Publicisti, Bardhyl Mahmuti ka thënë se varianti publik i përkthimit në shqip të ekspertizës së çështjes Astrit Dehari, është një përpjekje e qëllimshme për të fshehur krimin.

Mahmuti përmes një shkrimi të gjatë të bërë në llogarinë e tij e në Facebook, ka thënë se ai në kohën më të shkurtër të mundshme, do të përkthejë pjesët kryesore të raportit në fjalë dhe që sipas tij, çdo kush do të ketë mundësi të shohë manipulimet që janë bërë nëpërmjet përkthimit, me qëllim fshehjen e përmbajtjes së plotë të ekspertizës mjeko-ligjore në Zvicër, transmeton Telegrafi.

Mahmuti ka thënë se së është i vetëdijshëm për peshën e akuzës që po e bën, dhe se për këtë garanton se kjo përpjekje e qëllimshme për të fshehur krimin do të argumentohet në mënyrë bindëse.

Ai ka shtuar se i takon Prokurorisë Themelore në Prizren dhe përkthyesit të raportit të ekspertizës Ismail Ismailit të tregojnë se kush qëndron prapa këtij qëllimi.

“Unë do të dëshmoj se varianti publik i përkthimit në gjuhën shqipe të ekspertizës së Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës është PËRPJEKJE E QËLLIMSHME PËR TË FSHEHUR KRIMIN”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, raporti i plotë i ekspertizës së Astrit Deharit është publikuar gjatë javës së kaluar. Mes tjerash në konkluzionet e raporti përfundimtar thuhet se “në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e Astrit Deharit përmes mjeteve të caktuar nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë”.

“Rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit, sipas mendimit tonë, janë të përfshira me një dyshim të intervenimit të personit të tretë në procesin fatal. Ekzaminimet plotësuese janë të nevojshme për të përjashtuar intervenimin e personit të tretë në vdekjen e Deharit”, thuhej në raport.

Ndryshe, raporti i ekspertizës është publikuar në gjuhën shqipe dhe në frëngjisht nga avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi.