gjenetikisht në mitër me qëllim për të lindur fëmijë mbetet ende i paligjshëm. Kjo siguron që gjenet e modifikuara të mos kalojnë në brezat e ardhshëm; laboratori i Niakan-it duhet të shkatërrojë çdo embrion pas një shënjimi shtatëditor. Megjithëse Niakan-i ngulmon se ky kërkim nuk po prodhon bebe (për momentin), shumë në komunitetin shkencor po e konsiderojnë si mundësi që një embrion i modifikuar mund të rezultojë në një fëmijë të gjallë. Në dhjetor të 2015–ës, disa qindra shkencëtarë nga e gjithë bota u mblodhën në Uashington për të parin samit ndërkombëtar mbi redaktimin e gjeneve. Në mbyllje të tij, biologu fitues i Nobelit David Baltimore, (drejtuesi i eventit) nga Instituti Teknologjik i Kalifornisë, tha si përfundim “Ndërsa dija shkencore përparon dhe pikëpamjet e shoqërisë evoluojnë, përdorimi klinik i redaktimit embrional duhet rishikuar mbi baza të rregullta”. Shkencëtarët kanë arsye për të qenë në ankth. Disa prej tyre kanë garuar shumë përpara. Në prill të vitit 2015, shkencëtarët në Guangzhou, të Kinës kryen një eksperiment mbi modifikimin e gjeneve me CRISPR në embrione njerëzore difektoze, për të redaktuar gjenet përgjegjëse për beta-talaseminë, një çrregullim vdekjeprurës i gjakut. Rezultoi dështim, pasi metoda CRISPR aksidentalisht redaktoi gjenet e gabuara që çoi në ngatërrimin e ADN-së së embrionit. Ky kërkim hapi një debat të nxehtë në vëllazërinë akademike nëse duhej deklaruar apo jo moratorium në modifikimin e embrioneve derisa ligjet dhe rregulluesit etikë të mund të binin dakord me shkencën. Në përgjigje të kësaj, shkencëtarë nga Amerika, Britania dhe Kina kërkuan, në samitin e Uashingtonit, një ngrirje të përkohshme për modifikimin e embrioneve njerëzore të destinuara për lindje, duke e quajtur këtë “të papërgjegjshme” dhe potencialisht të rrezikshme. Vendimi i shpejtë për të bashkëpunuar ndërkombëtarisht flet për natyrën transnacionale të këtij kërkimi; kjo është një fije e shkencës që mund të ndryshojë ç’do të thotë të jesh njeri.

Të redaktosh për beben e përsosur

Megjithëse redaktimi i embrioneve mbetet striktmërisht brenda laboratorëve, shkencëtarët në Universitetin e Newcastle–it në veri të Anglisë po marrin hapin e radhës drejt së ardhmes, duke modifikuar gjenetikisht embrione in vitro për të krijuar bebe të shëndetshme.

Në shtator bebja e parë në botë me gjenet e tri njerëzve lindi në Meksikë, me prindër jordanezë që kishin humbur dy fëmijë dhe kishin pasur katër aborte për shkak të sëmundjeve mitokondrike. Në rastin e kësaj bebeje, keqfunksionimi shkaktohej nga mutacione apo gabime në ADN-në mitokondrike. Procedura u krye nga një ekip prej Nju Jorkut, megjithëse detajet se si u krye nuk dihen. I vetmi vend me një kuadër ligjor apo rregullues në këtë teknologji është Mbretëria e Bashkuar, që qysh prej dhjetorit 2016 një embrion mund të modifikohet në mënyrë ligjore dhe implantohet në mitrën e një gruaje. Prej 2001-shit, Douglass Turnbull, së bashku me embriologen Mary Herbert, ka punuar mbi një teknikë të re in vitro, njohur si dhurim mitokondrik, që iu ofron grave me defekte mitokondrike të kenë fëmijë biologjikë pa pasur mutacionet e nënës. Teknika është pak a shumë si të këmbesh të verdhën e një veze: përfshin heqjen e bërthamës së shëndetshme apo të verdhën, nga një vezë e pllenuar e nënës që përmban rreth 99.8 për qind të materialit gjenetik që fëmija mund të trashëgojë. Kjo transferohet në një vezë të një dhuruesi, bërthama e së cilës është hequr. Dhuruesi, që nuk ka sëmundje mitokondrike, do të kalojë mitokondrinë e vet të shëndetshme. Në këtë mënyrë bebja do të trashëgojë shumicën dërrmuese të karakteristikave të tij biologjike nga prindërit përmes ADN-së nukleare, por do të ketë gjenet e shëndetshme mitokondrike të dhuruesit. Në një studim të botuar në “Nature” verën e shkuar Turnbull dhe Herbert zbuluan se teknika e tyre mund të ulë rrezikun e kalimit të ADN-së mitokondrike defektoze në më pak se 5 për qind, shumë më mirë se sa 60 deri 90 për qind të rrezikut në rastin e kundërt. “Për njerëz që shohin fëmijët t’ju shuhen përpara syve, ky është një rezultat shumë pozitiv”, thotë Herbert.

