Takimi i parë i biznesmenëve nga Oda ekonomike e Maqedonisë veriperëndimore me përfaqësues të partive politike kaloi me probleme. Problemet e komunitetit të biznesit nuk i prezantoi kryetari i Odës, por zëvendësit e tij ndërsa në vend të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti telashet e komunitetit të biznesit i dëgjuan ministrat e Qeverisë. Nga Oda thonë se për shkak të krizës politike pësojnë dëme bizneset e tyre dhe kërkojnë dalje të shpejtë nga kjo situatë. Biznesmenët thonë se ndonëse edhe më parë kanë pasur takime të këtilla, shumë pak nga premtimet e tyre janë realizuar.

“Aspak nuk jemi të kënaqur, jo vetëm nga BDI, por në përgjithësi nga pushteti, për të gjitha obligimet dhe premtimet e marra e që nuk i kanë realizuar”, tha Mendi Qyra, nënkryetar i OEMVP.
Nga BDI premtuan se edhe në mandatin e ardhshëm do të punojnë në krijimin e kushteve më të mirë për rritje ekonomike, zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për investime në të gjitha sferat si dhe për makro- ekonomi të qëndrueshme.

Nga Oda ekonomike e Maqedonisë veriperëndimore thonë se ende nuk kanë marrë përgjigje nëse VMRO DPMNE dhe LSDM do të realizojnë takime me ta.