Xhevdet Hajredini

Filloi faza e re e lojës të BDI-së për të shpëtuar Gruevskin dhe vetveten! Por, prapëseprapë, shpëtim nuk ka; as për Gruevskin e as për pjesën më të madhe të krerëve të BDI-së.

Nuk është e vërtetë, zoti Ali Ahmeti, se partitë shqiptare nuk janë fajtore për krizën në të cilën u përfshi Maqedonia. Mos u përpiq t’i futësh në të njëjtin thes të gjitha partitë shqiptare. Deri në zgjedhjet e fundit, partive të tjera shqiptare, ti dhe zëdhënësi yt nuk ua dinit as adresat!

BDI-ja është deri në fyt fajtore për krizën në të cilën u zhyt Maqedonia.

BDI-ja është fajtore jo vetëm për gjërat që ka bërë keq, por edhe për ato që ka mundur dhe nuk ka dashur t’i bëjë.

BDI-ja lejoi kuadrot e saj të krijojnë lidhje joparimore me shefin e DSK-së dhe të veprojnë sipas urdhrave të tij.

Gjatë ditëve të ardhshme, fokusi i shqiptarëve duhet të përqendrohet tek veprimet e kryetarit të BDI-së. Në qoftë se vazhdon, sikurse deri më tani, të zvarrit procesin e marrjes së vendimeve duke u arsyetuar me nevojën e “konsultimeve dhe analizave të gjithanshme, të thella e serioze” – për shkak se vendimet qenkan shumë të rënda dhe se, siç thotë, ai qenka në hall të madh – atëherë duhet të jemi të bindur se ai vazhdon të veprojë në favor të Gruevskit.

Ali Ahmeti, edhe pse deklarohet se i respekton dhe vepron në pajtim me “miqtë tanë ndërkombëtarë”, nuk e ka bërë këtë as në të kaluarën e as tani kur u përshkallëzua kriza në vend. Asnjëherë nuk e dëgjuam Ali Ahmetin të drejtojë qoftë edhe një kritikë ndaj kriminelit Nikolla Gruevski, përkundrazi, jo njëherë i ka bërë leksione Zoran Zaevit se si duhet të veprojë.

Është fakt për të cilin dëshmon edhe vet ndërmjetësuesi i BE-së, zoti Pitter Van Houtte se Ali Ahmeti edhe gjatë bisedimeve për marrëveshjen e Përzhinës ka vepruar nën presionin e Nikolla Gruevskit.

Ali Ahmeti shtiret si i shurdhët kundrejt mbështetjes që Rusia ia jep qeverisë së Gruevskit dhe BDI-së.

BDI-ja hesht edhe kur Gruevski kërcënon haptas se nuk do të lejojë koalicion mes BDI-së dhe LSDM-së, duke e paralajmëruar se në BDI, e dinë vet se si do ta bëjë ai këtë.

Vetëm ky është shkaku përse BDI-ja vazhdonte ta mbante hapur opsionin se do shkonte në opozitë duke përkrahur në këtë mënyrë qeverinë e pakicës, e cila, merreni me mend, do të hetonte veprat penale të mundshme për të cilat u folka nëpër kafene.

Se sa sinqerisht e mbështet BDI-ja punën e Prokurorisë Speciale, Ligjin për Dëshmitarët e Mbrojtur dhe reformat që dalin nga raporti i Pribe-së, tregohet qartë nga fakti se sa e ka shfletuar deri më sot plan për realizimin e prioriteteve urgjente reformuese, të cilin qeveria e tyre, si propozim të Sekretariatit për Euro-Integrime, e miratoi menjëherë sapo mbërriti ky raport!

Qeveria, në të cilën ka marrë pjesë edhe BDI-ja, i ka injoruar të gjitha raport e progresi të BE-së, – e veçanërisht këtë të fundit, nuk e përmendin fare.

BDI-ja e bëri “fituese” në zgjedhjet e fundit VMRO-në, me anë të Doktorit të vet të Shkencave (Subhi Jakupin) në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Ali Ahmeti, prapë kërcënon me konflikt ndëretnik tani pas takimit me Federika Mogherinin. Këtë e bën me qëllim që të shpëtojë Gruevskin dhe veten; por konflikt ndëretnik në Maqedoni nuk do të ketë, e as më pak skenar ukrainas.

Në qoftë se Ali Ahmeti vazhdon të veprojë në koordinim të fshehtë me Nikolla Gruevskin, mundësia e vetme do të ishte vetëm konflikti ndëretnik i brendshëm.

Me refuzimin e dhënies së mandatit Zaevit për formimin e qeverisë nga ana e Ivanovit, filloi edhe realizimi i planit të paralajmëruar nga Gruevski se nuk do të lejojë qeveri mes LSDM-së dhe BDI-së.

Është simptomatike se kur të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë kërkojnë nga Ivanovi të tërheqë sa më shpejtë vendimin, Ali Ahmeti kërkon që ai ta rishqyrtojë atë dhe mbledh kryesinë për të filluar përsëri një fazë tjetër të “konsultimeve dhe analizave të thella, të gjithanshme e serioze”.

Ali Ahmetit i duhen përsëri konsultime me ekspertë në lidhje me vendimin e Ivanovit, kurse Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Përfaqësueses së Lartë të BE-së, ministrave të jashtëm të Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, Departamentit Amerikan të Shtetit, pa konsultuar ekspertë, i bëjnë presion Ivanovit që ta tërheqë urgjentisht vendimin dhe t’i japë sa më shpejtë mandatin Zaevit.

