Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka bërë të qartë kryeministrit Edi Rama, se e djathta si opozitë do të bëjë çmoj për ta vënë kreun e qeverisë para përgjegjësisë për lidhjen që sipas tij ka me trafikun e drogës.

Për kreun demokrat, sekuestrimi i një sasie prej 2.3 ton marijaune nga Guardia Di Finanza në Itali ku u arrestua edhe një shqiptar, tregon se lufta që Rama i ka shpallur drogës, është e gënjeshtërt.

Në një status në rrjetin social Facebook, Basha shkruan se projekti i Partisë Socialiste që Rama drejton, është të promovojë drogën, krimin dhe korrupsionin si dhe të mbështesë kriminelët. Fatmir Xhafa, sot ministër i Brendshëm dhe Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar të PS-së, dhe promovimi që Rama i bën këtyre dy figurave, që sipas Bashës kanë lidhjeme krimin e organizuar dhe drogën, janë dëshmi të përfshirjes së Ramës në këtë veprimtari të paligjshme.

Shkrimi i plotë i Bashës:

Ngarkesa prej 2,3 tonë drogë e kapur sot në Itali dëshmon një të vërtetë të hidhur: trumpetat e Edi Ramës për luftë kundër drogës janë vetëm mashtrime me qëllim tulatjen e qytetarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar. Ndërkohë ai mbron dhe promovon kokat e krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë. Ky në fakt është projekti PS+ i shpallur prej tij: PS+drogë+kriminelë+korrupsion.

Kjo faktohet edhe nga promovimi prej tij i Gramoz Rucit të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, dhe Fatmir Xhafës të përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës.

Opozita do të bëjë çdo përpjekje për ta vënë atë para përgjegjësisë personale për drogën dhe krimin. Por kjo betejë kërkon edhe përpjekjet e medias, intelektualëve dhe të gjithë qytetarëve. Të gjithë duhet të ngremë zërin dhe të ngrihemi kundër rrezikut të drogës para se të jetë vonë.