Të kurosh të pakurueshmen

Ndërsa shkencëtarët ende po luftojnë për të marrë miratimin e testimit të teknikave të tyre avangarde të bio-mjekësisë përpara se t’i përdorin ato te njerëzit, Qasim-i, imunologu në UCL, po shpëton më shumë jetë dhe po i shpëton prindërit nga tragjedia e fundme.

Rreth Krishtlindjes së vitit 2015, muaj pasi Layla Richards-i u dërgua në shtëpi e shëruar, ekipi i Qasim-it përftoi një licencë të dytë emergjence për të trajtuar një tjetër vogëlushe me tipin identik të leucemisë, me të cilën ishte diagnostikuar vajza që ishte vetëm 4-javëshe. Kur ishte 16-muajshe, fëmija (prindërit e së cilës nuk duan ta bëjnë emrin e saj publik) iu dha e njëjta dozë e qelizave me gjene të redaktuara që mori Layla. Javë më vonë, ajo u deklarua e pastër prej kancerit; tashmë 2 vjeçe e katër muajshe, ajo është shumë mirë me shëndet.

Dr. Qasim është gjithashtu në front të një tjetër trajtimi që po kryhet për herë të parë në

Spitalin “Great Ormond Street” (GOSH) e quajtur imunoterapi. Imunoterapia shfrytëzon sistemin e vet imunitar për të përmirësuar trajtimin për fëmijët me gjendje kërcënuese për jetën.

Trajtimi emergjent i Qasim-it, që tashmë ka shpëtuar dy fëmijë, është pjesë e një provimi të madh që është hapur ndaj publikut në qershor. Do të trajtojë 10 fëmijë me të njëjtin tip të leucemisë, ndërsa dy vogëlushet janë shëruar. Nëse trajtimi funksionon për 10 pacientët e rinj, prezantimi i gjeneve të modifikua do të bëhet trajtimi parësor për kancerë të ngjashëm, duke zëvendësuar madje edhe kimioterapinë. Me një gërshetim të lehtë, thotë Qasim-i, kjo terapi gjenesh mund të aplikohet edhe në kancerë të tjerë dhe madje në sëmundje gjenetike si talasemia. Terapitë e gjeneve po testohen tashmë për këto kushte, kështu që koha për të ndrequr një sërë defektesh gjenetike mund të jetë në më pak se pesë vjet, thotë ai. Terapia mund të përdoret madje edhe për sëmundje që konsiderohen të pakurueshme, si HIV-i. Firma amerikane farmaceutike “Sangamo” po bën një testim duke përdorur redaktimin e gjeneve për të prodhuar imunitet ndaj sëmundjes për pacientët me HIV. Ndërkohë, thuajse dy vjet më pas, Layla mbetet e kuruar prej kancerit dhe e shëruar. Në një mbledhje fondesh bamirësie për Spitalin Great Ormond Street në dhjetor të 2015–ës, mamaja e Layla-s inkurajoi prindërit e tjerë me fëmijë të sëmurë për të mos pasur frikë nga trajtimet e “minjve” dhe të “provojnë gjëra të reja”. Nëse terapia e Qasim-it do të miratohet për përdorim të përgjithshëm, mund të jetë e para e mijëra trajtimeve të ngjashme. “Layla ka një qëllim- të ndihmojë njerëz të tjerë. Ajo ishte pranë vdekjes. Zakonisht nuk para dëgjon një histori të lumtur me kancer”, ka thënë i ati i vajzës, gjatë një apeli. “Një ditë do të ketë një kurë për kancerin. Kush e di? Mbase pas 40 vjetësh Layla mund të ketë ndihmuar për të hedhur hapin e parë drejt saj”.

*Madhumita Murgia është korrespodente e teknologjisë europiane në “The Financial Times”.