Përsëri, Ali Ahmeti bën fajtore partitë e tjera shqiptare për zvogëlimin e numrit të deputetëve shqiptarë në Kuvend. Por, për çfarë iu duhen deputetët shqiptarëve, të paktën sikurse vet ai, që në 15 vjet nuk e hapi gojën në seancat e Kuvendit, përveçse mori rrogën dhe përdori vetëm gishtin. Njësoj e ka detyruar të sillet edhe pjesa më e madhe e deputetëve të partisë së vet.

Vetëm ai dhe bashkëpunëtorët e tij që nuk kanë lexuar asnjë faqe nga raporti i grupit të PRIBE-së (në të cilin kishte edhe ekspertë italianë të luftës kundër mafias) mund të pohojnë se shkaktarë të krizës në Maqedoni janë partitë më të mëdha maqedonase.

Krizën në Maqedoni, sipas asaj që publikoi para dy vitesh LSDM-ja, e shkaktuan dy partitë që ndanin pushtetin gati 10 vite me radhë.

Krizën e shkaktuan ata që robëruan institucionet e shtetit, komprometuan shtetin ligjor, ata që lejuan Gruevskin të hidhte 1 miliard euro në beton pranë Vardarit, në vend që të përdoreshin për ndërtimin e shkollave, ujësjellësve, rrugëve të cilat mungojnë nëpër fshatra e qytete të banuara me shqiptarë.

Krizën e shkaktuan ata të cilët në vend që të zbatonin marrëveshjen e Ohrit, e “analizojnë” atë duke derdh çdo vit nga 100 mijë euro, nga të cilat pjesa më e madhe kanë përfunduar në xhepin funksionarëve të tyre.

Krizën e ka shkaktuar BDI-ja e cila heshtte kur Gruevski vazhdonte të acaronte dhe helmonte marrëdhëniet me të gjithë shtetet fqinjë, me Bashkimin Evropian, SHBA-të, me përjashtim të Rusisë së Putinit.

Krizën e ka shkaktuar BDI-ja, kur me urdhër të Gruevskit, kërkoi zgjedhje të parakohshme në 2014 me qëllimin e vetëm që të mundësonte rizgjedhjen e Ivanovit për kryetar shteti.

Krizën e kanë shkaktuar ata të cilët, mijëra të rinj vite me radhë i paguajnë me paratë e buxhetit (i mbushur nga të gjithë qytetarët) pa i sistemuar në vende pune, vetëm e vetëm t’i shantazhojnë kur vjen momenti i votimit, që të votojnë për partitë e tyre.

Krizën e kanë shkaktuar ata të cilët, të trishtuar nga përmbajtja e përgjimeve, të siguruara nga partia opozitare, u përpoqën me ligj të pengonin publikimin e tyre jo vetëm brenda shtetit por edhe jashtë tij.

Nga zhvillimi i ngjarjeve, gjatë ditëve të ardhshme do të bëhet e qartë nëse janë apo jo të harmonizuara planet e Gruevskit dhe Ali Ahmetit, bashkë me mënyrën se si u publikua platforma e përbashkët e partive shqiptare, me qëllim që të shërbejë si pretekst për Ivanovin në refuzimin e dhënies së mandatit Zaevit.

Përndryshe, nuk duhet dyshuar në motivet e partive shqiptare opozitare për të harmonizuar qëndrimet në lidhje me kërkesat për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Shumë gjëra do të bëhen edhe më të qarta një ditë kur do të zbërthehet enigma e lidhjes aq e ngushtë mes Gruevskit dhe Ali Ahmetit si dhe disa bashkëpunëtorëve më të afërt të tyre, si dhe roli i tyre në shumë ngjarje dramatike gjatë periudhës së bashkëqeverisjes 10 vjeçare.

Ka të drejtë Ali Ahmeti kur thotë se kriza nuk zgjidhet me protesta. Por, Ali Ahmeti duhet ta ketë të qartë se kriza nuk zgjidhet për aq kohë sa ata, të cilët gjatë ushtrimit të pushtetit – ndoshta si askund në botë – për veprat e panumërta penale nuk marrin dënimet e merituara.

Nuk është aspak e vërtetë se BDI-ja ka marrë vendimin për koalicion me LSDM-në “pasi janë shteruar të gjitha debatet” dhe se, pas tre muajsh “analizash dhe konsultimesh të gjithanshme, të thella e serioze”, paskan ardhur në përfundimin se ky qenka “vullneti i përgjithshëm i shqiptarëve”.

Kriza erdhi edhe pse BDI-ja për më shumë se 10 vite na bind se angazhohet për integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO, se ky qenka edhe vullneti i gjithë shqiptarëve, dhe vazhdimisht kërkon nga miqtë tanë ndërkombëtarë të na ndihmojnë. Por Përfaqësuesja e Lartë Mogherini arriti në Maqedoni pa kërkesën e Ali Ahmetit dhe madje, e detyroi Ali Ahmetin të “shteronte të gjitha debatet” tre mujore.

Ditën 1 mars, shqiptarët e Maqedonisë duhet ta shpallin si ditë feste, për shkak se njëherë e përgjithmonë mori fund presioni i Gruevskit mbi BDI-në dhe u zëvendësua me presionin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Mogherini.